Nga Hajrullah Hajdari
ULQINAKËT E STREHUAN, NUK E VRANË
Vlerësimi i figurave më të shquara të kombit tonë është obligim i çdo intelektuali, studiuesi apo i cilitdo qoftë, që me punën e tij hulumtuese mund të kontribojë në zbardhjen e fakteve të reja, ndriçimin e të kaluarës së tyre, për të bërë më të qartë kontributin atdhetarë e për të spikatur e ruajtur vlerat jo vetëm personale por edhe të indentitetit kombëtar në përgjithësi.
Siç është e njohur një ndër figurat më të shndritshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, strategu dhe kryetari i saj, Myderriz Haxhi Ymer Drini – Prizreni fundin e jetës së tij e kaloi në Ulqin. Pse zgjodhi Ulqinin për t’u fsheur nga ndjekja e Dervish Pashës e për të kaluar jetën aty, si dhe vrasja e tij mizore nga dora e armikut, mbase për dikë nuk janë ndriçuar sa duhet dhe mbesin sot e kësaj dite enigmë! Megjithatë, historiografia shqiptare nëpërmjet botimeve të ndryshme dhe organizimit të Konferencave shkencore, në Tiranë Konferenca Kombëtare e Studimeve për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit më 1979, në Prishtinë Konferenca Shkencore e 100-vjetorit të të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 1981 si dhe Sesionit shkencor “Ymer Prizreni, Personalitet i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, mbajtur në Ulqin (25-26 maj 2002), nëpërmjet dokumenteve arkivore apo kujtesave e dëshmive historike kanë ndriçuar sadopak arsyen e ardhjes së tij në Ulqin dhe vrasjen e tij mizore, po në Ulqin.
- Fjala e folur publikisht është përgjegjësi
Promovimi i librave të autorëve të ndryshëm, organizimi i mbrëmjeve autoriale me studius të ndryshëm shqiptarë apo shënimi i datave të rëndësishme historike të popullit shqiptar, e ka begatuar jetën kulturore në Ulqin. Paraqitja apo leximi i kumtesave në këto evenimente është përgjegjësi e secilit nga referueesit. Mund të ndodhin gafa, lëshime apo edhe gabime esenciale që mund të ndryshojnë tërësisht një mendim të aprovuar nga historiografia e të mishëruar në jetën e përditshme të qytetarit. Është njërzore të gabosh, por përmirësimi duhet të bëhët. Në promovimin e një libri në Qendrën për Kulturë në Ulqin, një studiues nga Kosova duke folur për likuidimin e disa udhëheqsve shqiptarë, të vrarë nga vetë shqiptarët, ndër të tjera tha:” Ymer Prizreni u vra në Ulqin, kush e vrau? Shqiptarët pra!” Me siguri është një gafë, lëshim i tij sepse nuk dua të besoj se nuk ka njohuri mbi mikëpritjen dhe respektin që i bënë ulqinakët këtij zotërie të kombit shqiptar!
Pikërisht për këtë arsye e pash të nevojshme që edhe njëherë të rikujtoi lexuesit dhe opinionin në përgjithësi për ardhjen, qëndrimin dhe vdekjen e Ymer Prizrenit në Ulqin e jo për veprimtarinë dhe kontributin e tij për çështjen shqiptare sepse konsideroj se ajo është botërisht e njohur.
Dervish Pasha në fund të shkurtit të vitit 1881 nisi një ofanzivë të madhe kundër kryengritësve shqiptarë për të hyrë përfundimisht më 23 prill 1881 në Prizren..Qëllimi i Dervish Pashës nuk ishte vetëm shtypja e kryengritësve, por edhe shtypja e idesë automoste për bashkimin e vilajeteve shqiptare e sidomos pavarësisë së tyre. Pas këtyre rrezultatëve të Dervish Pashës ekzistimi i mëtutjeshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte i pamundur dhe përkohësisht u shpërnda. Porta filloi arrestimin dhe internimin e udhëheqësve më të dalluar të Lidhjes. Dervish Pasha i thiri udhëheqësit e Lidhjes të vinin në Prizren për një marrëveshje, por Ymer Prizreni nuk mund të pranonte marrëveshje me turkun, armikun e tij të papajtueshëm dhe kështu vendosi të arratisej.
- Ardhja, vendosja dhe qendrimi i Ymer Prizrenit në Ulqin
Më 23 prill kur Dervish Pasha hyri në Prizren Ymer Prizreni ndodhej në Gjakovë. Itinerari i ndjekur nga Ymer Prizreni për të ardhur në Shkodër e pastaj në Ulqin është i njohur edhe pse ka disa mospërputhje të vogla. Ai ndoqi një rrugë pak më të gjatë sepse nuk kishte mundësi të kapërcente Drinin me not ose me rrëshiq pasi ishte i pastërvitur. Nga Gjakova kaloi në Bytiq dhe pastaj ndoqi rrugën Ura e Vezirit-Shënmri-Qafë Mali-Kabash (Pukë)-Qerret-Gomsiqe-Vau i Dejës-Shkodër. Në Shkodër u vendos në familjen e Jusuf Efendi Golemit, veprimtar në zë i Lidhjes dhe kryetar i Bashkësisë së Shkodrës.Në Shkodër ndejti 6 netë. Sipas Lipihut ai ndoqi anën e majtë të lumit Buna dhe diku pranë derdhjes në det u drejtue për në Ulqin. Ka mendime se Ymer Prizreni kaloi përmes Liqenit të Shkodrës por duke qenë së në fshatrat e Krajës në Arbnesh dhe Ostros kishte shumë ushtarë turq kjo do të ishte e rrezikshme dhe e pa mundur. Sidoqoftë, dihet se Ymer Prizreni mbërrijti në Ulqin me 6/18 maj 1881. Ymeri u vendos në familjene e Sali Efendis, te njeriu i cili me rastin e mbrojtjes së Ulqinit, në nëntor 1880, kishte lëshuat Fetfanë: “Ai që vdes për Vatanin, bie shehit”. Kush ia mundësoi kalimin nga Shkodra në Ulqin nuk kemi shënime të sakta. Mendimi seJusuf Golemi, duke shfrytëzuar poziten e tij si kryetar bashkie dhe ndoshta kishte krijuar marrëdhënie me autoritetet malazeze nuk është shumë i besueshëm. Kjo për arësye se nga dokumentet arkivore të Cetinës nr. 900(2), mësojmë se guvernatori i Ulqinit Simo Popoviq nuk kishte pasur njohuri për ardhjen e Ymer Prizrenit në Ulqin.Në telegramin dërguar ministrit Masho Vërbices ai thekson se në Ulqin ka ardhur Hoxha i madh i Prizrenit dhe është vendosur të hoxha ynë Sali Efendia (Hylja) i cili sot së bashku ka qenë të unë për ta paraqitur. Edhe pse mund të mendohet se ai mund të ketë qëllime të tjera është e sigurtë, thekson Sima Popoviqi, se ai këtu nuk mund të bënte asgjë çka unë nuk do ta marr vesh mënjiherë, pra ai do të përcillej nga pushteti malazez. Ardhjene e Ymer prizrenit në Ulqin, Mali i Zi e “ruajti” si fshehtësi diplomatike për shumë ditë, duke shpresuar se edhe personalitete tjera udhëheqëse të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të vinin në Mal të Zi. Kjo mund të vërtetohet edhe nga sshkresa të cilën Masho Vërbica ia dërgoi guvernatorit të Ulqinit Sima Popoviqit më 7/ 19 maj 1881 (dok. arkivor 1097) në të cilën thuhet: “Thojini se lirisht mund të lajmëroj Abdyl begun dhe shoqërinë e tyre që të vijnë në Mal të Zi, ku do të gjejnë mikpritje të përzemërt”. Pse Mali i Zi interesohej aq shumë për vendosjen e udhëheqësve të Lidhjes Shqiptare, të cilët, sipas Xhafer Belegut “vetëm para disa muajve si kryetar i Qendrës (Ymer Prizreni) pat dhënë urdhër me e mbrojtë (nga malazezët) me çdo sakrificë (Ulqinin)”. Sipas disa burimeve këto udhëheqës të Lidhjes shqiptare do të shërbenin pengje për një jetë të pa trazuar të popullit serb në Kosovë dhe malazezëve në Vrrakë të Shkodrës dhe do të ishin kontribut për një qetësi në kufirin ndërkombëtar shqiptaro-shqiptar, nga ku Mali i Zi, është zgjeruar me toka shqiptare.
Sipas Xhafer Belegut Ymer Prizreni me rastin e arratisjes kishte marrë me vete shumë dokumente të rëndësishme, që mund të ishin me interes për Portën, Fuqitë e Mëdha dhe Malin e Zi.
Pas kalimit të Sali Efendi Hylja në Shkodër, Ymer Prizreni banoi kryesisht në lokalet e Mehqemës, përballë Xhamisë të Namezgjahit. Ymeri shkonte shumë shpesh në shtëpin e Molla Beqirit në Mëhallë të Re, ku kishte dhomën e fjetjes. Herë pas here shkonte edhe në shtëpin e Tahir Mollabeqirit. Por, sipas publicistit Ali Llunji për jetën e Ymer Prizrenit janë kujdesur të gjitha familjet e pasura dorëholla të Ulqinit, sepse të gjithë ishin mirënjohës për përpjekjet e tij për të shpëtuar shkëputjen e Ulqinit nga tërësia e Shqipërisë. Dihet se Myderrizi Haxhi Ymeru u fal në Xhaminë e Namazjahit. Në atë xhami u trajtua si imam nderi dhe për çdo të premte mbante vaisin apo Këshillën e së Premtes.Kjo fletë qartë sa e vlerësonin ulqinakët Ymer Prizrenin, ata kanë qenë të ndëruar për prezencën e tij në Ulqin. Ai ka kontribuar në ruajtjen e shpirtit shqiptar në Ulqin, ka qenë njeriu më i rrespektur, më i ndëruari e më i adhuruari që ndonjëherë ka njohur Ulqini shqiptar den baba den.
- Vrasja e Ymer Prizrenit, nga dora e armikut, jo nga shqiptarët
Një natë, në terrin e natës, sapo kthehej nga namazi i jacisë, Ymer Prizreni u godit për vdekje para derës ku banonte (Në Mehqeme). Sipas të gjitha gjasava dorasi e mori arkivin komplet të Ymer Prizrenit dhe kujt ia dorëzoi nuk ka të dhëna. Ymeri, pas atentatatit kërkoi t’a çonin në shtepinë e Molla Beqirit, sepse aty ndihej më i sigurtë. Aty jetoi edhe disa ditë. E la amanet që të varrosej nëë varrëzat familjare të Mollabeqirëve. Ymer Prizreni dha shpirt më 12 qershor 1886 dhe u varros në varrezat familjare të Mollabeqorëve në Ulqin.
Për të saktësuar sadopak shkakun e vdekjes të Ymer Prizrenit, më 11-16 prill 1978, antropologu hungarez, Janosh Nemeshker me ekipin e tij, kreu hulumtimin antropologjik dhe rikonstruimin e personalitetit të Ymer Prizrenit.Eksperti ligjor dr. Fadil Batalli, pasi iu prezantua matriali i J.Nemeshkerit konstatoi: “Thyerja e unazës së katërt dhe të pestë lumbale dhe dëmtimi i dhëmbëve në nofullën e epërme në anën e majtë, jana shkaktuar para vdekjes me veprime mekanike me mjet të fortë, të rëndë (topitur)”
Nga dokumentet relevante arkivore, studimeve përkatëse dhe dëshmive të dhëna nga familjarët e Mollabeqirëve, mund të konstatohet se vdekja e Ymer Prizrenit ishte si pasojë e rrahjes për vdekje.
Ymer Prizreni me vetëdije të plotë nuk i thirri udhëheqësit e Lidhjes të vinin në Mal të Zi, por as ai vetë me veprimtarinë e tij, sa qenndroi në Ulqin, nuk u vu në rrolin e kontribuesit për përmirësimin e jetës të serbëve në Kosovë dhe as malazezëve në Vrrakë të Shkodrës. Kjo u interesonte serbëve dhe malazezëve. Ymeri e dinte mirë se kufiri ndërkombëtar shqiptaro-shqiptar, përfitues i të cilit ishte direkt Mali i Zi, për shqiptarët nuk është i drejtë e dhe i pranueshëm.
Prandaj pa hezitim mund të thuhet se për likuidimin fizik të Ymer Prizrenit, përveç Portës së Lartë jetësisht ishin të interesuar Rusia me Serbinë dhe Malin e Zi. Dokumentacioni i grabitur pas rrahjes mizore mund t’u ketë shërbyer vetëm atyre, për të fshehur faktet apo për të mbuluar ndyrësirat e tyre politike. Shqiptarët nuk patën asnjë arsye ta vrisnin sepse ishte mbështetës i tyre, ata e rrespektuan në maksimum, e ushqyen e strehuan, pra nuk e vranë.