Dje u bë një vit nga paraqitja e parë zyrtare e kompanisë Eagle Hills për të investuar në territorin e Komunës së Ulqinit përmes tenderit për dhënien me qira të plazheve në Plazhin e Madh.
Gjatë kësaj periudhe kemi qenë dëshmitarë të aktiviteteve të nxituara dhe intensive të Qeverisë së Malit të Zi dhe Kuvendit të Malit të Zi për aprovimin e Marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për investime në patundshmëri dhe turizëm. Nga ana tjetër, kemi arritur unitet në komunën tonë, me një qëndrim të qartë dhe të përbashkët të qytetarëve dhe komunitetit lokal në mbrojtjen e interesave të brezave të ardhshëm.
Pritet që Gjykata Kushtetuese e Malit të Zi me 16 mars do të marrë një vendim përfundimtar mbi përputhshmërinë e Marrëveshjes me Kushtetutën e Malit të Zi.
Ritheksojmë se Marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe është në kundërshtim me Kushtetutën, për çka kemi paralajmëruar që nga fillimi.
Jemi të bindur se Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të bazuar në të drejtën dhe drejtësinë, duke mbrojtur para së gjithash interesat e shtetit dhe të komunitetit lokal, dhe jo duke u udhëhequr nga interesa politike, ekonomike apo interesa të tjera të individëve ose grupeve.
Publiku është me të drejtë i interesuar të dijë se si do të vendosë instanca më e lartë gjyqësore në vend.
Presim që vendimi të jetë në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjeve të Malit të Zi, si dhe të interesave të qytetarëve dhe të së ardhmes së vendit.
Lufta për Plazhin e Madh nuk është kundër zhvillimit, por për një zhvillim të ligjshëm, të qëndrueshëm dhe të drejtë.
Me respekt,
Genci Nimanbegu