Gjykata e Apelit e Malit të Zi e ka shfuqizuar vendimin, me të cilin 13 persona të akuzuar për përpjekje për terrorizëm, në ditën e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016, ishin dënuar me gati 70 vjet burg.
Ata akuzoheshin për pjesëmarrje në një përpjekje për grusht shteti kundër qeverisë pro-perëndimore në vitin 2016 dhe urdhëroi hapjen e një procesi të ri gjyqësor ndaj tyre, shkruan Zeri i Amerikes.
Gjykata e Apelit tha se vendimi i vitit 2019 ishte i shoqëruar me shkelje të ligjit penal dhe se një gjykim i ri duhet të mbahej para një paneli tjetër gjyqtarësh.
Në mesin e të dënuarve për përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit ishin dy politikanë të lartë të koalicionit tani në pushtet. Në vendimim e mëparshëm të gjykatës thuhej se grupi i organizuar nga ish-operativët e inteligjencës ushtarake ruse donte të rrëzonte qeverinë për të parandaluar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Në mesin e tyre janë edhe shtetasit rus Eduar Shishmakov dhe Vlladimir Popov, të cilët u akuzuan se kanë bërë vepër penale të terrorizmit në tentim dhe ishin dënuar në shkallën e parë me 15 dhe 12 vjet burg.
Lideri i Frontit Demokratik (DF), Millan Knezheviq dhe Andrija Mandiq, ishin të dënuar me nga 5 vjet burg nën akuzën për krijimin e organizatës kriminale.
Aktgjykimi është shfuqizuar edhe për shtetasit serbë të akuzuar: gjenerali i pensionuar i xhandarmërisë së Serbisë, Bratisllav Dikiq, i cili u dënua me 8 vjet burgim, si dhe për akuzuarit: Predrag Bogiqeviq, Nemjanja Ristiq, Kristina Hristiq, Branka Milliq, Millan Dushica, Dragan Maksiq, Sërbolub Gjorgjeviq dhe artistin e Frontit Demokratik, Mihail Çagjenoviq.
Gjykata e Apelit urdhëroi që Bratisllav Dikiqit t’i hiqet paraburgimi dhe ai të lirohet menjëherë. Të tjerët të dënuar nga Gjykata e Lartë u liruan më herët ose ishin të paarritshëm për gjyqësorin e Malit të Zi.
“Paneli e ka shfuqizuar aktgjykimin e shkallës së parë , sepse në procedurën e sjelljes së tij, si dhe në vet aktgjykimin, ishin bërë shkelje të konsiderueshme të dispozitave të procedurës penale, për shkak të së cilave as konkluzionet faktike dhe as ato juridike, nuk mund të pranoheshin në vendimin e shkallës së parë, si në raport me ekzistimin e veprave penale për të cilat të akuzuarit u shpallën fajtor e poashtu as në raport me ekzistimin e fajësisë së tyre për ato vepra”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit të Malit të Zi, të datës 5 shkurt.
Tentimi për të bërë “grusht shteti” në Mal të Zi ka ndodhur në ditën e zgjedhjeve parlamentare, në nëntor të vitit 2016, kur shërbimet malazeze të sigurisë arrestuan disa dhjetëra shtetas të Serbisë, të cilët dyshoheshin për përpjekje për të kryer aksione terroriste, në mënyrë që të përmbysnin qeverinë me një ndërhyrje të dhunshme në Parlamentin e Malit të Zi dhe për kapjen ose likuidimin e kryeministrit të atëhershëm, Millo Gjukanoviq.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të përfaqësuar nga Kryeprokurori special, Millivoje Katniq, qëllimi i të akuzuarve ishte që të parandalonin Malin e Zi që t’i bashkohej aleancës së NATO-s , si dhe një ndryshim të dhunshëm të qeverisë në Malin e Zi.
Shtetasit rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, u cilësuan në aktakuzë si organizatorë dhe financues të përpjekjes për terrorizëm dhe përmbysje të dhunshme të qeverisë në Malin e Zi. Ata ishin të paarritshëm për gjyqësorin e Malit të Zi, ndërkaq në deklaratat me shkrim ata hodhën poshtë pretendimet në aktakuzë.
/VOA/REL/