Ministri i drejtësisë i Malit të zi Marko Kovaç në një konferencë për shtyp. Foto: Qeveria e Malit të Zi.
Ministria e Drejtësisë në Podgoricë tha të enjten se ka vendosur të mos e dërgojë Momcilo Vukotiçin në Kosovë për t’u përballur me akuzat për krime lufte, me arsyetimin se autoritetet e Prishtinës nuk kanë dhënë arsyet e duhura për ekstradimin.
“Në vendimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për fillimin e hetimeve, nuk thuhet se cilat akte dyshohet se ka kryer Vukotiçi, cilat janë pjesë e veprave penale të cilat janë kryer, por vetëm thuhet se pas 24 vitesh, dyshohet se u shfaq një dëshmitar që e njohu foton e tij në një album me fotografi”, thuhej në vendimin e ministrisë.
“Vendimi ynë për të refuzuar kërkesën e Kosovës rrjedh nga Ligji i Malit të Zi për Ndihmën Juridike Ndërkombëtare dhe Konventa Evropiane për Ekstradimin”, thuhej në deklaratë.
Sipas Ligjit të Malit të Zi për Ndihmën Juridike Ndërkombëtare, ministria mund të refuzojë ekstradimin e një personi të akuzuar për një krim politik ose ushtarak, me përjashtim të rasteve të akteve të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe terrorizmit.
Vukotiçi u arrestua më 1 tetor, një nga tre të dyshuarit për krime lufte të kërkuar nga Kosova, të cilët janë arrestuar kohët e fundit në Mal të Zi.
Më 5 tetor, policia ndaloi shtetasin e Kosovës, Ilir Berisha, me një “njoftim të kuq” të Interpolit, duke kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e tij në Prishtinë për t’u përballur me akuzat për kryerjen e krimeve të luftës kundër civilëve.
Më 25 shtator u arrestua edhe 61-vjeçari Momcilo Bulatoviç, një serb tjetër nga Kosova. Bulatoviçi akuzohet se ka kryer krime lufte kundër civilëve në zonën përreth qytetit të Pejës në vitin 1999.