Ndërron jetë Dr. Isuf Dedushaj

Sot pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit, intelektualit dhe humanistit të madh të Vuthajve, Plavë-Gucisë dhe mbarë kombit shqiptar, Dr. Isuf Dedushaj.

Historia dhe vepra jetësore e Dr. Dedushajt do të mbeten përgjithmonë në analet më të larta të kombit shqiptar. Ai u rrit si jetim pasi UDB-ja jugosllave i pushkatoi babain, por Isufi vazhdoi rrugën e tij, të familjes dhe të truallit ku lindi e u rrit. Me përkushtim dhe sakrificë, ai arriti majat më të larta të dijes, duke u bërë një nga doktorët e parë në fushën e epidemiologjisë në mbarë botën shqiptare.

Atdheut i dhuroi gjithçka nga vetja, e mbi të gjitha, potencialin e tij të madh intelektual. Nga trualli i tij, ai vijoi misionin si udhërrëfyes, duke nxitur e frymëzuar shumë mjekë dhe intelektualë të shquar.

Humbja e Dr. Dedushajt është një dhimbje e madhe për kombin shqiptar dhe një plagë e rëndë për ne, Plavë-Guciasit, që humbëm një bir të shquar, i cili nuk do të harrohet kurrë.

Për detaje dhe kohën e varrimit të Dr. Dedushajt do t’ju njoftojmë në vijim.

Redaksia e portalit tonë ndan dhimbjen me familjen Dedushaj dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe.

I paharruar qoftë kujtimi i Dr. Isuf Dedushajt!

/Plava e Gucia Sot