Bartësi i Listës Shqiptare , Nik Gjeloshaj, deklaroi se pjesëmarrja në bashkeqeverisje do të kushtezohet me buxhetin shtetnorë në investime në Komunat shqiptare.
Gjeloshaj, rikujton se Buxheti i shtetit të Malit të Zi për vitin 2020 është 1,704,989,611.95 €.
“Kushti kryesorë që Lista shqiptare do të ketë për të marrë pjesë në qeverisjen e ardhshme, është ndarja e përqindjes së caktuar nga Buxheti i shtetit për investimet kapitale në Komunat shqiptare.
Vetëm për zhvillimin e bujqësisë, zhvillimin rural dhe të peshkimit, në Buxhetin e shtetit të Malit të Zi, janë paraparë 20.837.500,00€. Do të thotë, kushti ynë do të jetë që për Komunat shqiptare, të ndahet përqindje e mjaftueshme edhe nga agrobuxheti shtetëror për përkrahjen e bujqve dhe subvencionimin e prodhimeve të tyre.
Ashtu siç kemi vepruar në Komunën e Tuzit, që kemi planifikuar e ndarë 200.000 euro për subvencionimin e bujqësisë, me marrjen e drejtimit të komunave të tjera shqiptare, e posaçërisht atë të Ulqinit, do të bëjmë të njëjtën gjë, duke ndarë buxhetin për të subvencionuar bujqësinë dhe bujqit e kësaj komune.
Gjithashtu, është më se e kuptueshme që nuk ka zhvillim të turizmit pa investime kapitale dhe përmirësim të infrastrukturës.
Kryesuesi aktual i Komunës së Ulqinit, nuk ka arritur që të tërheq asnjë investim kapital, ndërsa ne do të jemi ata që do të sjellim zhvillimin ekonomik të Ulqinit dhe të gjitha zonave ku jetojnë e veprojnë shqiptarët, sepse të gjitha potencialet njerëzore dhe natyrore i kemi.
Këto do të jenë kërkesat themelore tonat, pasi vetëm në këtë mënyrë, rrisim investimet, përmirësojmë infrastrukturën dhe mbi të gjitha, hapim vende të reja të punës duke i ofruar rinisë shqiptare që të jetojë e punojë në vend të vet.
Nuk do të kërkojmë poste politike me pozita shterpë, nuk do të kërkojmë beneficione personale, ne do të kërkojmë zhvillim ekonomik dhe investime kapitale.
Ne dimë ta zhvillojmë vendin, dhe për këtë kemi Plan dhe Program të zhvillimit ekonomik, e mbi të gjitha, ne këtë e kemi dëshmuar”, deklaroi Gjeloshaj.