Mungesë e vullnetit politik për reformën zgjedhore

Diskursi politik

Reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse është një nder prioritetet e pushtetit, por për realizimin e saj duhet  vullnet politik e konsenzus nga  partitë  parlamentare për realizimin e saj sipas standardëve bashkëkohore, duke vendosur listat e hapura si e drejtë legjitime të qytetarëve si kudo në botën demokratike

Nail  Draga

Opinioni i gjerë në Mal të Zi është i njoftuar se nismat për ndryshimet në  reformën zgjedhore  kanë dështuar, ndërsa përfundimi i pasuksesshëm i punës së tre grupeve punuese pas vitit 2014, është dëshmi e  mungesës së vullnetit politik që zgjedhjet dhe ligjet përcjellëse  të përshtatën  sipas standardëve  demokratike. Pikërisht në lidhje me këtë çështje, në fund të dhjetorit të vitit 2020, Kuvendi ka miratuar Vendimin për formimin e Këshillit për reformën gjithëpërfshirëse, ku me punë  ka filluar 7 muaj pas konstituimit të parlamentit. Një trup i tillë punues ka mbajtur  gjithsej  6 mbledhje,  por në sajë të fërkimeve politike, partitë politike  nuk kanë treguar gadishmëri  për të kriuar një kornizë  të re zgjedhore, e cila do të ishte në favor të avancimit të procesit zgjedhor në Mal të Zi.

Partitë, pengesa te reformës

Nuk ka dilemë se pengesë për ndryshime në ligjin zgjedhor janë vet partitë politike sepse ata nuk janë në gjendje qe të iu shmangën përfitimeve   qe ligji zgjedhor aktual iu mundëson gjatë procesit zgjedhor. Madje edhe nëse kanë tentuar për ndryshime, ata kanë qenë vetem kozmetike, pa ndonjë peshë të veçantë. Ky është realiteti në skenën politike në Mal të Zi ku të gjithë janë të vetëdijshëm  se duhen ndryshime në ligjin zgjedhor  nëse duan  të shkojnë në drejtim të anëtarësimit në BE.

Iniciativa  nga Presidenti i vendit

Duke parë neglizhencën e partive politike për reformën zgjedhore, presidenti i vendit Jakov Millatoviqi  me 12 dhjetor të vitit të kaluar i ka dërguar Kuvendit  të Malit të Zi inicijativeën për reformën e sistemit zgjedhor duke vendosur listat e hapura zgjedhore.

Ai ka vlerësuar  se nevoja për këtë reformë  paraqitet  nga deklarimi i ndjenjës së paknaqësisë të qytetarëve me gjendjen momentale të sistemit politik, i cili veçohet me mundësi të kufizuara të votuesve  që drejtpërdrejt  të ndikojnë në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre.

Me vendosjen e listave të hapura Mali i Zi do të bashkangjitej vendeve të shumta evropiane të cilët me sukses kanë implementuar sisteme të ngjajshme, duke siguruar pjesëmarrje me të madhe të qytetarëve në vendosje dhe demokratizimin e proceseve politike. Sistemi i listave të hapura do të ishte reforma e cila  do të mundësonte  që vota e çdo qytetari të vlerësohet -ka deklaruar Millatoviqi.

Siç ka vlerësuar, ky ndryshim do të ofronte transparencë më të madhe në procesin politik, do të mundësonte në ndikimin e  drejpërdrejt të qytetarëve   në zgjedhjen e përfaqësuesve dhe harmonizimin e sistemit zgjedhor me standardet demokratike bashkëkohore.

Mbetet të shohim se iniciativa e tillë  a do të  mbeshtetet nga partitë parlamentare në lidhje me reformën zgjedhore në Mal të Zi.

Kandidati preferencial

Përmes listave të hapura, qytetarët me votën e tyre të drejtëpërdrejt zgjedhin kandidatin e tyre e jo si deri më tash që iu ka imponuar partia. Në këtë aspekt në Mal të Zi ekziston përvoja, vetëm me rastin e zgjedhjes së presidentit, ku qytetarët kanë votuar të preferuarin e tyre, andaj në analogji duhet të ndodhë edhe me zgjedhjet parlamentare e ato lokale. Përvoja e vendeve të ndryshme është e mjaftueshme për realizimin e demokracisë direkte të elektorati votues. Andaj fillimisht Këshilli për reformën zgjedhore duhet të debatoj me përfaqësues të partive politike por edhe nga shoqëria civile, për të arritur konsenzuesin e nevojshëm për ndryshime cilësore.

Partitë  frikohen nga  listat e hapura

Në  Mal të Zi nga miratimi i pluralizmit vazhdohet me praktikën e listave partiake, ku  liderët e  partive,  vendosin renditjen definitive të listave zgjedhore, ku fillimisht vendosin vetën, e më pas bashkëpunëtorët më të afërt. Është pikërisht renditja e tillë e cila  iu pamundëson  qytetarëve të vendosin sipas vullnetit të tyre.

Ndonëse deri më tash në këtë aspekt ka pasur deklarime të rastit, e ate si zakonisht në fushatat zgjedhore, por, konkretisht nuk është bërë asgjë, sepse si pozita dhe opozita në këtë aspekt kanë pasur konsenzus të plotë. Nga një  hezitim të tillë del qartë se ata i frikohen listave të hapura, duke manipuluar elektoratin votues për qellime të tyre personale, apo klanëve të ndryshme duke iu servirur listen partiake e cila nuk  shpreh vullnetin e qytetarëve por të partive politike.

Qytetari, jo vetëm votues formal

Nuk ka dilemë së tretmani i tillë ndaj qytetarëve, dëshmon nënçmimin  e tyre duke i trajtuar si të  pa dënjë, përkatësisht  vetëm si votues apo shërbëtorë. Andaj ka ardhur koha  që të punohet për ndryshime, duke iu mundësuar qytetarëve të drejten e tyre të mohuar, si kudo në botën demokratike. Nëse do të ketë vullnet politik për të miratuar ndryshimet në ligjin zgjedhor, atëherë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ekzistojnë të gjitha gjasat që të votohet me lista të hapura që do të jetë në favor të demokracisë parlamentare sipas  standardëve evropiane.

Opinioni i gjerë e ka të qartë se nëse dëshirohet që premtimi për reformën zgjedhore të realizohet në praktikë, duhet të eliminohen interesat politike, të cilat deri me tash kanë qenë pengesa kryesore në mos miratimin  e një ligji të tillë.

Andaj i mbetet shumicës  aktuale parlamentare që në fokusin e veprimtarisë së tyre në këtë drejtim të angazhohën seriozisht për një kornizë të re zgjedhore, e jo për interesa të tyre politike, duke eliminuar paragjykimet, dukuri kjo e njohur vite me radhë në Mal të Zi si nga pozita dhe opozita, që është në kundërshtimin me interesat e qytetarëve.  

Njësi e veçantë zgjedhore për shqiptarët

Në lidhje me këtë çështje   shqiptarët në Mal të Zi duhet të përpiqen  për të gjetur formulen më të pranueshme  duke u bazuar në standardët ndërkombëtare.  Andaj është e udhës   të konsultohen ekpert të sistemeve zgjedhore nga vendi apo bota e jashtme. 

Pasi deri më tash në Mal të Zi kanë qenë në veprim disa modele zgjedhore, për shqiptarët ma i pranueshëm është njësia e veçantë zgjedhore, e cila ka dhënë pesë mandate të deputetëve, sikurse ka qenë deri në vitin 2011, e jo si është tash qe më së shumti mund të jap tre deputet.

Në këtë aspekt  përfaqësuesit politik të shqiptarëve duhet të eliminojnë  animozitetet personale, sepse reforma zgjedhore nuk është përfaqësim i një partie politike, por ka të bëjë me shqiptarët në tërësi që është  në favor të ruajtjës e mbrojtjës së identitetit politik e kombëtar të shqiptarëve në këtë mjedis.

                  (Janar  2025)