Mbyllet për qarkullim rruga Radavc-Kullë

Rruga Radavc-Kullë do të bllokohet gjatë ditës së sotme për shkak të mbajtjes së garave automobilistike me karakter ndërkombëtar.

Kështu u bë e ditur nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, duke shtuar se ky bllokim i rrugës do të ketë efekt në qarkullimin e trafikut në Pikë Kalimin Kufitar Kullë.

Njoftim – Bllokimi i Përkohshëm i Rrugës Kullë–Rozhajë më 28 dhe 29 Qershor 2025

Komuna e Pejës njofton qytetarët se për shkak të zhvillimit të Garës Automobilistike Malore “KULLA 2025” nga Federata e Sporteve të Kosovës, rruga Kullë–Rozhajë (segmenti Pejë–Radavc–Kullë), do të jetë e mbyllur plotësisht për qarkullim në të dy drejtimet gjatë datave 28 dhe 29 qershor 2025.

Bllokimi do të fillojë në orën 10:00 paradite dhe do të zgjasë deri në orën 18:00 pasdite për këto dy ditë, duke përfshirë rrugën rajonale R-106 (Pejë–Kullë), deri te pika kufitare me Malin e Zi.

Ky kufizim është i domosdoshëm për të siguruar zhvillimin e sigurt të garës dhe është autorizuar zyrtarisht nga Departamenti i Infrastrukturës Rrugore.

Policia e Kosovës do të koordinojë mbikëqyrjen e zonës, duke kontrolluar qarkullimin dhe duke siguruar respektimin e kufizimeve.

Shoferët dhe qytetarët kërkohen të shmangin plotësisht këtë rrugë gjatë kohëve të specifikuara.

Për lëvizje alternative, rekomandohet përdorimi i rrugëve të tjera alternative.

Organizatorët do të vendosin tabela paralajmëruese dhe sinjalistikë për të udhëhequr qarkullimin, ndërsa koordinimi me Policinë do të garantojë që ndikimi në jetën e përditshme të jetë minimal.

Kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve për të respektuar këtë masë të përkohshme, të cilësohet e domosdoshme për suksesin e ngjarjes dhe sigurinë e pjesëmarrësve.