Mbahet në Tiranë takimi i parë punues për implementimin e projektit të urës mbi lumin Buna

Sot, në Tiranë është zhvilluar takimi i parë i grupit punues për implementimin e projektit për ndërtimin e urës mbi lumin Buna.

Këtë e bëri të ditur koordinatori i grupit punues nga Mali i Zi, Ilir Harasani, përmes një statusi në facebook, të cilin mund ta gjeni më poshtë:

”Sot, në Tiranë u zhvillua takimi i parë i grupit punues për implementimin e projektit për ndërtimin e urës mbi lumin Buna.

Si koordinator i grupit punues nga Mali i Zi, së bashku me homologen time nga Qeveria e Shqipërisë-koordinatore për palën shqiptare, Elira Kokona, si dhe kolegët e të dy palëve nga ministritë dhe drejtoritë kompetente, sot u dakorduam për implementimin e projektit për ndërtimin e urës mbi lumin Buna.

Projekti në fjalë do të kushtojë rreth 20 milionë euro (projekt i përgatitur nga pala shqiptare), Ura do të jetë e gjatë rreth 600 m, 17 m e gjerë dhe rreth 12 m e lartë, do të ketë dy korsi, trotuar 1.5 m nga dy anët, korsi biçikletash 1.75 m nga dy anët, plus nga një korsi 1.5 m nga dyja anët për raste emergjente.

Po ashtu sot u fol dhe për lundrimin në lumin Buna, ku pritet intervenimi i palës shqiptare për eliminimin e barrierës që ndodhet tek ura ne Bunë në hyrje të Shkodrës, që pritet të zgjidhet brenda muajit të ardhshëm”.