(foto nga Nokshiqi I legjendave)
Para se të flisni për shqiptarët nën Mal të Zi, para se të përdorni fyerje, dhe para se të harroni kush jemi — mësoni historinë tonë të shkruar me gjak, me nder, me qëndresë dhe me dinjitet.
Kush i theu vendimet e Kongresit të Berlinit?
Plava e Gucia, me në krye Jakup Ferrin dhe Ali Pashë Gucinë, në Nokshiqin e legjendave.
Ata u ngritën kundër padrejtësisë dhe refuzuan t’i nënshtroheshin okupimit malazez.
Kush e eliminoi Ali Pash Maxharin?
Të dërguarin e Portës së Lartë, që erdhi me mision për ta nënshtruar Plavë-Gucinë?
Po ata malësorë që nuk pranonin kurrë t’i gjunjëzoheshin askujt.
Kush e ngriti flamurin para Vlorës?
Malësorët shqiptarë, me në krye Dedë Gjo Lulin, që ngriti flamurin kombëtar para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Kush u bë themeli i mendimit akademik në Kosovë?
Nga Plava e Gucia dolën figurat që i dhanë identitet kulturor Kosovës:
• Esad Mekuli – babai i letërsisë moderne kosovare,
• Rexhep Qosja – mendja akademike që i dha drejtim shkencës dhe kulturës,
• Jashar Rexhepagiq – akademik i dalluar, themelvënës i arsimit dhe kulturës.
Këto nuk janë thashetheme. Këto janë fakte historike.
“Ne nuk jemi në Mal të Zi – jemi nën Mal të Zi.”
Për injorantët e kohës:
• Ne nuk jemi në Mal të Zi.
• Ne jemi nën Mal të Zi.
• Ne nuk hymë asnjëherë me referendum.
• Ne u aneksuam pas luftërave të përgjakshme, u okupuan tokat tona, u derdh gjaku ynë.
Ndaj mos shkruani marrëzira me gjak të prishur e me qëllime të këqija.
Shqiptarët nën Mal të Zi nuk janë pakicë e rastit!
Dy publikime të kohëve të fundit fyen shqiptarët nën Mal të Zi, duke i shtyrë nga institucionet ose duke përdorur terma cinikë dhe përçarës — si “Cërnagorë” — si formë nënçmimi.
Asnjëra nuk më habiti.
Por më dhemb. Shumë më dhemb.
Sepse për të fyer shqiptarët nën Mal të Zi, duhet së pari të kesh harruar kush janë ata:
• Janë autoktonë.
• Janë bijtë e Hotit, Grudës, Kuçit, Triepshit, Kelmendit dhe Alpeve shqiptare deri në Ulqinin ilirik.
• Kanë qenë shqiptarë para se Evropa të vizatonte kufijtë dhe para se diplomatët të luanin me hartat e kombit tonë.
Ata derdhën gjak për lirinë shqiptare
• Në Hot e Grudë, malësorët sfiduan perandori.
• Në Nokshiq (1879) arritën njërën prej fitoreve më të mëdha kundër ushtrisë së rregullt malazeze.
• Në Ulqin (1880) rezistuan që të mos shiteshin si plaçkë diplomatike.
• Në Plavë e Guci (1912–1913) u masakruan mbi 1800 shqiptarë në Masakrën e Previsë; mijëra të tjerë u konvertuan me dhunë — por shpirti i tyre nuk u konvertua kurrë.
Ata dhanë prijës dhe trima kombëtarë
• Në Plavë e Guci, shqiptarët u përballën me vendimet e Fuqive të Mëdha dhe ia kthyen pushkën Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane.
• Ata ngritën mendjet që udhëhoqën kulturën dhe arsimin në Kosovë.
• Ata dhanë djem që ranë për lirinë e Kosovës.
Me dhjetëra malësorë iu bashkuan UÇK-së, pa kërkuar përfitime.
Sepse Kosova për ta nuk ishte çështje politike — ishte plagë gjaku.
Këta janë shqiptarët nën Mal të Zi
• Jo “fyerje”.
• Jo “përçarje”.
• Jo “Cërnagorë” në statuset boshe të rrjeteve sociale të gjakshiturëve kuislingë.
Shqiptarët nën Mal të Zi nuk janë ashtu si mendoni ju.
Janë flakë.
Janë nder.
Janë krenari.
Dhe kush i jep vetes të drejtën t’i nënçmojë, tregon vetëm sa pak di dhe sa pak e respekton kombin që pretendon se e mbron.
Gazmend Buçaj, perkethyes I gjuhes , Belgjikë