Libër për krimet e Serbisë në Kosovë
Jusuf Osmani, KRIMET E SERBISË NDAJ FËMIJËVE NË KOSOVË 1998-1999, Botoi: Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Prishtinë, 2013
Në sajë të dhënave të prezantuara ky libër dëshmon për politikën serbe e cila ishte patologjike ndaj shqiptarëve me përmasat e gjenocidit, me qellimin final spastrimin etnik të Kosovës. Një ide e tillë ndaj shqiptarëve nuk është e kohës së re, por nga shek.XIX, ku daton strategjia politike e ekspansionizmit serb, e cila solli tragjedi të mëdha regjionale, ku shqiptarët e përjetuan dekada me radhë, duke përfunduar me luftën e vitit 1999.
Nail Draga
Çdo botim për krimet e serbëve në Kosovë është në favor të demaskimit të politikës gjenocidale të tyre ndaj shqiptarëve, që duhet të jetë angazhim i studiuesëve të profileve të ndryshme, ku edhe botimi i Jusuf Osmanit “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998-1999”, është në favor të trajtimit shkencor të kësaj teme duke ia prezantuar opinionit të gjerë.
Në këtë libër në pika të shkurtëra është paraqitur pjesa hyrëse , krimet e Serbisë në Kosovë më 1988-1999, krimet ndaj fëmijëve, regjistri i fëmijëve që pësuan në luftë, të vrarë e të zhdukur dhe të dhëna të tjera.Me një fjalë kemi të bëjmë me të gjitha llojet e krimeve ndaj shqiptarëve të paraqitur në mënyrë tabelare për të gjitha komunat në Kosovë.
Gjenocidi serb dhe dhuna e ushtruar nga formacionet ushtarako-policore dhe paramilitare mbi popullin e Kosovës ka përmasa shumë më të mëdha se sa e tregojnë të dhënat dhe hulumtimet e deritanishme. Sepse ata vranë, masakruan, zhdukën, dhunuan, dëbuan dhe deportuan popullsinë civile shqiptare, i plaçikten, i dogjën dhe rrënuan shtëpitë, objketët fetare, shkollore, kulturore, ekonomike, si dhe vendbanime të tëra shqiptare, me mision spastrimin etnik.
Veprime gjenocidale të serbëve
Duke lexuar këtë libër nuk se si të mos tronditësh, kur para vetës ke shumë fakte autentike të cilët dëshmitarët i kanë përjetuar, nga veprimet gjenocidale të pushtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë. Është meritë e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij të cilët kanë kanë ofruar të dhëna për të gjithë territorin e Kosovës, duke dëshmuar me emër e mbiemër, për aq sa kanë pasur mundësi të informohen për krimet serbe ushtarake, policore e paramilitare.
Dhe nga të dhënat e tilla del se janë vrarë 11.840 shqiptarë, që përfshin periudhën mars 1998 dhe qershor 1999,(pa u përfshirë në këtë numër të pagjeturit apo të zhdukurit) ku në mesin e tyre llogaritën të vrarë 1,392 fëmijë apo 11% nga viktimat totale ishin fëmijë. Duhet cekur edhe faktin se nga 1.392 fëmijë të vrarë 296 prej tyre kanë qenë nën moshën 5 vjeçare. Nga numri i përgjithshëm i viktimave prej tyre ishin 1.741 femra, ndërsa dëshmorë kanë rënë 2.261, e në mesin e tyre edhe 68 dëshmorë nga Shqipëria. Po ashtu duhet cekur se janë dhunuar 20.400 femra shqiptare.
Shkatërrimi i objektëve
Shtëpi të shkatërruara-dëmtuara të popullatës shqiptare janë 100.589, shkolla të shkatërruara-të dëmtuara me dokumentacion 358, Zyra të vendit 71, shtëpi kulture 30, Biblioteka publike e shkollore 93, objekte shëndetësore 123, objekte fetare(xhami, teqe, tyrbe)215, kisha katolike 5, objkete ndihmëse-përcjellëse 88.101.
Dëbimi biblik i shqiptarëve
Përveç kësaj në Kosovë kanë rezultuar të dëbuar nga shtëpitë e tyre rreth 1.5 milion shqiptarë, e nga to mbi 1 milion jashtë Kosovës. Sipas të dhënave të UNCHR, në fillim të qershorit 1999, nga refugjatët prej Kosove ishin dëbuar: 443.000 ishin vendosur në Shqipëri, 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi, 21.700 në Bosnjë e Hercegovinë, gjithsej 782.100. Në vendet tjera të botës u vendosën gjithsej 76.475 e nga to 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj edhe në vende të tjera si në Itali, Norvegji, Francë, Suedi, Zvicër, Izrael etj.
Ishte ky një dëbim biblik i shqiptarëve, realizuar në kohën moderne, që përmes mediave i është prezantuar opinionit botëror, që ishte dëshmi e politikës serbomadhe për realizimin e projektit të tyre ekspansionist kundër shqiptarëve. Por, ndaj një dëbimi të tillë reagoi faktori ndërkombëtar të prirë nga NATO-ja që e detyroi të kapitulloi agresionin serb duke çliruar Kosovën(12 qershor 1999) dhe vendosur në protektoiratin ndërkombëtar, deri me shpalljen e pavarësisë së saj me 17 shkurt 2008.
Muzeu i gjenocidit obligim historik
Ngjarjët e ndodhura dhe të përjetuara janë obligim për studiuesit dhe të gjithë indvidët e ndryshëm qe e kanë pasion për të shkruar historinë tonë, duke u bazuar në fakte për të dëshmuar të vërtetën. Sepse ka ndodhur ajo çka është shkruar si kudo në botën e qytetëruar e jo të merremi me improvizime të rastit.
Në libër ofrohen të dhëna për krimet serbe ndaj fëmijëve që pësuan në luftën e fundit nga agresioni serb, si një nder krimet me të rënda kundër njërëzimit, ku ndonëse ata janë të mbrojtur nga dhuna me të gjitha normat ndërkombëtare, e posaçërisht në luftë, por, për kriminelet serb dhe urdhërdhënësit e tyre çdo gjë ishte e kotë, sepse ata si mision kishin spastrimin etnik të Kosovës.
Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me masakra me përmasat e gjenocidit nga ana e serbëve kundër shqiptarëve për një periudhë të gjatë kohore(nga viti 1877/78 e më pas 1912/13, 1918/1941, 1945/1966, 1981/1989 dhe së fundit nga 1990/1999), është obligim moral dhe historik i pushtetit në Kosovë, që në Prishtinë të ndërtohet muzeu i gjenocidit serbkundër shqiptarëve, duke qenë dëshmi për kohën tonë dhe ata që do të vijnë pas nesh.
Krimet nuk vjetrohen
Pasi krimet kundër njerëzimir nuk vjetrohen është obligim i pushtetit dhe të institucionëve të Kosovës, të përgatisin dosjet dhe të ngrisin padi ndaj kriminelëve dhe urdhërdhënësve të tyre para gjyqit vendor dhe ate ndërkombëtar, për krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë luftës 1998-1999. Një veprim i tillë është obligim moral ndaj viktimave dhe familjeve të tyre, si kudo në botën e qytetëruar.
Përfundimisht ky botim duhet të jetë mesazh për të gjithë, për të ditur të kaluarën dhe të tashmën si mision për të mos e harruar, sepse popujt e qytetëruar mësojnë nga e kaluara për të mos iu përseritur në të ardhmën.