Hajrullah Hajdari, POZITA KUSHTETUESE-JURIDIKE DHE POLITIKE E SHQIPTARËVE NË MAL TË ZI NGA VITI 1945-1990, Art Club, Ulqin, 2021
Nga Nali Draga
Trajtimi i temave që kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi, janë inspiruese për autor të ndryshëm, që është dëshmuar me botime të veçanta në këto tre dekadat e fundit. Kemi të bëjmë me kohën e pluralizmit ku autor të profileve të ndryshme kanë trajtuar e botuar artikuj, studime e botime me vlerë nga fusha e shkencës, letërsisë, kulturës e publicistikës.
Në kuadër të tyre autorëve bën pjesë edhe Hajrullah Hajdari i cili pas tre librave të botuar deri më tash “Shqiptarët në Mal të Zi nga Kongresi i Berlinit deri më 1941”(2016), “Ulqini në dokumentet malazeze nga viti 1880 deri më 1915”(2018), “Pronat dypalëshe të shqiptarëve në të dyja anët e kufirit Shqipëri – Mali i Zi”(2019) dhe se fundit opinionit i prezantohet me botimin me titull “Pozita kushtetuese-juridike dhe politike e shqiptarëve në Mal të Zi nga viti 1945-1990” botuar nga Art Club-i në Ulqin.
Libri paraqet periudhën e socializmit përkatësisht të ideologjisë komuniste, deri më dështimin e këtij rëndi shoqëror në vitin 1990, kur këtu u miratu në praktikë pluralizmi politik. Kemi të bëjmë me një periudhë kohore e cila në rrethana të reja proklamonte barazinë shoqërore në një mjedis shumëkombësh siç ishte shteti i përbashkët me emrin Jugosllavi, ku bënte pjesë edhe Mali i Zi. Në këtë ish republikë shqiptarët ishin popullsia e vetme jo sllave, andaj kanë sfiduar rrethanat e kohës për të mbijetuar, sepse ndonëse në spektrin formal-juridik shqiptarët ishin të barabartë si qytetarët e tjerë, por praktika tregonte të kundërtën, ata ishin të diskriminuar, sepse nuk ka ekzistuar vullneti politik i pushtetit për barazi qytetare e nacionale.
Mos investimi në viset shqiptare, infrastruktura e pavolitshme dhe papunësia ishte parakusht për emigrimin e shqiptarëve në botën e jashtme, duke mbetur plagë e pasherueshme deri në ditët tona. Me një fjalë kemi të të bëjmë me një pastrim të heshtur etnik, përkatësisht me shpopullimin e vendbanimve shqiptare, që dëshmohet nga burimet statistikore. Ndërsa nga të dhënat që i prezenton autori për shqiptarët sipas regjistrimive të popullsisë (1948-1981), del qartë se kemi të bëjmë me flasifikim të te dhënave për shqiptarët sipas vendbanimeve sepse numri i shqiptarëve ka qenë më i lartë se sa e ka paraqitur statistika zyrtare. Ndërsa të dhënat e prezantuara për gjoja deklarimin e popullsisë si malazeze në vendbanimet shqiptare ku nuk ka pasur asnjëherë të tillë, dëshmon falsifikimin e të dhënave me dirigjimin të pushtetit, me parapavi politike duke i paraqitur shqiptarët me pjesëmarrje sa më të ulët në kuadër të popullsisë së përgjithshme.
Autori librin e ka ndarë në shtatë pjesë, duke i trajtuar me qasje shumëdimensionale çështjet preokupuese për popullsinë shqiptare në Mal të Zi. Të dhënat e prezantuara, përveç konsultimit të literaturës përkatëse bien në sy dokumentat arkivore, të cilat opinionit i prezantohen për herë të parë. Duke lexuar këtë libër çdo kush e ka të qartë se sa ka qenë vështirë të jetohet si shqiptarë, sepse pushteti ideologjik ndaj shqiptarëve kishte standarde të dyfishta, ku në mënyrë përfide luftonte identitetin kombëtar shqiptarë. Ishte koha kur individet të cilët ishin në mbrojtje të identitetit kombëtare për barazi gjuhësore, arsimore e kulturore cilësosheshin si të pa përshtashëm dhe madje armiq të pushtetit, ku të dhënat e ofruara në këtë aspekt janë të mjaftueshme për të dëshmuar një konstatim të tillë. Një dukuri e tillë është e njohur për të gjithë shqiptarët, ndërsa përjashtim bëjnë të rinjët të lindur pas vitit 1980, sepse ata nuk mund ta imagjinojnë se kanë ekzistuar raporte të tilla shoqërore për ta kuptuar mbijetesën dhe sfidat e shqiptarëve në këtë përiudhë kohore.
Periudha kohore e trajtuar në këtë libër ka të bëjë me ideologjinë komuniste e cila, në mënyrë formale, bazohej në principet e barazisë nacionale për të gjithë por në praktikë ishte krejt ndryshe. Sepse barazia nacionale për të gjithë ata popuj të cilët morën pjesë në luftën për çlirimin e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore nga okupatorët mbeti vetëm premtim, që u dëshmu me tkurrjën e të drejtave nacionale të pakicave kombëtare, ku shqiptarët në Mal të Zi, ishin shëmbull tipik i këtij konstatimi. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe sepse sistemi shoqëror-politik i vendosur në territorin e Malit të Zi pas Lufës së Dytë Botërore, ka pasur të gjitha karakteristikat e pushtetit totalitar, me bazament ideologjinë politike.
Duke lexuar këtë libër del qartë se në kuptimin formal-juridik, shqiptarët i gëzonin të drejtat dhe liritë qytetare si të gjithë qytetarët tjerë, por kontestuese ka qenë realizimi praktik i veçorive kombëtare të popullsisë shqiptare që ka të bëjë me gjuhën, arsimin, kulturën dhe simbolet kombëtare që ishin të palejuara, nga del se kemi pasur diskriminim në realizimin e të drejtave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Duhet cekur se shteti i ish Jugosllavisë ka pasur standarde të dy fishta kur janë në pyetje shqiptarët, sepse ndryshe veprohej me italianët e hungarezët në Slloveni e Kroaci e ndryshe me shqiptarët në Mal të Zi. Kemi të bëjmë me mungesën e vullnetit politik të pushtetit sepse ndaj shqiptarëve në Mal të Zi si dhe ata në Maqedoni pushteti bënte eksperimente që më pas do të aplikohej në Kosovë, që është dëshmuar pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë.
Një veprim i tillë destruktiv pushtetit i ka shërbyer edhe fakti se përmbajtja e dispozitave ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut nuk janë përfshirë sa duhet në kushtetutën vendore dhe dispozitat tjera ligjore. Pikërisht nga një qasje e tillë në ish Jugosllavi nuk janë miratuar standardët ndërkombëtare për pakicat kombëtare, sepse këtu ekzistonte qasja ideologjike me parullën e „vëllazërim-bashkimit“, e cila ishte mashtrim përfid për opinionin e brendshëm dhe të jashtëm.
Pikërisht nga një qasje e tillë duhet analizuar pozitën kushtetuese-juridike dhe politike te shqiptarëve në Malin e Zi, gjatë vitëve 1945-1990, nga del se shqiptarët si popullsi autoktone, dhe e vetmja jo sllave kanë qenë të pabarabart me pjesëtarët e popujve të tjerë në Mal të Zi. Në rrethana të tilla shoqërore ku hegjemonizmi ishte orientim i politikës shtetërore shqiptarët nuk kishin të drejtë të kenë asnjë dokument në gjuhën shqipe, as përdorimin e shkrimin me alfabetin shqip në letërnjoftim e as në dëftesat e librezat shkollore, që ishte diskriminim klasik i pabarazisë kombëtare, që zgjati deri në vitin 1968.
Por, të drejtat e arritura nga viti 1968 e më pas, në sajë të fushatës antishqiptare nga viti 1981 u eliminuan, sepse pushteti luftonte gjoja „nacionalizmin“ të shqiptarët në Mal të Zi, që ishte një demagogji politike për të arsyetuar masat represive ndaj shqiptarëve.
Një fushatë e tillë u realizu në veçanti në fushën e arsimit, ku përmes organizimit të seminarit për punjonjësit e arsimit në gjuhën shqipe në shtator të vitit 1981, në Ulqin, u realizu në praktikë politika shtetërore antishqiptare. Pas këtij seminari u ndryshuan përkatësisht u imponuan programët mësimore, u larguan nga përdorimi tekstët shkollore të botuara në Kosovë, u ndalu përdorimit i flamurit kombëtar shqiptar etj. Skenaristët dhe regjisorët e këtij seminari vendosën dhe përjashtuan një numër të konsideruar të punonjësëve të arsimit fillimisht nga partia, ndërsa një pjesë e larguan nga puna, por ma keq e pësuan disa të cilët i burgosën e me pas i dënuan përmes gjyqëve të montuara politike.
Në lidhje me këto çështje autori ofron të dhëna arkivore të cilat botohen për herë të parë, duke dëshmuar se nga policia politike përcillej çdo shqiptar me ndërgjegje e vetëdije kombëtare i cili nuk ishte sipas shijes së pushtetit dhe ideologjisë së tyre politike. Ishte kjo koha e mbijetesës së shqiptarëve e cila vazhdoi deri më dështimin e sistemit shoqëror të ideologjisë komuniste në vitin 1990.
Kemi të bëjmë me një periudhë kohore(1981-1990) ku jemi dëshmitarë okular, sepse përcillëj çdo shqiptarë i dyshimtë për pushtetin, ku thirrëshin në biseda informative, kërcënoheshin, paraburosëshin, dënoheshin për kundërvajtje, apo me burg, bastisëshin shtëpitë, iu merrnin librat në bibliotekat familjare, përcillëshin udhëtarët në autobus, biseda në kafene, tubime familjare, dasma, kush cilat gazeta lexon, përcillëj posta(letra, telefoni), cilat këngë këndohën e dëgjohën, kush përcjellë programin e TVSH etj. Veprimet e tilla ishin në favor të arsyetimit për masat represive ndaj shqiptarëve, gjoja të luftimit të “nacionalizmit” shqiptar në Mal të Zi. Pasi për këtë përiudhë kohore ekziston lëndë e mjaftueshme duhet të realizohet një botim të veçantë, që do të ishte në favor të demaskimit të politikës antishqiptare me pasoja në atë kohë e deri në ditët tona.
I vetëdijshëm se nuk kemi të bëjmë me çështje personale por me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi për periudhën kohore 1945-1990, autori ofron të dhëna me interes të cilat trajtohen, analizohen dhe publikohën për herë të parë. Ndërsa shfrytëzimi i lëndës arkivore jo vetëm për nga forma dëshmon për qasje profesionale për çështjet e trajtuara.
Dhe në fund e them pa hezitim se ky botim me vlerë i fushës historiko-juridike e unë them edhe nga sociologjia politike do të jetë nxitje për studiues të ndryshëm, për të vazhduar hulumtimet sipas profilit të tyre profesional e si i tillë do të jetë referencë e nevojshme për të gjithë ata që do të trajtojnë rrethanat shoqërore e politike për shqiptarët në këtë mjedis për këtë periudhë kohore.
(Lexuar më rastin e përurimit të librit në Ulqin, më 2 dhjetor 2021)