Lamtumirë Shaban Bali Nokshiqi – Nderim për jetën dhe veprën e një atdhetari të madh

Me dhimbje dhe respekt të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të patriotit, atdhetarit dhe shkrimtarit të shquar Shaban Bali Nokshiqi, i cili ndërroi jetë në Tropojë. Ceremonia e varrimit u zhvillua sot, më 20 maj 2025, në Bajram Curri, Shqipëri, ku ai u përcoll me nderime të shumta nga familjarë, miq, bashkëkombas dhe dashamirës të fjalës dhe veprës së tij.

Shaban Bali Nokshiqi lindi më 25 maj 1927, në fshatin Llagaj të Tropojës. Shabani mbante me krenari mbiemrin Nokshiqi, të fshatit-fortesë të Plavës e Gucisë, aty ku dy herë u mund ushtria malazeze nga forcat vullnetare shqiptare në vitet 1879–1880. Ai ia kushtoi tërë jetën çështjes kombëtare, kulturës dhe historisë shqiptare.

U bë i njohur për veprat e tij letrare dhe dokumentare, ndër të cilat më të spikaturat janë:

  • Gurë të ngulun në Nokshiq
  • N’kufi të shqipes e thej gurin
  • Kujtimet e Babës

Për kontributin e tij të çmuar, Shabani u nderua me disa çmime, përfshirë edhe Çmimin e Lartë “Pena Alpine” në vitin 2021.

Në emër të platformës “Plava e Gucia Sot”, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Nokshiqi, të afërmve dhe gjithë komunitetit shqiptar që e deshi dhe e nderoi këtë figurë të madhe.

Pusho i qetë në tokën e të parëve, Shaban. Vepra jote do të jetojë përherë.

/Plava e Gucia Sot