LIBËR UNIKAL I REFLEKTIMIT GËRSHETUES TË PROZËS DHE POEZISË

Mbi librin me poezi e skica letrare “Mos e prek” të autores Kaltrina Hoti

Nga: Shaban HASANGJEKAJ

Aderuesit shqiptarë të fjalës së shkruar letrare, kanë në duar edhe një libër të poetes e publicistes, por edhe të piktores së mirënjohur nga Hoti i Kujit të Komunës së Plavës, zonjës Kaltrina Hoti, e cila pas plotë 30-të vjetësh (1988-2018) të kaluara në SHBA, i është kthyer vendlindjes së dashur dhe stërgjyshore, për të vazhduar jetën dhe punën në krijimtarinë letrare e artistike.

          Fjala është për librin me titull mjaft simbolik “Mos e prek”, për një libër të rrallë, ndoshta si të tillë, edhe të paktë në letërsinë tonë. Të paktë për nga përmbajtja, për nga cilësia, për nga veçoria, për nga tematika, por edhe nga forma. Një libër që jo vetëm nuk shkruhet, por një libër që flet edhe atëherë kur lexohet, një libër që lexohet edhe atëherë kur nuk flitet, sepse këto dy mendësi artistike janë gërshetuar aq bukur dhe kanë një kontinuitet të pashkëputur në të lexuar e në të folur, sa lexuesi, vlerësuesi e kritiku e lexojnë me ëndje, admirim dhe përkushtim.

          Përmbledhja me poezi dhe skica letrare “Mos e prek”, është vazhdimësia e librave të tjerë, më parë të botuar në gjuhën shqipe, dhe libri i parafundit, i botuar para vëllimit më të ri me poezi me titull “Vrapo pas diellit”, përurimi i të cilit është bërë në Shtëpinë e kulturës në fshatin Vuthaj të Komunës së Gucisë, më 31 korrik 2019, me rastin e promovimit të bibliotekës së saj.

          Librin “Mos e prek” të autores Kaltrina Hoti, e ka botuar SHKAL “Naim Frashëri”, në Prishtinë, redaktor i të cilit është Safet Hyseni, lektor Lan Qyqalla, recensent: Fatmir Mingulli e Asllan Qyqalla, kopërtinën e formësoi Dibran Fylli. Është shtypur në Shtypshkronjën “Meshari” në Drenas, Prishtinë, në vitin 2017, dhe përbëhet prej 114 faqesh.

          Autorja Kaltrina Hoti, poezitë e përfshira në libër i ka ndarë, radhitur dhe sistemuar në tri cikle: 1. “Nesër është sot”, ku janë përfshirë 13 poezi, 2. “Nata palohet”, me 19 poezi, dhe 3. “Mos e prek”, me 22 poezi, i cili edhe fillon me poezinë “Mos e prek” në faqen 88 të librit, sipas të cilës librin e ka titulluar, e nga e cila po shkëpusim ca vargje: mali është nga gurët e bekuar/ unë jam mal/ që duket si gur/ por nëse më prek jam akull/ nuk të ftohi/ shpërthejë zjarr/ nuk të djegi/ por të ngri.

          Për dallim nga veprat tjera, autorja në këtë libër ka arritur të krijojë stilin e vet të lirë, kur luan magjishëm me bukurinë e fjalës dhe fuqinë e saj, që është një kombinim i prozës dhe poezisë, që dëshmon për talentin e pakufishëm në pushtimin e hapësirave të shumta. Ajo me fjalën e bukur dhe mënyrën e saj se si e përcjellë, bën joshjen e lexuesit deri në thellësi të shpirtit, kthjellim dhe përvetësim të të mirave që ofron atdheu, për ndriçimin e identitetit dhe ushqimin që duhet të ketë në tryezën e madhe të dashurisë njerëzore.

          Poezitë në këtë libër, edhe pse të ndara në cikle, komunikojnë bukur dhe pandashëm me njëra-tjetrën përmes dashurisë, fuqisë së fjalës, ngjyrës… ku ajo me kujdes i ruan, kështu që, kapërcimi nga një cikël në tjetrin as që hetohet. Poezitë rrjedhin si një ujëvarë, ku vetëm me një shikim shkuma e saj freskon edhe në largësi. E gjithë kjo valëzon nëpër tre ciklet ku sërish kemi atë lojën e fjalës me mendimin atdhe, dashuri, identitet, lojë me kërkim të lirisë së plotë. Në këtë vepër autorja Kaltrina Hoti, ka avancuar mendimin rreth atdheut si shtrat i jetës, i dashurisë, si sublime e shpirtit dhe identitet, si domosdoshmëri për të përjetësuar e plotësuar detyrimet ndaj së parës dhe për të jetuar të dytën. E para jeta, e dyta përjetësia.

          Për autoren e librit “Mos e prek”, zonjën Kaltrina Hoti, pa ngurrim dhe me plot gojë mund të thuhet shumë, por ma e mira është se po të fillosh ta lexosh, ajo të nënshtron dhe të bën të ndjekësh në çdo fjalë e varg, për të thithë më të mirën e njerëzores. Dihet se shkrimtari kur shkruan, ka një shkak, ai gjithsesi me lojën e fjalëve dhe arsyetimin e vargut, don të emancipojë mendimin, shoqërinë, gjuhën, kombin.

          Për dallim nga librat tjerë, kësaj radhe, autorja Kaltrina Hoti, na befason me cilësinë e prozës së shkurtër – skicën letrare, shtjellimin e saj dhe ruajtjen e temës së dashurisë në 27 tituj, që japin dhe marrin nga njëra-tjetra, për t’na mrekulluar ideja atdhetare, kuvendi i fjalës, tryeza e fisnikërisë, dashuria si madhështi e tokës ku ka lindur, si dhe shkëlqimi i artit në brendësi. Në këto tregime të shkurtra filozofike shkrimtarja ka ndërtuar në thellësi të mendimit popullor, mendim i emancipuar në shekuj, për t’na bindur për vlerat e trashëguara nga lashtësia, të bartura me shumë kujdes në kuvende, që nga Teuta, e deri në ditët e sotme.

          Proza – skica letrare, e Kaltrina Hotit, në librin “Mos e prek”, vjen papritmas para lexuesve, si një tablo me përmasa të mëdha në hapësirën e mendimit, por edhe në kuptimin tredimensional. Tabloja hapet (fillon) me prozën poetike “Porta etnike”, nga e cila shkëpusim sa vijon: “A thua, ‘ku është Porta jonë?’ Porta e ditës së sotme./ E ajo ku duhet të përshkohemi të marrim betimin pse s’u bë?!/  E di. Porta është në mendjen e trashëgimisë, ka ecur nëpërmes të gjurmëve, të yjeve, hënës dhe diellit./ Qielli i shpalosi portat e fjalës më të vjetër shqiptare”.

          Proza e Kaltrina Hotit e përfshirë në libër, është qiellore me imazhe të pikturuara, me fjalë të pakta, por me shumë mendim. Në prozat e saj ka shumë ide, kur të habitë stili lakonik, figura letrare ku mbretëron antiteza dhe larmia e aspekteve të jetës. Në prozën porta etnike, autorja me dinjitet shprehet: “Dikur ishim fëmijë të Ilirëve, e tani jemi copat e stuhisë së turbulluar”, ku automatikisht ajo kërkon ndërtimin e portës së re. Autorja Hoti, jo vetëm që kërkon Shqipërinë e re, por flet edhe për vështirësitë e jetës për çdo shqiptar mërgimtar.

          Libri “Mos e prek”, i autores Kaltrina Hoti, është përmbledhje me poezi, por edhe me prozë poetike, apo poezi prozaike, gërshetim e mishërim i të dy elementeve në frymën e muzës letrare. Gërshetim i suitës së Hotit, ashtu siç e derdhë ngjyrën në pëlhurën e pikturës, ashtu e përshkruan derdhjen e fjalëve në vargjet prozaike. Derdhë fjalët e bukura e të përzgjedhura shqipe, i lakon ato nëpër vargje, i thyen me mjeshtri, e ruan kompozicionin e nisjes, e begaton me larushinë leksikore, sikurse si shiu kur bie si me shtamba.

          Në krijimtarinë e vet letrare të përfshirë në librin e saj në fjalë, historinë e kthen tek zotërat Ilir, e kthen me mjeshtri, e kthen qetë, por bindshëm, e kthen jo për t’u krekosur në mbytjet egoiste e nacionale, por për mbamendje, për rikujtim të “zjarrit të guximit dhe avullit të fuqisë atdhetare”.

          Redaktori i librit, Safet Hyseni, në recensionin vlerësues të tij shprehet: “Duke lexuar librin më të ri të shkrimtares dhe piktores, Kaltrina Hoti, s’ke si të mos nxitohesh e të thuash, se arti dhe mendimi mund të bëhen bashkudhëtarë të denjë në një ide hyjnore, siç është atdhedashuria”. Ndërkaq, recensuesi i veprës, Fatmir Minguli, në recensionin e vet vlerësues thekson: “Të hysh në botën poetike, të poetes dhe piktores shqiptare, Kaltrina Hoti, do të thotë të hysh në shpirtrat e shumë shqiptarëve, jashtë e brenda trojeve shqiptare”. Kurse, kolegu i tij, prof. Asllan Qyqalla, pohon: “Autorja e librit, Kaltrina Hoti, është një artiste e madhe në pikturë, një letrare e madhe në pikturimin e poezisë, një poete e madhe në ngjyrimet poetike, një botë e madhe e fantazisë shpirtërore, intelektuale e patriotike”.

          Ndonëse poezia është art, që flet me ndjenjën dhe atë që mungon. Ajo lexohet për ta shijuar, por kur të jep frymë e shkëlqim në sy, dita rrjedh me buzëqeshje. Poezia është edhe fjalë e bukur e një ndjenje që ka humbur turpin. Ajo është metaforë e menduar në qetësinë e mendjes dhe dallgët e shpirtit. Andaj, vargu i poezive të poetes Kaltrina Hoti, të bën të ndihesh i lehtë dhe i lumtur.

          Përndryshe, edhe pse e afirmuar dhe e mirënjohur në opusin e krijimtarisë letrare dhe të artit pamor – pikturës, zonja Kaltrina Hoti, për aderuesit dhe dashamirët e fjalës së shkruar letrare dhe të artit figurativ deri në Takimet e XLII të Plavës dhe të Kolonisë së XVII figurative të mbajtura së bashku më 24-26 nëntor 2018, kur në Takimet letrare u prezantua me dy poezi, dhe në Koloninë figurative me ekspozitën e pavarur me 13 piktura, në territorin e komunave Plavë e Guci, pothuajse fare nuk ka qenë e njohur. Pjesëmarrja e saj në manifestimet e sivjetme, në Takimet e XLIII letrare me dy poezi dhe në Koloninë e XVIII me tri piktura, padyshim e bëri më të njohur dhe më të popullarizuar ndër bashkëvendësit e saj në Plavë e Guci, por edhe më gjerë.