Para selisë së Parlamentit të Malit të Zi, në mbrëmjen e së mërkurës, u mbajt një protestë në mbështetje të Rusisë.
Dhjetëra protestuese mbanin flamuj rusë, serbë dhe të Perandorisë Ruse me parulla pro Rusisë: “Lutju zotit dhe qëndro Rusi” dhe “Serbët në Mal të Zi- Rusët në Ukrainë”.
Poashtu në këtë tubim kishte edhe flamuj çetnikë me kafka dhe me mbishkrimin “Për mbretin dhe atdheun-liri a vdekje”.
Në protestën para selisë së Parlamentit ishin të pranishëm edhe grupi i ashtuquajtur “Ujqërit e natës”, një organizatë e njohur pro-ruse, e cila është e afërt dhe mbështetet nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Një protestë e ngjashme u mbajt edhe në qytetin e Nikshiqit në Mal të Zi, i cili gjendet pranë kufirit me Bosnjën e Hercegovinën, gjegjësisht pranë Republika Srpska.
Nacionalistët serbë pritet që ditëve në vazhdim të protestojnë edhe në qytetet tjera në Mal të Zi. Këto janë tubimet e pakta në Evropë që mbështesin Rusinë dhe presidentin Putin.
Ditët e fundit në Podgoricë ka pasur edhe tubime të tjera, të organizuara në mbështetje të Ukrainës. Në këto protesta kishte një ikonografi krejt tjetër, por edhe mesazhe me flamuj malazezë dhe ukrainas, ku protestuesit bënin thirrje për paqe dhe akuzonin Rusinë për sulmet luftarake në Ukrainë.
Mali i Zi i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë si kundërpërgjigje ndaj sulmut kundër Ukrainës.
Ministria e Jashtme e Malit të Zi, javën e kaluar ka njoftuar se “për shkak të një lufte që po zhvillohet në Evropë duhet të veprohet me përgjegjësi maksimale dhe në interes të vendit”.
Ministri i jashtëm malazez, Gjorgje Raduloviq tha se “Mali i Zi si anëtar i NATO-s do të mbështesë të gjitha përparësitë e politikës së jashtme”.
Ndërkaq, presidenti malazez, Milo Gjukanoviq i ka kritikuar veprimet e Rusisë, që sipas tij “minojnë të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare duke cenuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë evropiane”.
Ndërkohë, Mali i Zi ka nisur procedurën për marrjen e vendimit për mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rus.