Malazezët i presin pyjet e Kosovës? (VIDEO)

Banorët e fshatrave Bogë dhe Stankaj të Rugoves po ankohen se malazezët po hyjnë në pronat e tyre dhe po ua vjedhin drunjtë.

Arif Demaj thotë se 25 drunj iu morën ditë më parë, derisa sipas 98 vjeçarit këtë hajnave nga vendi fqinj ua ka mundësuar demarkacioni.

“100-200 metra kanë hi në territorin tonë dhe e kanë pre malin. Nuk na ka marrë mendja që del dikush atje me pre dru, po derisa i kena hetu na ata i kishin bart”, tha Demaj.

Por, sipas kryetarit të fshatit, Flamur Rexhbogaj, ata po e shfrytëzojnë edhe kohën me borë.

Banorët kërkojnë që sa më shpejt shteti të reagojë, ose do të detyrohen që tokat e tyre t’i ruajnë vet.

Sipas policisë, patrulla kufitare ka dalë në vendin e ngjarjes më 5 dhjetor dhe për këtë rast e ka lajmëruar Agjencinë e Pyjeve.

Nga Agjencia e Pyjeve thanë se për këtë problem institucionet vendore duhet të komunikojnë me ato të Malit të Zi, pasi agjencia nuk e ka asnjë bashkëpunim me shtetin fqinj.