Sipas të dhënave të fundit të institucioneve kompetente ndërkombëtare që përcjellin gjendjen dhe pasojat nga pandemia Covid-19, Mali i Zi është shteti me numër më të vogël viktimash (të vdekurve) nga pasojat e virusit në fjalë. Deri më tani me fatalitet (me vdekje) kanë përfunduar dy persona.
Po ashtu, në Mal të Zi, numri i rasteve të reja të identifikuara me koronavirus është në zvogëlim të dukshëm.
Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në 109 mostrat e testuara në laboratorin mikrobiologjik gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi, në virusin Covid-19, pozitiv kanë rezultuar tre persona, të gjitha rastet janë nga Podgorica. Një sish është e kontakteve të konfirmuara, kurse për dy të tjera burimi i infektimit është në hulumtim.
Në 60 rastet e testuara dje, në intervalin kohor 08:45-17:45, nuk ka pasur raste me rezultat pozitiv në koronavirus, ndërsa në 49 testimet e kryera në intervalin kohor 17:45-8:45, pozitiv kanë rezultuar tre persona, të gjitha rastet janë nga Podgorica.
Nga të dhënat e sipërme, rrjedh se numri i të prekurve me virusin Covid-19 në Mal të Zi, ka arritur në 255 (140 meshkuj dhe 115 femra), prej të cilëve 43 janë fëmijë dhe të rinj: 14 të moshës 0-9 vjeçare dhe 29 të moshës 10-19 vjeçare.
Gjendja numerike e të prekurve nga koronavirusi Covid-19 në 11 komuna është:
Podgoricë-130,
Tuz-36,
Nikshiq-31,
Tivarë-21,
Ulqin-9,
Andrijevicë-7,
Bijello Pole-6,
Herceg Novi-6,
Budva-4,
Danillovgrad-3 dhe
Tivat-2.
Në konferencën e fundit për media, përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues për sëmundje infektive, kanë bërë me dije se 41 të prekur me virusin Covid-19 janë të hospitalizuar dhe trajtuar në spitale, 19 prej të cilëve në repartet gjegjëse të Qendrës klinike në Podgoricë, katër prej të cilëve për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore (të rrezikut për jetë) janë në përkujdesje intensive, të kyçur në respirator. Nga pasojat e koronavirusit dy persona kanë vdekur dhe pesë të shëruar janë përcjellur për trajtim të mëtejmë në shtëpi.
Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues, gazetarët dhe opinionin e kanë njoftuare se 20 punëtorë profilesh të ndryshme shëndetësore, nga institucionet e ndryshme shëndetësore të Malit të Zi, janë të infektuar me virusin Covid-19 dhe gjenden në izolim.
Edhe në shtetet e rajonit, nga pasojat e pandemisë Covid-19, gjendja është ende emergjente e alarmante, ku më shumë e ku më pak. Të dhënat e fundit dëshmojnë se numri i të prekurve, shëruarve dhe të vdekurve është evident.
Në Shqipëri: 416 të infektuar, 182 të shëruar dhe 23 të vdekur;
Në Kosovë: 227 të infektuar, 38 të shëruar dhe 7 të vdekur;
Në Serbi: 2867 të infektuar, 118 të shëruar dhe 66 të vdekur;
Në Kroaci: 1407 të infektuar, 219 të shëruar dhe 20 të vdekur;
Në Bosnje e Hercegovinë: 875 të infektuar, 118 të shëruar dhe 35 të vdekur;
Në Slloveni: 1160 të infektuar, 137 të shëruar dhe 45 të vdekur dhe
Në Maqedoninë e Veriut: 663 të infektuar, 37 të shëruar dhe 30 të vdekur.
Informon,
Shaban Hasangjekaj