Ajo ishte mbrëmja ku ata njëri-tjetrit me buzë në gaz, por edhe me lot në sy, i thanë lamtumirën e fundit pas shumë vitesh të kaluara bashkë, me disa nga tre e katër, me ca nga nëntë, por me disa edhe nga 12 e 13 vite shkollore, duke ndarë bashkë të mirën dhe të keqen, harenë e gëzimin e ndonjëherë edhe hidhërimin, lojën dhe piknikun, vizitat e ndërsjella, por edhe ekskursionet një apo shumëditëshe brenda komunës, jashtë saj dhe më gjerë

Ndër nëntë paralelet me gjithsej 131 maturantë, pesë paralele të vitit të katërt dhe katër paralele të vitit të tretë, të shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, që këtë vit shkollor kryen shkollën e mesme, tetë në shkollën amë në Plavë dhe një në paralelen e ndarë në Guci (gjenerata e gjashtë e maturantëve nga shkolla e këtij qyteti), janë edhe dy paralele me maturantë në gjuhën shqipe, paralelja e gjimnazit me 13 sish – dhjetë vajza: Ardita Cakaj, Ardijana Sinanoviq, Dita Balidemaj, Dorentina Hakaj, Florentina Gjonbalaj, Izedina Ulaj, Kima Kukaj, Norë Ahmetaj, Rudina Qosaj dhe Selima Huseinoviq; dhe tre djem: Jehon Mujoviq, Jeton Kukaj dhe Kelmend Kukaj, me kujdestarin e klasës – profesorin e matematikës Faruk Novaj, dhe paralelja e drejtimit profesional – drejtimi Shitës, me nëntë maturantë, të gjithë djem: Abdullah Sinanoviq, Arian Rugovac, Astrit Sinanoviq, Benard Gjonbalaj, Edon Ulaj, Halil Mujoviq, Hidajet Sinanoviq, Mirnes Haxhaj dhe Naim Sinanoviq, me kujdestaren e klasës – profesoreshën e gjuhës angleze Jasmina Rugova, të enjten, më 29 maj 2025, shënuan mbrëmjen e maturës.
Që nga orët e hershme të mbrëmjes, para godinës së shkollës ku përfunduan maturën, u tubuan djem e vajza maturantë, veshur me rroba asnjëherë më të bukura – vajzat me fustane bashkëkohore dhe të modës, ngjyrash dhe dizajnesh të ndryshme, kurse djemtë me kostume të larmishme dhe moderne. Rrobat i kishin përgatitur më parë, falë mirësisë, mirëkuptimit dhe përkujdesjes së prindërve të tyre, të cilët nga buxheti familjar ua kishin siguruar, por edhe nga të afërmit e tyre, për të shënuar dhe përjetuar në mënyrë sa më madhështore njërën ndër festat më të mëdha të jetës së tyre – mbrëmjen e maturës, mbrëmjen e haresë dhe krenarisë, e po aq edhe të përmallimit. Ajo ishte mbrëmja ku ata njëri-tjetrit me buzë në gaz, por edhe me lot në sy, i thanë lamtumirën e fundit pas shumë vitesh të kaluara bashkë, me disa nga tre e katër, me ca nga nëntë, por me disa edhe nga 12 e 13 vite shkollore, duke ndarë bashkë të mirën dhe të keqen, harenë e gëzimin e ndonjëherë edhe hidhërimin, lojën dhe piknikun, vizitat e ndërsjella, por edhe ekskursionet një apo shumëditëshe brenda komunës, jashtë saj dhe më gjerë.
Moti i vranët dhe me nga pak riga shiu, në vigjilje të orëve të mbrëmjes, mundësoi që manifestimi i kësaj mbrëmjeje madhështore të fillojë në kohën e paraparë, në orën 18:00, kur në praninë e disa qindra prindërve, familjarëve të ngushtë, por edhe të tjerëve të cilët kishin ardhur që gëzimin dhe harenë e mbrëmjes së maturës ta ndanin me fëmijët dhe të afërmit e tyre.
Vargëzimi i vashëzave dhe djemve maturantë të nëntë paraleleve të kësaj shkolle, në çift apo edhe nga tre sish, pikënisjen e pati në hollin e katit përdhes të shkollës, për të vazhduar parakalimin nëpër ambientin e sheshit të qytetit të shtruar me tapet të kuq, i cili gjendet mu në afërsi të godinës së shkollës.
Pas disa parakalimesh nëpër shesh, maturantët vazhduan rrugëtimin për në Guci me ca minibusë të kompanisë së komunikacionit ndërurban “Elan Company”, të cilët pronari i dha falas për udhëtimin e maturantëve, ku po ashtu në vigjilje të mbrëmjes defiluan në ambientin e sheshit të Ali Pashës në Guci, të shtruar po ashtu me shirit tapeti të kuq, në praninë e prindërve, të afërmve dhe qytetarëve. Shumë sish në shkollën fillore “Xhafer Nikoçeviq” të Gucisë, kishin kryer pesë e nëntë klasë të fillores, e ata të paraleles së ndarë të gjimnazit në Guci edhe shkollën e mesme. Pas defilesë disa minutëshe në Guci, maturantët e hareshëm sërish me minibusë u kthyen në restorantin e kompleksit “Aqua Resort”, i cili gjendet përballë liqenit të Plavës, në vendbanimin Llatek të fshatit Brezojevicë, jo larg Plavës.
Drejtoresha e shkollës, Snezhana Bojoviq, e shoqëruar nga mësimdhënësit, gjatë tërë kohës së qëndrimit i shoqëroi maturantët e hareshëm, e cila në fjalën e rastit atyre me admirim, por edhe me dozë emocioni iu drejtua:
“Ndiej kënaqësi, obligim dhe nder që t’u përshëndes në emër të kolektivit të shkollës ku përfunduat maturën, por edhe në emrin tim personal. Jam e sigurt se nga kjo shkollë do të bartni përplot kujtime të bukura, por edhe dituri, të cilat do t’u ndihmojnë që të sigurt të ndiqni rrugët tuaja jetësore, por edhe të pajiseni me dituri tjera dhe të sendërtoni ardhmërinë tuaj të lumtur”, është shprehur drejtoresha dhe në vazhdim ka shtuar: “Ajo që është në radhë, por edhe ajo në të cilën besojmë, është se ju do të vazhdoni zhvillimin dhe përsosjen individuale”.
Drejtoresha Bojoviq më pas ka vënë në dukje se këtë vit shkollor me sukses e kryejnë shkollimin e mesëm 131 nxënës maturantë në nëntë paralele mësimore. Shkolla është krenare me të gjithë maturantët, e në veçanti me ata të cilët janë laureatë të çmimit “Pishtari” (“Lluça”). E emocionuar, ajo në vazhdim është shprehur:
“Maturantë të dashur! Prej sot ju presin nxitje e sfida të reja dhe me këtë rast do t’ju porosis se mu prej kësaj dite nxitoni e ndiqni rrugët e reja deri diku të panjohura. Ekzistojnë gjëra për të cilat nuk kemi mundur t’u përgatisim, takimet me njerëz dhe ngjarje për të cilat nuk keni mundur të mësoni nga librat. Por, ajo që së bashku ia kemi dalë është se jeni bërë madhorë, njerëz të pjekur, të kalitur, të vetëdijshëm për rëndësinë dhe përgjegjësinë personale. Edhe një herë me tërë shpirt dhe zemër ua uroj mbrëmjen e maturës dhe ju dëshiroj çdo të mirë, shëndet, sukses dhe fat në jetë”.
Të shoqëruar nga drejtoresha, kujdestarët e klasave dhe ca mësimdhënës, maturantët festuan deri në orët e hershme të ditës së nesërme. Sa ishin të gëzuar, të lumtur, të hareshëm e krenarë se po finalizonin punën e tyre edukative e arsimore 12 e 13 vjeçare, të përmalluar, mallëngjyer e emocionuar se po ndaheshin përgjithmonë si pjesëtarë të bashkësisë së klasës së cilës i përkisnin, të shoqërisë së ngushtë që kishin dhe shumëçka tjetër në këtë drejtim. Mirëpo edhe përkundër gjithë kësaj, ata u zotuan se nuk do të jenë larg njëri-tjetrit, pa marrë parasysh se ku do të vazhdojnë shkollimin e mëtejmë superior në universitete të ndryshme të Malit të Zi, Kosovës e Shqipërisë, ata me mësim në gjuhën shqipe.
Në ambientet e restorantit “Aqua Resort”, deri në orët e hershme të ditës së nesërme nuk kanë pushuar tingujt e muzikës me të cilët janë përcjellë vallet dhe këngët e maturantëve të hareshëm dhe të disponuar, të cilët nuk kanë ngurruar për të ngritur me kujdes ndonjë gotë uiski, birre, vere dhe të pijeve të tjera freskuese joalkoolike, bashkë me mësimdhënësit dhe drejtoreshën të cilët i kanë shoqëruar deri në fund të ceremonisë solemne.
Ndarja e maturantëve në fund të festës ka qenë momenti më i vështirë. Përqafimet me lot në faqe e ndonjëherë edhe me vaj, si dhe shtrëngimi i dorës së lamtumirës, kanë qenë momentet që për shumë kohë dhe mot ata nuk do t’i harrojnë, dhe përjetimet e tyre përgjithmonë do të qëndrojnë të pashlyera dhe të ngulitura në ndjenjat e kokave të tyre.