Trajneri dhe analisti i njohur i futbollit kosovar Malsor Gjonbalaj ka komentuar vendimin e futbollistit Edvin Kurtulus i cili ditë më parë vendosi që ta braktisë Kosovën dhe ta përfaqësojë Suedinë.
Kurtulus ishte kapiten i Kombëtares U21 të Kosovës dhe largimi i tij i pa pritur ka lënë të zhgënjyer tifozët e futbollit në Kosovë dhe jo vetëm ata.
Duke folur për KosovaPress, Gjonbalaj e ka quajtur dëshpërues vendimin e tij, derisa ka thënë se ky është një sinjal që duhet të punohet më shumë me të rinjtë në mënyrë që Kosova të mos varet në emra të caktuar.
“Dëshpëruese ai largimi i futbollistit që vendosi për Suedinë por ky është realiteti dhe është një sinjal që duhet të punojmë shumë në futbollin e Kosovës dhe selektori dhe gjithë strategjia e ekipeve zingjirë duhet të jetë e fokusuar në futbollin vendor në mënyrë që të nxjerrim sa më shumë talentë sepse kemi potencialisht shumë talent këtu dhe të mos varemi nga një ngjarje e momentit siç tani por të kemi futbollist të Kosovës të mjaftueshëm që mund të zëvendësojnë dhe mund të kontribuojnë për Kombëtaren e Kosovës”, tha Gjonbalaj.
Mbi atë nëse Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë mjaftueshëm që lojtari të mos e marr këtë vendim, Gjon Balaj tha se federata ia ka ofruar të gjithë mundësitë atij, por që lojtarët duhet ta kenë dëshirën dhe motivin për të luajtur për Kombëtaren e Kosovës.
“Federata me plotë përgjegjësi e ka kryer punën e tij kundrejtë Kurtulus. Pra federata ka qenë jashtëzakonisht e kujdesshme për aq sa di, i ka ofruar vend në ekipin u21, ia ka ofruar shiritin e kapitenit, i ka ofruar mundësi që të jetë në ekipin e parë dhe ky ka qenë një vendim i futbollistit, prandaj nuk dua ta komentoj vendimin e tij, por megjithatë është e rrugës që secili futbollist shqiptar të përfaqësojë vlerat tona kombëtare…Secili futbollist që ka origjinë shqiptare duhet të ketë edhe motivin edhe dëshirën të na përfaqësoj. Ky është minimumi sakrificës që mund ta bëjnë. Ne jemi të pranuar ndërkombëtarisht dhe mendoj që do të ishte e rrugës që secili që ftohet t’i përgjigjet pozitivisht”, tha Gjonbalaj.
Ndryshe, pas vendimit për ta braktisur Kosovën, Kurtulus ka deklaruar se ai vendosi për të luajtur për Suedië duke e dëgjuar zemrën e tij, por theksoi gjithashtu se ai është shumë i lidhur me Kosovën.