Multimilioneri malazias akuzon Gjukanoviqin dhe DPS-në për afera të shumta korruptive

Multimilioneri malazias dhe pronari i Atlas Group Dushko Knezheviq ka akuzuar presidentin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq për veprime të shumta korruptive.

Knezheviq, përndryshe i larguar në Londër, deklaron se ka fakte të shumta në lidhje me veprat korruptive të Gjukanoviqit dhe DPS-së.

Ai ditë më parë ka publikuar një video-inçizim në të cilin shihet duke i dorëzuar kryebashkiakut të atëhershëm të Podgoricës Sllavolub Stjepoviq 100,000 dollar për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016.

Knezheviq tha se për 20 vitet e fundit, partisë në pushtet i ka dhënë miliona euro, dhe kjo me urdhër të Gjuknoviqit, duke theksuar se bizneset në Mal të Zi janë të detyruara që financiarisht të ndihmojnë pushtetin.

Ai përmes faqes së tij në instagram ka paralajmëruar se do të vazhdojë me publikimin e fakteve të reja për veprimet jashtëligjore të Gjukanoviqit dhe partisë së tij.

Gjukanoviq ka demantuar akuzat dhe ka thënë se Knezheviqin nuk e kishte mik. Ndërkaq Knezheviq vazhdon duke publikuar fotografi në ambiente të ndryshme private me Gjukanoviqin.

Ndërkohë autoritet malaziase kanë e kanë shpallë në kërkim Dushko Knezheviq si i dyshimtë për shpëlarje parash dhe vepra tjera korruptive.