ot, më 14 Prill 2024, gjatë një vizite tek Njësia Speciale Policore “Kobra”, presidenti serb Aleksandar Vuçiq bëri një deklaratë publike kërcënuese ndaj shqiptarëve etnik në Luginë të Preshevës, duke deklaruar se “secili që punon kundër Kushtetutës së Serbisë do të arrestohet menjëherë.”
Vuçiq e bëri këtë deklaratë, gjersa njoftoi se nesër do takohet me Milorad Dodik, president i Republika Srpska.
Dodik është në listën e zezë të SHBA-ve dhe konsiderohet si kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
“Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane (AACL) është tejet e brengosur për këtë kërcënim publik të Vuciqit dhe efektet potenciale ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Liga Qytetare ka punuar me liderët e Luginës së Preshevës për mbi dy dekada rresht për të sjellë në vëmendjen e liderëve të politikës së jashtme të SHBA-ve çështjen e tyre”, thuhet në reagim.
Ky kërcenim publik i Vuçiqit vije një ditë pas takimit të Ligës Qytetare me delegacionin nga Lugina e Preshevës në New York në përbërje prej Shaip Kamberit, Nagip Arifit, Ardita Sinanit e Ragmi Mustafit.
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane dënon ashpër kërcënimin publik të Vuçiqit kundrejt shqiptarëve etnik në Luginë të Preshevës.
“Ne do të vazhdojmë punën tonë me Anëtarët e Kongresit të SHBA-ve dhe me organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në SHBA dhe Evropë për t’u siguruar që shqiptarët në Luginë assesi të mos mbesin në mëshirën e regjimit antidemokratik të Vuçiqit”, vijon tutje reagimi.
“Ne i bëjmë thirrje të gjitha organizatave relevante ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si dhe Ambasadës së SHBA-ve në Beograd, të adresojnë këtë situatë të tendosur. Shqiptarët etnik në Luginë të Preshevës janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë dhe përpjekja e tyre për të drejta kombëtare dhe drejtësi nuk mund të injorohet më”, thuhet në reagimin e nënshkruar nga Joe DioGuardi – President, Shirley Cloyes DioGuardi – këshilltare për çështje të Ballkanit.