Shaip Kamberi është kandidati i vetëm shqiptar që ka mbetur në garë dhe ka gjasa reale për të fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë.
Gjykata në Serbi ka vendosur të ripërsëriten zgjedhjet në Tërnoc të Bujanocit.
Si pasojë e këtij vendimi të premten më 27 maj do të ketë sërish zgjedhje në Qendrën e Votimit nr. 6 në Bujanoc.
Shaip Kamberi është kandidati i vetëm shqiptar që ka mbetur në garë dhe ka gjasa reale për të fituar mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë, derisa koalicioni i kryetarit aktual të Preshevës, Shqipërim Arifi, nuk ka gjasa matematike për të fituar mandat deputeti edhe pas ripërsëritjes së zgjedhjeve në Tërnoc.
Në Qendrën e Votimit nr. 6 në Bujanoc, Shaip Kamberit i nevojiten edhe rreth 650 vota për të kaluar pragun e nevojshëm për mandatin e deputetit.
Në këtë qendër votimi kanë të drejtë vote gjithsejtë 1,089 qytetarë.
Subjektet politike serbe në emër të ruajtjes së kutive të votimit tashmë kanë sjellë nga Beogradi në këtë fshat të Bujanocit të ashtuquajturit “ruajtës të kutisë”.
Mirëpo si asnjëherë më parë liderët politikë nga të gjitha trojet shqiptare janë mobilizuar duke bërë thirrje që të mbështetet lista e drejtuar nga Shaip Kamberi.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka ftuar shqiptarët që të votojnë nesër për kandidatin për deputet në Kuvendin e Serbisë Shaip Kamberi në zgjedhjet e përsëritura në Tërnoc.
Si kandidat i vetëm për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes për herë të tretë të votimit, ka shkruar Meta në Facebook.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbështetur fuqishëm Shaip Kamberin në këtë fushatë.
“Tashmë e kemi parë që Serbia, figurat dhe mekanizmat politik të saj, kanë bërë gjithçka që t’ua pamundësojnë shqiptarëve ta kenë zërin e tyre në Kuvend. Andaj nesër punën e parë në agjendën tuaj ditore, bëni daljen dhe votimin në Qendrën e Votimit nr. 6 në Bujanoc”, ka shkruar Kurti në mesazhin mbështetës për Kamberin.
Lideri i BDI-së në Maqedoni të Veriut Ali Ahmetika thënë se e premtja është ditë vendimtare për shqiptarët në Luginë.
“Ftoj të gjithë elektoratin shqiptar në Luginë që nesër në mënyrë masive t’iu drejtohen qendrave të votimit, sepse Shaip Kamberit i duhet mbështetja e të gjithëve si kandidat i vetëm për të përfaqësuar votuesin shqiptar në Serbi, sepse zëri i tij duhet të dëgjohet ashtu siç është dëgjuar deri më tani”, ka shkruar Ahmeti.
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi kërkon mobilizim për Shaip Kamberin.
“Shqiptarët në Tërnoc, me 27 maj, duhet të mobilizohen dhe mos të lejojnë që Shaipit t’ia marrin mandatin nga duart. Shaipi është e vetmja shpresë e shqiptarëve të Luginës që të kenë një zë të fuqishëm në Kuvendin e Serbisë – e i cili nuk guxon të ndalet. Mobilizohuni dhe dilni e votoni. Për Shaipin, për shqiptarët!”, ka shkruar Krasniqi.
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kërkuar nga votuesit shqiptarë t’iu drejtohen kutive të votimit e të mbështesin Shaipin dhe Koalicionin e Shqiptarëve në Luginë.
“Si kandidat i vetëm me gjasë për të shtruar e përfaqësuar zërin e shqiptarëve në Luginë, atij i duhet e gjithë mbështetja e votuesve të Qendrës numër 6 në Tërnoc, për të kthyer prapa padrejtësinë e ripërsëritjes së votimit”, ka shkruar Abdixhiku.
Mbështetje për Kamberin kanë kërkuar edhe liderët e subjekteve tjera politike në trojet shqiptare si dhe intelektualë e aktivistë nga shoqëria civile.
Vet Kamberi ka thënë se ripësëritja e zgjedhjeve është përpjekje e shtetit për të shuar zërin e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.