Kush nga partitë shqiptare do të jetë në qeveri? Përmenden Zenka, Gjeka dhe Dukaj

I mandatuar për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë javës së ardhshme duhet të prezantojë konceptin dhe programin e punës së qeverisë së ardhshme.  Plani është që qeveria të ketë 18 ministri, plus tre zv.kryeministra që lidhen me ministritë.

Pas një takimi me krerët e opozitës të mërkurën e kaluar, Abazoviq tha se në qeveri do të marrën pjesë koalicioni “E Zeza në të Bardhë”, Partia Socialiste Popullore dhe partitë e pakicave ,ndërsa të tjerët do të vendosin eventualisht nëse do të jenë pjesë e saj.

Sipas informacioneve jozyrtare të “Vijesti”, Partia Boshnjake (BS) duhet të ketë tre departamente. Zv.kryeministrin  dhe Ministrinë e Investimeve Kapitale, që do të përfshijë energjinë dhe transportin, resor që pritet ta mbulojë kryetari Ervin Ibrahimoviq. Partisë Boshnjake do ti takojë edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por ende nuk dihet se kush do të marrë postin ministror.

Partitë parlamentare shqiptare duhet të kenë tre departamente në qeverinë e ardhshme – ministritë e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, shkencës dhe shoqërisë dixhitale dhe administratës publike. Ndonëse lideri i UDSH, Mehmed Zenka, përmendet si kandidat i mundshëm për ministër, një burim i Vijesti thotë se Zenka nuk mund të jetë ministër.  sepse një nga rregullat është që në qeverinë e re të mos ketë ministra nga qeveritë e mëparshme.

Në emër të Alternativës Shqiptare , një departament në qeveri me shumë gjasa do të zërë drejtori politik i partisë dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Arsimin e Pakicave, Marash Dukaj. Kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, nuk do të jetë në qeverinë e re, por siç ka paralajmëruar do të mbetet në pozitën e kryetarit të Komunës së Tuzit.