Mali i Zi, dalëngadalë, por sigurt, drejt normalizimit të jetës

Gjendja epidemiologjike në Mal të Zi është në normalizim e sipër. Ndikimi dhe influenca e koronavirusit është në zbehje dhe rënie graduale. Raste të reja të prekura me virusin Covid-19, pothuajse nuk ka. Në 10 ditët e fundit është regjistruar vetëm një rast. Numri i të shëruarve është në rritje të përditshme. Më se tri të katërtat e numrit total të të infektuarve deri më tani janë shëruar. Edhe numri i viktimave fatbardhësisht është minimal. Vetëm një i vdekur në 10 ditët e fundit.

Parametrat në fjalë dëshmojnë se situata epidemiologjike është e volitshme, stabile e nën kontroll dhe se Mali i Zi dalëngadalë, por sigurt hapëron drejt normalizimit të jetës.

Konstatimin e sipërshënuar në një masë e argumentojnë edhe rezultatet e fundit të Institutit për shëndetin publik, të cilat tregojnë se në 149 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të tij, gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi, në dy intervalet kohore: 08:30-18:00 (në 43 të testuar) dhe 18:00-08:00 (në 106 të testuar), nuk është regjistruar asnjë rast i ri i diagnostifikuar pozitiv në virusin Covid-19.

Ndonëse në testimet e fundit nuk janë regjistruar raste të reja, numri total i të infektuarve me koronavirus, prej rastit të parë e deri më sot, mbetet ai i ditës paraprake 322, prej të cilëve 59 fëmijë dhe të rinj të moshave 0-19 vjeçare.

Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-164,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Të dhënat e fundit të Institutit për shëndetin publik konfirmojnë se gjendja epidemiologjike në Mal të Zi ka këta parametra:

– Gjithsej të infektuar deri më tanë me virusin Covid-19 janë 322 persona;

– Të shëruar deri më tani, gjithsej 249 persona (9 prej të cilëve janë shpallur të shëruar në 24 orët e fudnit);

– Numri total i të vdekurve prej dje (të shtunën) ka shkuar në 8, ngase një i sëmurë nga koronavirusi i moshës 63 vjeçare ka ndërruar jetë në Klinikën interne të Qendrës klinike në Podgoricë.

Paralel me rritjen e numrit të të shëruarve shkon edhe rënia (zvogëlimi) i numrit të të infektuarve aktiv, i cili momentalisht është 65.

Nga Qendra klinike e Malit të Zi bëhet me dije se në spitale janë të hospitalizuar 6 të sëmurë të prekur me koronavirus: 3 në Qendrën klinike në Podgoricë, 2 në Spitalin e Tivarit dhe 1 në atë të Beranit.

Në Klinikën infektive të Qendrës klinike në oksigjeno-terapi gjenden 2 të sëmurë, kurse në Klinikën interne për mjekim intensiv është 1 i sëmurë.

Në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, sipas të dhënave të organeve të tyre relevante, situata epidemiologjike ka këta parametra:

Në Shqipëri: 795 të infektuar, 531 të shëruar dhe 31 të vdekur;

Në Kosovë: 823 të infektuar, 336 të shëruar dhe 22 të vdekur;

Në Serbi: 9362 të infektuar, 1426 të shëruar dhe 189 të vdekur;

Në Kroaci: 2088 të infektuar, 1463 të shëruar dhe 77 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1839 të infektuar, 779 të shëruar dhe 72 të vdekur;

Në Slloveni: 1439 të infektuar, 241 të shëruar dhe 96 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1506 të infektuar, 852 të shëruar dhe 82 të vdekur.

Për faqen e Portalit “Plava e Gucia Sot”

Shaban Hasangjekaj