Kardiologu Sulejman Çelaj thotë se për fat të keq ka njohur shumë shqiptarë që kanë vdekur si pasojë e infektimit me coronavirus.
“Fatkeqësisht në New York, New Jersey dhe Connecticut numri i të vdekurve shqiptarë është më i madh se në Kosovë. Është për të ardhur keq se si një komunitet kaq i vogël si shqiptarët kanë një numër kaq të madh të viktimave nga COVID-19”, tha Çelaj për RTV Dukagjinin, përcjell Telegrafi.
Çelaj thotë se si në SHBA ashtu edhe në gjithë botën të dhënat japin shpresë pasi shihet një rënie e numrit të vdekjeve dhe të prekurve me coronavirus.
Duke komentuar për figurën e Presidentit Trump, mjeku shqiptar në SHBA thotë se ai është një biznesmen i zoti por nuk ka njohuri në fushën e mjekësisë.
“Mos i merrni për bazë deklaratat e Presidentit Trump në lidhje me COVID-19”, deklaroi ndër të tjera Sulejman Çelaj.
Sylejman Çelaj është drejtor në Departamentin e Kardiologjisë në një spital në Bronx të New York-ut.