Lidhja Demokratike në Mal të Zi, partia e parë politike e shqiptarëve në Malin e Zi ka dalur me një kumtesë për opinion lidhur me zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit. Ky subjekt shpreh pakënaqësinë e tyre për mosftesen e subjekteve politike shqiptare qe veprojne ne Tuz ne drejtim te LD ne MZ.
“Për fat të keq, disa subjekte politike që veprojnë në Malësi, e neglizhojnë kontributin e LD në MZ-së. Këtë e themi, për faktin se nuk e panë të arsyeshme që të ftojnë LD në MZ-në në bisedime për arritjen e një koalicioni gjithpërfshirës” thuhet nder te tjera ne kumtesen per opinion te LD ne MZ.
Nga ky subjekt shprehin bindjen se rezultati me LD në MZ-në, me përfaqësuesit e saj në listën gjithëpërfshirëse zgjedhore, do të jetë më i mirë ne zgjedhjet lokale te 3 marit ne Tuz.
Me poshte mund te lexoni te plote kumtesen e LD ne MZ.
K u m t e s ë
Lidhja Demokratike në Mal të Zi, partia e parë politike e shqiptarëve në Malin e Zi e formuar më 09.09.1990, në Tuz të Malësisë, e cila aktivitetin e saj politik e ushtroi në të gjitha trojet ku sot shqiptarët janë autoktonë në Malin e Zi, për më shumë se një çerek shekulli, përsëri mbetet faktor i rëndësishëm në skenën politike me strategji të qartë të zgjidhjes së shumë problemeve dhe nevojave të shqiptarëve në Malin e Zi. Megjithëse ka disa përparime, me të cilat nuk jemi të kënaqur sepse shihet qartë se në shumë svera pozita e shqiptarëve në Malin e Zi sa vjen e përkeqësohet.
Duke u nisur nga ky aspekt vlerësojmë që faktori politik shqiptar duhet të gjejë mënyrën e koordinimit, bashkëpunimit e unifikimit të veprimeve të veta politike me qëllim të bashkimit të votës shqiptare (elektoratit) në mënyrë që për çështje madhore të veprohet njëzëri. Zgjedhjet, qofshin ato lokale apo parlamentare, janë një proces shumë i rëndësishëm shoqëror ku do të duhej që përmes votës së lirë e demokratike, të zgjedhin përfaqësuesit e vet në parlament, me besimin se do të jenë denjësisht të përfaqësuar, me qëllim të realizimit të të drejtave qytetare, politike, kombëtare, arsimore, kulturore e historike.
Lidhja Demokratike në Mal të Zi, me Seli në Tuz, është subjekti i parë politik shqiptar, që nga fillimet e pluralizmit u angazhua denjësisht në realizimin e të drejtës së organizimit territorial aty ku veprojnë shqiptarët dhe ka qenë kërkesë programore dhe iniciativë dhe kërkesë e jona për formimin e komunës së Malësisë me qendër në Tuz si komunë në vete, me të drejta të plota. Kërkesa me shkrim ju drejtua, që në fillim të viteve ’90-ta, organeve kompetente të Malit të Zi, të nënshkruar atëherë nga kryetari i LD në MZ-së . M. Bardhi, sekretari z. N. Camaj dhe kryetari i Degës së Malësisë i LDnë MZ-së,i ndjeri dhe i shumërespektuari z. Vasel Margilaj. Vazhduam në kontinuitet deri sot e kësaj dite. Në këtë aspekt rikujtojmë qytetarët e Malësisë, votuesit e simpatizuesit e LD në MZ-së se si rezultat i angazhimit në këtë drejtim, në zgjedhjet e para vendore në Komunën Urbane të Tuzit, kryetari i parë i kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit, u zgjodh përfaqësuesi i LD në MZ-së, z. N. Camaj.
Përpjekjet tona dhe angazhimi ynë politik kanë qenë të vazhdueshme për realizimin e komunës së Tuzit, si komunë me të drejta të plota (për çudi sipas disa të dhënave ende nuk është shkëputur nga qendra, Podgorica).
Në këtë drejtim duhet shikuar edhe zgjedhjet vendore të caktuara për 03 mars 2019.
Por, për fat të keq, disa subjekte politike që veprojnë në Malësi, e neglizhojnë kontributin e LD në MZ-së. Këtë e themi, për faktin se nuk e panë të arsyeshme që të ftojnë LD në MZ-në në bisedime për arritjen e një koalicioni gjithpërfshirës.
Megjithë faktin se nuk u ftuam, ne nuk e lamë anash, por ju drejtuam njërit prej subjekteve politike të koalicionit tresh tani të formuar (LDSH) dhe ju bëmë me dije se momenti i ri, situata e përgjithshme, kërkesa dhe porositë e personaliteteve të politikës dhe të institucioneve të shtetit amë, Shqipërisë dhe të Kosovës, për veprim të unifikuar të përbashkët, kërkon që në zgjedhjet vendore për këshilltarë në KK të Tuzit, të kemi përfshirjen e të gjitha subjekteve politike shqiptare, të cilat veprojnë në trevat e Malësisë, të dalin me një listë të përbashkët zgjedhore. Pra, këtu, në listën zgjedhore të përbashkët është e pakapërcyeshme dhe e palogjikshme, duke lënë anash sjelljet dhe veprimet e disa subjekteve – individëve në të kaluarën, mos të jetë edhe LD në MZ pjesë e koalicionit gjithëpërfshirës.
Për të gjitha këto arsye dhe të tjera që nuk i cekëm mendojmë se ende ka kohë që të reflektohet në këtë drejtim.
Nisma e mbarë e politikbërjes shqiptare duhet të tregohet në vepër e momenti është tani, në këto zgjedhje vendore për zgjedhjen e këshilltarëve në KK së Tuzit.
Në fund shtojmë me plot sinqeritet dhe jemi të bindur se rezultati me LD në MZ-në, me përfaqësuesit e saj në listën gjithëpërfshirëse zgjedhore, do të jetë më i mirë.
SHËRBIMI PËR INFORMIM
KRYETARI,
Saubih Mehmeti