Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është zotuar se rruga Deçan-Plavë do të kryhet brenda vitit 2019.
Ai këtë premtim e ka shfaqur duke iu përgjigjur interesimit të deputetes së AAK-së, Time Kadriaj, se kur do të realizohet projekti për ndërtimin e kësaj rruge me aq rëndësi, i marrë përsipër nga Qeveria e Kosovës para pesë vjetësh, kur ishin planifikuar rreth 50 milionë euro për të, por që me dinamikën e deritashme do të nevojiten dekada që ajo të kryhet.
Për sivjet me buxhet janë paraparë 2.4 milionë euro, që nuk e përmbush dinamikën e paraparë për kryerjen e këtij projekti, vërejti deputetja Kadriaj. Ministri Lekaj tha se përshpejtimi i dinamikës për realizimin e këtij projekti ndodhet në procedurë dhe se shuma e nevojshme do të jetë shumëfish më e lartë se kjo që figuron tash, se procedura është në përfundim dhe kjo shumë është 20 fish apo 40 fish më e lartë se që është ndarë, diku rreth 50 milionë euro. “Brenda 2 viteve mendoj se do të përfundojë, por që ne do ta përcjellim me vija buxhetore dhe nuk do të ketë më hapësira të stërzgjatje”, tha Lekaj.
Në pyetjen plotësuese të deputetes Time Kadriaj, se kur do të jetë data e kryerjes së kësaj rruge, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj sqaroi se “Ne do të fillojmë më 2018 dhe në vitin 2019 do të përfundojë. Nuk mund ta them saktësisht muajin”.
Për ndërtimin e kësaj rruge Qeveria e Kosovës, para pesë vjetësh, kur ajo drejtohej nga Hashim Thaçi, kishte paraparë 50 milionë euro, por që ajo do të ndërtohej në faza, brenda dy a tri vitesh. Ndërkohë u rrudhën shumat e ndara për të, sa, siç tha deputetja Kadriaj, s’do të mjaftonin as për vendosjen e shenjëzimit të saj me vija.
rrugë, që e shkurton ndjeshëm lidhjen e Kosovës me Malin e Zi (Deçan-Plavë rreth 30 kilometra) dhe në vazhdim me pjesën veriore të Shqipërisë, e po ashtu i bën të qasshme bukuritë përrallore të bjeshkëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë e Malit të Zi, pra është në funksion të zhvillimit të turizmit. Ka rëndësi jetike sidomos për banorët e Plavës e Gucisë, jetikisht të lidhur me Kosovën.