La Croix (1904) / Karl Gega, gjeniu dhe magjistari i hekurudhës së Semmering-ut, një nga kryeveprat më të bukura teknike në botë, e cila sot mbush 50-vjetorin e përfundimit të saj

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Shtator 2020

“La Croix” ka botuar, të premten e 20 majit 1904, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me 50-vjetorin e përfundimit të hekurudhës së famshme të Semmering-ut, vepër e inxhinierit të famshëm me origjinë shqiptare Karl Gega, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Me 28 të këtij muaji do të fillojnë festime të mëdha të cilat do të zgjasin një javë të tërë dhe do të sjellin hare në një pjesë të perandorisë ashtu si në kryeqytet.

Në fund të majit, hekurudha e Semmering-ut, e cila ishte hekurudha e parë malore e Evropës, feston 50 vjetorin e përfundimit. Semmering-u është pika më e lartë e vargmaleve të Alpeve që na ndajnë nga Styria. Pak rajone malore janë po aq piktoreske dhe madhështore sa këto. Kur niseni nga Vjena për në Gratz dhe Trieste, së pari kalojmë nëpër vreshtat e pasura përreth Baden-it, pastaj Vjenë-Neustadt, selia e Saint-Cyr, dhe pothuajse menjëherë fillon ngjitja.

Hekurudha, përfundimi i së cilës do të përkujtohet, është seksioni nga Gloggnitz në Semmering : puna zgjati gjashtë vjet, nga 1848 deri në 1854 dhe kushtoi 31 milion franga. Është një nga kryeveprat më të bukura teknike në botë; Z. Gega, inxhinieri autori i kësaj mrekullie, ishte sigurisht një nismëtar i një gjeniu të madh, sepse guxoi të konceptojë plane të cilat ishin një zbulim për kohën e tij; ai mundësoi që industria hekurudhore e sapo lindur të hidhte një hap prej gjysmë shekulli përpara.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vetë Semmering-u është një “séjour” shumë i kërkuar, në verë për arsye të freskisë së pyjeve dhe flladeve të tij, në dimër për arsye të temperaturës së butë që hasim në majat e larta të mbuluara me dëborë dhe të zhytura (mbuluara) nga rrezet e diellit, ndërsa banorët e fushave dhe luginave banojnë në mjegullën gri dhe në të ftohtin.

Gega, i cili duket se i ka dominuar vështirësitë deri në atë pikë sa ka qenë i lumtur që t’i kërkonte për t’i kapërcyer ato, ka luajtur me shkëmbinjtë, luginat e thella, humnerat; herë-herë, ai e çon hekurudhën e tij në shpatin e malit, ku ajo duket si një skicë qymyri mbi një mur; herë-herë, ai e fut atë në një tunel nga i cili del që të futet në një tjetër, dhe dikush do të thoshte se ai ka dashur të bëjë magjistarin me trenat; herë-herë, e hedh papritmas si një gjarpër mbi një luginë të prerë nga një viadukt me mbivendosje të trefishtë të arkadave.

Kam dëgjuar që sot vepra do të bëhej me më shumë thjeshtësi dhe më pak shpenzime, kritikë tekniku që nuk ndryshojnë përshtypjen e atyre që janë vetëm spektatorë dhe konsiderojnë në veprën vetëm madhështinë e saj.