MEDEONI-MEDUNI VENDSTREHIMI I FUNDIT I MBRETIT GENT

Nga Prof.Dr.Naser Ferri

Mbetjet e lokalitetit arkeologjik Medun gjenden në Malësi të Madhe të sotme, mes Shkodres dhe Podgoricës jo larg fshatit Luhar prej nga paraardhesit e Jakup Ferrit dikur heret ishtin zhvendosur në Plavë.

Meduni ishte ndërtuar nga labeatet ilirê ne shek. IV p.e.s si fortifikatë prej blloqeve të mëdha të gurit, por më vonë ishte shndërruar në vendbanim të rëndësishem ilir i  cili përbëhej nga qyteti i epërm dhe ai i poshtëm dhe i cili për nga rëndësia ishte fill pas Shkodrës (Scodra).Pos gërmadhave të vendbanimit ilir, këtu janë dëshmuar edhe vendi ku kryhëshin rite religjioze lidhur me kultin e gjarprit si dhe varrezat ilire.

Autori antik Livi e zë në gojë si Medeon Labeatidis terrae, ndërsa Polibi e përmend si Meteona qe gjendet mbi Liqenin e Shkodrës.

Ky lokalitet përmendet lidhur me mbretin ilir Gentin (gr.Genthios) apo Gencin (lat.Gentius) i cili kishte pësuar disfatë nga romakët në Luftën III ilire dhe pas pushtimit të selisë së tij Scodres nga romakët në vitin 168 p.e.s.,  ishte tërhjekur ne Medeon ku romakët  e kishin zënë rob bashkë me familjen e tij dhe e kishin dërguar në Romë e pastaj në Gubbio afer qytetit Perugia në krahinën Umbria të Italisë së sotme, ku kishte vdekur dhe ku gjendet varri-mauzoleu i tij.

Pos të tjerash, Genti veçohet si mbret i fundit ilir si dhe për faktin që ndër të parët kishte emetuar monedha ilire prej bronci në Lissus dhe në Scodra, madje me paraqitje te portretit dhe me emër e titull të tij(basileos Genthios).

Foto 1.Prof.dr.Naser Ferri pranë germadhave të Meteonit

Monedha me portet të mbretit Gent.