Nuk ka shqiptarë që nuk e ka dëgjuar emrin e Jakup Ferrit. As nuk ka shqiptarë që nuk i ka kënduar me zemër e me emocione vargjet e poetit tropojan Marash Mhilli, të popullaziuara nga i madhi Gëzim Nika “30 krena i ke pre, me shtatë plagë po rrinë në kambë”. Popullata e Plavës dhe Gucisë me gjelozi e ruan identidetin e këtij burri malësor.
Unë pata privilegj dhe kënaqësi të jashtëzakonshme t’i kaloj disa ditë me pasardhsin e tij, Prof. Dr. Naser Ferrin i cili erdhi në Guci me rastin e hapjes së ekspozitës së artistes Kaltrina Hoti në Guci, të hënën më 15 maj 2023.
Biografia e profesorit të nderuar është e mahnitshme. Duhet të shkruhet nji libër i tërë vetëm për ketë.
Prof. Dr. Naser Ferri u lind më 1955 në Pejë në Kosovë. Arsimin fillor dhe të mesëm e mori në vendlindje. Studimet e arkeologjisë i ka filluar në vitin 1973, në Degën e arkeologjisë në Fakultetin Filozofik në Zarë të Kroacisë, të cilat të njëjtin vit i ka vazhduar në Fakultetin Filozofik të Zagrebit. U diplomua në vitin 1978, ndërsa në vitin 1987 ka magjistruar. Në vitin 1988 në Degën e arkeologjisë të Fakultetit Filozofik në Zagreb i është aprovuar teza e disertacionit: “Mbishkrimet ushtarake romake në Mezi të Epërme” (Rimski vojnički natpisi u Gornjoj Meziji), të cilin, për shkaqe objektive, si pasojë e ngajrjeve të luftës në rajon, nuk ishte në gjendje ta mbronte në Zagreb dhe e ka mbrojtur në vitin 1997 në Fakultetin Filozofik në Prishtinë.
Në vitin 1979 kishte filluar punën në Sektorin e arkeologjisë pranë Degës së historisë së Institutit Albanologjik në Prishtinë, ndërsa nga viti 1998 kishte filluar të ligjërojë në Universitetin e Prishtinës, së pari në Fakultetin Filozofik e pastaj në Fakultetin e Edukimit, dhe në Fakultetin e Filologjisë lëndët: Numizmatikë dhe epigrafi, Mitologji e përgjithshme (botërore), Mitologji shqiptare, Histori e etnologjisë, Gjuhë latine, Histori e kohës së vjetër, Histori e ilirëve, Histori e artit dhe Histori e kulturës shqiptare.
Që nga viti 2003 është këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ndërsa në vitin 2004 është zgjedhur profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës. Është autor i katër veprave shkencore në gjuhë shqipe dhe të një vepre shkencore në gjuhë kroate, si dhe i rreth 100 studimeve shkencore dhe një numri të konsiderueshëm të artikujve, recensioneve e të ngjashme në gjuhë shqipe, kroate, italiane, gjermane dhe angleze. Pos në revista shkencore në Kosovë, studimet e veta shkencore i ka publikuar edhe nëpër revista prestigjioze evroeiane: Arheološki Vestnik Ljubljana (Slloveni), Opuscula Archaeologica Zagreb (Kroaci), Histria Antiqua Pula (Kroaci), Živa Antika Skopje (Maqedoni e Veriut), Godišnjak CBI ANUBiH Sarajevo (Bonje e Hercegovinë), Tibiscum Caransebeş (Rumani), Dardania Wien (Austri), Classica et Christiana, editată de Centrul de Studii Clasice şi Creştine a Universităţii din Iaşi (Rumani), si dhe në shumë përmbledhje punimesh nga konferencat dhe simpoziumet ndërkombëtare të mbajtura në: Pejë, Prishtinë, Prizren (Kosovë), Žalec (Slloveni), Bled (Slloveni), Pulla (Kroaci), Zagreb (Kroaci), Tiranë (Shqipëri), Split (Kroaci), Caransebeş (Rumani), Ferrara (Itali), Doha (Katar), etj.
Ka marrë pjesë aktive me kumtesa në një sërë kongresesh, simpoziumesh e tubimesh të tjera ndërkombëtare shkencore në Kroaci, Slloveni, Itali, Rumani, Katar. Po ashtu, ka realzuar mjaft qëndrime studimore në Itali, Gjermani, Hungari, Slloveni, Kroaci, Turqi. Prej vitit 2010 është anëtar i rregullt i Shoqatës Sllovene të Arkeologëve (SAD-Slovensko Arheološko Društvo Ljubljana). Në vitin 2010 ka mbajtur një cikël ligjëratash në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Sllovenisë në Lubjanë (SAZU-Slovenska Akademija Znanosti in Umetnosti), ndërsa në vitin 2014 ka mbajtur një cikël ligjëratash në Universitetin e Zagrebit në Kroaci (Sveučilište u Zagrebu).
Prej vitit akademik 2019/2020 është i angazhuar në cilësi të mentorit në studimet e doktoraturës në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zarës në Kroaci (Filozofski fakultet Sveučilišta u Zadru). Prof. Dr. Naser Ferri merret me arkeologji, histori të kohës së vjetër, histori të ilirëve, epigrafi latine, mitologji, etnoarkeologji dhe histori të artit dhe njeh gjuhët: italiane, angleze, kroate dhe latine. Në vitin 2017 Prof. Dr. Naser Ferri ishte propozuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës me përkrahjen e kolegëve eminentë nga fusha e arkeologjisë nga Kroacia, Italia e Rumania për anëtar të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), ndërsa në vitin 2019 po ashtu nga Instituti Albanologjik është propozuar për çmimin për veprimtari jetësore “Dea Dardanica” që e ndanë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës. Prej vitet 1999 deri më 2005, Prof. Ferri ishte anëtar i Redaksisë së revistës “Dardania Sacra” të Prishtinës, e nga viti 2013 i Redaksisë të revistës “Gjurmime Albanologjike, Seria e Shkencave Historike” të Institutit Albanologjik të Prishtinës, ndërsa që nga viti 2019 është Kryeredaktor i kësaj reviste. Jeton dhe vepron në Prishtinë.
Ky është nji pershkrim i shkurtër mbi jetën dhe veprimtarinë e tij shumë vjeçare. Unë dhe profesori i nderuar bëmë muhabet alla malsorçe. Pa inxhizim, pa fletore, pa video. Thjesht malsorçe.
Profesor Naseri jo vetëm që është i intersuar në arkeologji. Ajo është jeta e tij. Ai e ndjen veten në Guci si në shtëpi të vet. Derisa pinim kafe në Metro Café në qendër të Gucisë me Robertin, Rudinen, Avninë, Bujarin e shumë të tjerë, njerëzit hynin e dilnin. Të gjithë mua më njofin si zhurmaxhi dhe nuk kanë faj. Bëj zhurmë valla sa mundem. E edhe zërin e kam të lartë, prandaj ua prishi qetësinë. E shyqyr Zotit nuk pritoj. Të gjithë pata deshirë t’i njoftoj me profesorin e nderuar, por me çudi të gjithë e njifnin. “Po more si nuk e njof nipin e Jakup Ferrit; Po more si nuk e njof profesorin”, etj, etj. Disa herë edhe filluam biseda serioze. Profesori nisi pyetje rreth arkeologjisë. Hajt, thash me vete, po bëhem edhe unë njëfarë arkeologu amator. Profesor, i thash, po ia fillojmë me ato që i di unë. Po shkojmë tek shkolla fillore në Guci se më kujtohet si fëmijë nji tavolinë e madhe me monedha të vjetra romake, bizantine dhe greke. Bile-bile kishte edhe monedha me fytyrën e Aleksandrit të Madh. Hymë në shkollë dhe tavolina nuk ishte aty. Si njëlloj abrakadabre. Kishte humbë. E gjetem korierin. Kurrë se kam pa, tha ai. Shkuam në zyre. Asgjë. Nilç. Zero. Askush nuk dinte se ka kanë shkuar monedhat. Morëm në telefon drejtorin e shkollës, as ai nuk dinte se ku janë as ku kanë shkuar. Duhet pyetur këta, ata e atë tjetrin. Takuam dy mësuesa që i kam pasur si fëmi dhe të dy më thanë: “Harroje atë punë, kush e di se kush i ka vjedhë”. Drejtorët, se kush dreqin tjetër. Nuk kanë ardhur të vdekurit nga vorret për t’i vjedhë e për të shkuar me tregtua nëpër dyqanet romake në Venedikt apo Konstantinopol. Pjesa e parë e ekspeditës tonë arkeologjike dështoi. Kemi informata për dy kisha katolike të vjetra, njërën në Dolë e tjetrën në Hot të Kujit, si dhe për shpellën e kryqave dhe orën e diellit në Trojan, por moti me shi nuk na i lëjoi këto udhëtime. Profesori i nderuar premtoi se do të kthehet gjatë verës dhe vazhdojmë. Punën e monedhave do të mundohem unë ta zbuloj dhe lus lexuesit që mund të kenë ndonjë informatë të më lajmërojnë. Profesori të marten shkoi në vizitë te artistja Kaltrina Hoti në fshatin e saj ku ajo ka hapur një galleri dhe ishte kënaqur. Kishte mbledhur edhe çaja të ndryshëm që mori me vete në kryeqytetit e Dardanisë, e malësorët nuk mund ta percjellin mysafirin pa ia dhënë edhe pak raki shtëpie. Vizita tek vorri i të madhit Jakup Ferri ishte emocionuese dhe prekëse. E ai vorr meriton të vizitohet nga të gjithë shqiptarët që vizitojnë këto treva.
Profesori i nderuar u kënaq me humorin tipik të malësorëve dhe premtoi se do të kthehet shpejt për të pirë kafe. Unë herën tjetër do ia marr pasaportën dhe do ia mbaj peng derisa t’ia spjegoj disa histori, që për fat të keq Akademitë e Shqipërisë dhe Kosovës duket se kanë harruar ekzistencën e këtyre trojeve.
Profesor, dyert i kemi të hapura, e bukë e krypë e zëmer sa të duash.