Me rastin e rinovimit te pompes së benzinës “Jugopetroll” në qendër të Beranës punëtorët kanë hasur në eshtra njerëzish.Pas këtij zbulimi janë angazhuar arkeologët nga Berana e Podgorica dhe janë konstatuar mbetjet e 9 skeleteve të përkatësisë islame.
Fjala është për varreza të lashta të cilat në vitet e gjashtëdhjeta të shekullit kaluar ishin mbuluar tërësisht me dhé nga regjimi jugosllav.
Lidhur me vazhdimin e gërmimeve të mëtejshme mungojnë mjetet materiale, e po ashtu mungon edhe mbështetja e Ministrise përkatëse dhe e institucioneve lokale.
Bashkësia Islame e Beranës me këmbëngulje kērkon që gërmimet arkeologjike të vazhdojnë, të nxjerren të gjitha mbetjet mortore dhe të rivarrosen në një lokacion tjetër me nderime e ceremoni fetare.
Por për shkak të mungesës së mjeteve materiale dhe mosinteresimit të institucioneve përkatëse shtetërore e lokale zbulimi i varreve të tjera të pagërmuara (numri i të cilëve nuk dihet) dhe transferimi i dinjitetshëm i mbetjeve mortore në ndonjë lokacion të ri mbetet gjë jo e sigurtë përkundër kërkesave të banorëve dhe të Bashkësisë Islame të Beranës./Plava e Gucia Sot


