Mali i Zi tjetërson pronën e Kosovës në Budvë, AKP kërkon rikthimin e saj

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Kosova ende nuk e ka pronësinë mbi pasurinë e saj në shtetet që përbënin ish-Jugosllavinë. Kosova ka prona të shumta në shtetet e kësaj ish federate, e vetëm në shtetin e Malit të Zi ka mbi 35 prona.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, pasi Gjykata Themelore e Kotorrit refuzoi padinë që pretendon se kompania Rekreaturs u ka vjedhur pronën e tyre prej 33 mijë metrash katrorë në plazhin e Kamenovës. ..

Gjithashtu AKP ka ngritur padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Strasburg dhe se janë duke e pritur vendimin.

Gjatë procesit gjyqësor pretendohet se Rekreaturs në mënyrë të paligjshme ka ndryshuar selinë e saj nga Prishtina në Budvë.

AKP thotë se ende nuk e kanë informuar Qeverinë e Zdravko Krivokapiq për përvetësimin e pretenduar dhe mosmarrëveshjen që është duke vazhduar për më shumë se një dekadë, në mënyrë që të provojnë se ish-vendpushimi është në pronësi të qytetarëve të Kosovës. Ata pretendojnë se pasuria e tyre u mor në mënyrë të paligjshme pas luftës së vitit 1999.

Kompleksi prej gati tre hektar e gjysmë, në të cilin ka qenë vendpushim për qytetarët nga Kosova, siç është shkruar në regjistrat kadastralë të Administratës së Patundshmërive është pronë e Malit të Zi dhe se bashkëpërdoruesi është regjistruar në Rekreaturs .

Kjo kompani ka në pronësi shumicën dhe se një pjesë e vogël është në pronësi të Kožar SOUR trgovina nga Kosova dhe Kosovska Banka DD që gjendet në falimentim.

Sipas Regjistrit Qendror, themeluesit e Rekreaturs janë Atlas Bank e biznesmenit Dusko Knezeviq me 99.7 për qind të kapitalit dhe pjesa e mbetur është në pronësi të Atlas Hotels Group.

Atlas Bank u bë pronare pas marrëveshjes me Atlas Invest nga Podgorica dhe VB Holding nga Qipro, të cilat paguanin hua duke transferuar aksione.

Agjencia Kosovare e Privatizimit vazhdon të mos heq dorë që të provojë se Rekreatus nga Prishtina është pronari i vërtetë i kësaj prone dhe jo kompania me të njëjtin emër selia e së cilës është në Budva.

Nën rrethana të pashpjegueshme, kompania u zhvendos në Budva gjatë luftës së vitit 1999 dhe Atlas Group bleu kompaninë në vitin 2002 për 60,000 euro.

Kompleksi ka qenë jashtë funksionit për një kohë të gjatë, ku kanë mbetur vetëm objektet e rrënuara dhe se deri më sot ende nuk ka filluar ndërtimi i resorit turistik ashtu siç ishte planifikuar.

Mediumi Vijesti në Mal të Zi, më parë kishte publikuar dokumentacionin e AKP-së që përshkruan në detaje se si katër ish-punëtorë të Rekreaturs në Prishtinë, siç pretendojnë ata, kishin mashtruar duke e zhvendosur kompaninë në Budva.

Historia e Kamenovos filloi në vitin 1957, kur Komiteti i rrethit në Cetinje shpronësoi tokën nga vendasit. Një vendpushim u ndërtua në fund të viteve 50-të për nevojat e punëtorëve nga Kosova dhe në vitin 1989, Rekreaturs iu shtua hapësira prej 12 mijë metra katrorë.

Drama filloi pas luftës në Kosovë, kur disa refugjatë nga Kosova u zhvendosën në këtë vendpushim. Pas skenave të dhimbshme dhe përpjekjeve për t’i dëbuar me forcë, refugjatët nga Kosova u pajtuan të largohen nga ky kompleks, shkruan Vijesti.

Vendasit e Kamenovos dhe Sveti Stefan për më shumë se një dekadë janë duke kërkuar kthimin e pronës.

Gjykata Themelore në Kotor lëshoi një masë të përkohshme që ndalon tjetërsimin e pronës.

Vendasit duan të provojnë se kurrë nuk u është paguar kompensim për shpronësim, domethënë se pothuajse gjysma e tokës është rrëmbyer dhe mbi të është ndërtuar një vendpushim.

Atlas Group, tre vjet e gjysmë më parë promovoi projektin e resorit luksoz turistik “Kamenovo”, i cili përfshinte ndërtimin e dy hoteleve dhe 14 vilave me gjithsej 300 shtretër.

Kompania e Knezeviq kishte njoftuar se synon të investojë 88 milionë euro, mirëpo projekti kurrë nuk kishte filluar.

Ndërsa sipas të dhënave të AKP-së, asetet jashtë Kosovës janë të ndërmarrjeve: Trepça ; Kosova Sirovina; Jugoterm; Bankos; Anamorava; Komuna; Farmakos; Artizani; NSH “Komuna”; Kosova Vera; 18 Nëntori; IGK Ballkan; Fabrika e Birrës Peje; Jatex; Fabrika e lëkur këpucëve; Modeli; NT Rugova; Kosovashped; Tursit Kosova; Progres printing; IFS Progres; Filgran; Amortzatoret; EUP Ingernering; Agrokosova; Mekanizimi; Integj.

Kosova ka 99 prona të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në Serbi, 35 prona në Mal të Zi, 15 prona në Bosnjë Hercegovinë, tetë asete në Maqedoninë e Veriut, në Kroaci sipas të dhënave të AKP-së janë pesë prona të Kosovës, ndërkaq në Slloveni është një pronë.