Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka njoftuar se qeveria ka ndarë buxhet për studimin e fizibilitetit për hekurudhën Prishtinë-Durrës.
Aliu në një konferencë për media tha pas vizitave që kishin në Itali dhe pas asaj në Bruksel kanë marrë sinjale pozitive për këtë projekt dhe se shpejti do të fillojë hartimi i një plani të saktë lidhur me projektin.
Aliu bëri të ditur, se po ashtu është ndarë buxheti për studimin e fizibilitetit për këtë projekt.
“Pas nënshkrimit të memorandumit në Elbasan dhe pas vizitave që patëm në Itali dhe pas vizitës në Bruksel, ku e prezantuam këtë projekt dhe morëm sinjale pozitive mund të them se ky projekt po e merr rrugën e vet dhe jemi në faza kur mund të fillojmë me hartimin e një plani të saktë për projektin.
Si Ministri, në buxhetin për vitin 2022 kemi nda buxhetin për studimin e fizibilitetit për këtë projekt”, theksoi ministri Aliu.