Ndihma e Zotit e Pushka e Hotit: Lufta e Nokshiqit dhe Fitorja Shqiptare e vitit 1879

(ilistrim foto e bere me AI)

1.

Kryetrimi Murat Osmani i derës së moçme të Mahmudëve të Hotit, me istikamin e shpirtit e të barutit: “Ndihma e Zotit!”, në ag’ të 4 dhjetorit 1879 e theu “armëpushimin” me malazezët e Çetinës në frontin e Luftës të Ultinës së Epërme të Limit, me betejat e mëdha në vijën e epiqendrat luftarake Nokshiq-Arzhanicë-Pepaj Ai, luftoi i vetëm derisa u vra trimnisht me plagë në trup, diku përfundi Brezovicës, ende pa hy’ në Pepaj, në përballje me një skuadër vrojtuese-zbuluese-sinjalizuese në pararojë të ushtrisë së Teodor Milanit, vojvodë i Vasojeviçit.

Aty, pa vonue, ia mbrrinë dhe hotjanët e ardhun prej skej liqenit të Plavës, tue i ra trupas udhës në të shmajtë të Limit. U ndalën pa mbrri tek Ura e Arzhanicës. Ishin mbi 40 forca vullnetare të barqeve Haxhaj, Sinanaj, Mehaj, Hysenaj, Mujaj. Iu printe Alush Zmajli i Hotit… Këta, të parët, zunë prita në rajonin e tretë të veprimeve luftarake të forcave të krahinës e të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në zonën e Plavës. Atyne iu vuni lufta përballë forcat e ushtrisë të Mark Milanit, antar i Këshillit të Lartë të Shtetit të Malit të Zi, vojvodë i Kuçit. Ndoshta, ky rajon i përqëndruar e i ndarë në disa sektorë e nënrajone në vijën mbrojtëse Arzhanicë-Pepaj ishte ma i vështiri i Luftës në frontin e Ultinës së Epërme të Limit për mos dhanien e krahinës së Plavë-Gucisë principatës së vogël të Malit të Zi, sipas vendimit të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit (1878).

Aty, nënprefekti i kazasë së Gucisë, Ali Beg Gucia, e kishte çue edhe antarin e Shtabit Qëndror të Mbrojtjes së Plavë-Gucisë, sekretarin e tij personal, Mulla Jaha Musaj, me aftësi të sprovuara, me titull kadi (jurist) – i shkolluar në Stamboll, i këlmendas – i vllaznisë Nikç në Plavë. Në kit’ front luftarak të jashtëzakonshëm, në nënrajonin e Grykës së Limit, në vijën Pepaj-Murinë, një pjese të forcave vullnetare vendase, iu printe Avdyl Pepa, i berishas, i fshatit Pepaj, antar shtabi i zonës së Plavës. Në nënrajonin tjetër, nga Murina në Arzhanicë, i drejtonte forcat Zhujë Selmani i Rugovës, antar i Shtabit Qëndror të Mbrojtjes së Plavë-Gucisë. Një nga prijësit ishte edhe bajraktari i Arzhanicës…Numri i forcave u shumëfishua edhe me luftëtarë të ardhur nga Malësia e Gjakovës.

Nga Ramiz LUSHA (foto e bere ne Nokshiq)

2.

Një plumb flurudhë i “peticës Mskovi” gjuejt prej shkjaut malazez e kapi në rrasë të gjoksit një nga luftëtarët hotjanë. Ai plumb i zi e la pa pikë shpirti. Mbeti mbështet tek trupi i hapët i lisit e me njanën kambë tek guri i lidhtë me tokën. Si të ishte në një pozicion luftarak të përkryer. Pushkën e mbante shtërnguet fort, drejt përpara, me sy kah thepi i saj. Arma i mbeti e ngrehun, me gishtin në kamëz, thue se po i shenjon dikujt me i qit’ në ardhje drejt tij. Ashtu po rrinte: krejt i ngrirë, pa luejt vendit, pa lëshue fjalë.

-O çka a pushka o Kurti i Hotit, – i thirri bashkvendasi i tij hotjan tue ndejt gati në front, me pushkë për faqe, në pritje lufte me forcat malazeze të Mark Milanit.

Zani nuk iu përgjigj zanit, sipas adetit të tokës e traditës e luftës. Po ai za do i përgjigjej ndryshe kohës, do i fliste historisë, do të jehonte në breznitë e tokës e traditës shqiptare.

Një shkja malazez, me mision si zbulues, i mveshun me do degëza të gjelbra për maskim, po ecte paksa i krrusun tue kqyr gjithkahnash. Kur e ka pa hotjanin me pushkë në shenjë ka ra në gjunjë. Ndokush thotë se prej frike mos e vret e kanë dashtë me e lëshue kambët.

-Në besën tande o shqiptar! – i lutej malazezi.

Hotjani nuk po flet hiç. E qysh me fol ai martir i luftës. Edhe i hotjani tjetër përkundruall po rri në front e po sheh krejt huti se çka po ngjet, pasi në këso rastesh, sipas traditës shqiptare, kur kërkohet besë nuk qëllohet me armë.

-Unë e di çka a Besa e Shqiptarit… – po i lutet me përulje shkjau malazez i tronditur nga përballja më t’hotjanin dhe i habitur nga mos reagimi i tij për me i dhanë besë.

Malazezi i lëshon armët për tokë, i çon dy duart lart, ecë tue iu lut fjalë pas fjale për besë shqiptarit hotjan të vramun në luftë. Po shkonte me iu dorëzue në besë. Ai mendonte t’i shpëtonte jetën vetes së tij. Kur iu ka afrue krejt afër e ka ditë se shqiptari është i dekun. Ia pa çehren e fytyrës… E diti fort mirë se ka mbetë ashtu i ngrirë. E zgati dorën e djathtë e po don me ia marrë armën. Ia tërhjek me forcë.

Kësisoj, njikështu, as nuk e pritke kurrkush e as nuk mendohej prej kurrkujt. Pushka ish kanë me fishek në gojë. E ka lëshue krismen e vet. E ka marrë malazezin në të majtë, bash tek zemra. Dekun e në tokë. Kryet i ra mbi një gurë të thikë tue përgjak vendin.

Gjithçka e pabesueshme për skuadrën malazeze të zbulimit. Kjo, këtij grupi pararojë iu dukej si në andërr. Përndryshe: ikën me vrap në drejtim tjetër. Sa sytë kambët. U tutën keq se mos vepronin forca të mbinatyrshme. Asnjani prej tyre nuk e besonte se si mundej i vdekuni me e vra të gjallin. Prandaj, në atë udhë, atij krahu nuk i ra asnjë kambë ushtari malazez kur po ngjiteshin lumit të Limit përpjetë.

3.

Të nesërmen e përfundimit të luftës me fitore të shqiptarëve, pikërisht më 5 dhjetor 1879, nisën forcat e mbrojtjes vullnetare shqiptare të krahinës së Plavë-Gucisë e ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me i kqyr frontet e betejave, me i mbledh shqiptarët “shehit” (dëshmor) e me i hipë në kuaj për me i çue në vendvarrime sipas fshatrave e fiseve. Malazezët i linin në vende veç. Armatime e materiale malazeze, shumë prej tyre të markave ruse, i çonin si trofe lufte në Shtabin Qëndror të kazasë së Gucisë.

Kadiu Mulla Jaha Musaj, sekretari personal i Ali Beg (Pashë) Gucisë, prijtar ushtarak në rajonin e tretë të luftimeve, po vjen aty në afri të Urës së Arzhanicës. E kishte ndigjue historinë e hotjanit të vrarë, i cili dhe ashtu i dekun, e vrau shkjaun malazez pushtues e besëshkelës. Shkuen e panë në vend.

Hotjani i vdekun ende po rrinte ashtu – në pozicion luftimi. I paluejtun nga vendi e istikami luftarak. Arma i kishte mbet’ prapë në dorë. Për çudinë e të gjithëve: sikur po donte me gjuejt prapë mbi malazezët mësymës gjakatarë, pushtues kriminal.

Ai martir thuhet se ishte Kurti i Hotit, i derës së moçme rrënjase të Mahmud Hotit. Një trim i rrallë i fisit të Hotit e i krejt Luftës së Ultinës së Epërme të Limit. Ky binte kushëri i parë me Murat Osmanin. Të dy u vranë trimnisht në të njëjtën luftë, në të njëjten ditë – po në orë të ndryshme. Kurti iku pa lanë askand mbas vedit, asnjë trashëgimtar, përveçse kit’ akt të pazakontë në historinë e botës. Edhe emni, atë ditë e sot, i mbeti i përgjithshëm: Hotjani i Plavës. Një mbiemën trimnie i kohës.

Përballë hotjanit, mbeti malazezi i vramun. Ashtu: i pajetë, i përgjakun.

Gjithkahit u përhap fjala se një hotjan i Plavës, edhe i dekun, e ka vra një malazez të gjallë, një kriminel të madh.

4.

Prej dy vitesh, nga gushti 1878, fiset e Plavë-Gucisë, kit’ malazez kriminel gjakatar e disa të tjerë si ky, po i lypnin për gjak pushke për shpagimin e krimeve të kryera ndaj shqiptarëve.

Këta, në Pepaj i vranë tre barinj shqiptarë, dogjën shumë stane verimi etj. Në Arzhanicë sulmuan një familje, ia vranë njerëzit e shtëpisë, ua rrëmbyen bagëtinë dhe ua dogjën shtëpinë.

Kur shqiptarët etnikë nga Arzhanicë e Pepaj, kishin shkue në Luftën e Gjakovës (3 shtator 1878) kundër Maxharr Pashës (Mehmet Ali Pasha) e djegin xhaminë në Pepaj, e vrasin hoxhën e saj, Mulla Osman Çelën, të cilit ia presin kryet e ia vnojnë maje një huni të lartë në një sukë me u pa prej nga larg.

Në Arzhanicë e Pepaj i rrëmbyen pabesisht e fshehtësisht tri çika malësore si zanat e malit dhe ua presin cicat, tue i lanë gjallë e për gazep. Ata nuk donin që çikat shqiptare të bahen nana e për ma tepër të ushqejnë me gjinjtë e tyre fëmijë shqiptarë. Deri në kit’ cak e cen kishte mbrri urrejtja bio-politike e malazezëve të principatës të Krajl Nikollës ndaj shqiptarëve etnik.

Kryebanditë e banda të tilla me provokime e akte antishiqptare në kufi e territore të Plavë-Gucisë kishin një krye të parë, vet kushërinin e Krajl Nikollës, komandantin e trupave malazeze, Bllazho Petroviç, i cili ishte komandanti primat edhe i Luftës së Nokshiqit (Ultinës së Epërme të Limit).

5.

Aty, në afri të Urës së Arzhanicës, po vijnë hipun në kuaj e të shoqëruem me të vetët edhe bajraktari i Arzhanicës sëbashku me një nga prijësit ushtarak vendas të atyshëm, Avdyl Pepën. Takohen me kadiun Mulla Jaha Musaj e disa luftëtarë hotjanë…

Bajraktari i Arzhanicës e kryetrimi prijtar i Pepajve, Avdyl Pepa, kur e panë kryekriminelin malazez të vrarë nga nga hotjani martir (shehit), teksa e mësuan historinë e vecantë, iu thanë njëzani të pranishmëve aty:

-Ne kur shkojmë në luftë i thom njani-tjetrit: “Ndihma e Zotit”.

Mulla Jaha Musaj, kadiu i kazasë së Gucisë, e vazhdoi fillin e bisedës:

-Prej sodit kena me thanë “Dhe Pushka e Hotit”.

Kjo thanie aksiometrike i mbeti kohës si një urti të madhe, qyshce në betejën e dytë të Luftës së Ultinës së Epërme të Limit, në vijën frontale nga Nokshiqi në Pepaj (8-11 janar 1880). Nga prijësit Haxhi Zekë Byberi e Ali Beg Gucia e deri tek luftëtari ma i thjeshtë në frontin ballor të luftës e përdornin shprehjen madhore, të ditës: “Ndihma e Zotit e Pushka e Hotit”. Kjo thanie, tashma panshqiptare, e ka burimin tek fisi i Hotit në Plavë, vjen prej nga Lufta e Nokshiqit” (4 dhjetor 1879) e iu përcillet si kushtrim, mësim e mesazh kohës e breznive shqiptare.

(Ne foto: Ramiz Lushaj, autori i shkrimit, dale ne tetor 2012 ne Nokshiq, mbi rrenojat e xhamise, vend i disa kuvendeve te fshatit, Ne kit xhami ka pase sherbye dhe baba i akademikut Esad Mekuli).

Ky shkrim eshte nje fragment nga monografia “Hoti i Plaves”.