Në Guci regjistrohen rastet e para të infektuara me virusin Covid-19

Rezultatet e fundit të Institutit të shëndetit publik tregojnë se në mostrat e testuara në laboratorët mikrobiologjik të tij, janë regjistruar tri rastet e para në Guci me rezultat pozitiv në virusin Covid-19. Rastet janë kontakte të rastit të identifikuar më parë.

Parametrat e Institutit në fjalë, dëshmojnë se në 538 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të tij gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi, janë regjistruar 3 raste të reja të diagnostifikuara pozitiv në virusin Covid-19. Të tri rastet janë nga Gucia dhe janë kontakt i rastit më parë të konfirmuar.

Në 295 mostrat e testuara dje (të enjten) prej orës 08:45 deri në atë 16:45, nuk është identifikuar asnjë rast i ri i prekur me koronavirus, dhe në 243 mostrat e testuara në intervalin kohor 16:45-08:20, janë regjistruar 3 raste të reja me rezultat pozitiv në virusin Covid-19. Të tri rastet janë nga Gucia, të cilat njëherit janë rastet e para të regjistruara deri më tani në këtë qytet.

Rezultatet e sipërshënuara dëshmojnë se numri i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi, prej rastit të parë e deri më tani, ka arritur në 319 (177 meshkuj dhe 142 femra), prej të cilëve 58 janë fëmijë dhe të rinj (23 të moshës 0-9 vjeçare dhe 35 të moshës 10-19 vjeçare).

Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-161,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues: ndihmësi i drejtorit të Institutit të shëndetit publik, dr. Senad Begiq dhe drejtori i Institutit për sëmundje të fëmijëve në Qendrën klinike të Malit të Zi, dr. Sasha Radoviq, në konferencën për media, kanë dhënë një vistër përgjigjesh koncize e analitike me të dhëna të bollshme gjithëpërfshirëse në pyetjet e shumta të gazetarëve mbi gjendjen dhe situatën epidemiologjike në vend.

Në fillim të punës së konferencës, dr. Begiq, në elaborimin e vet ka theksuar se gjendja epidemiologjike në Mal të Zi është e volitshme dhe stabile, por edhe më tutje nën kontroll. Për rezultatet e larta të arritura në këtë drejtim, merita kanë të gjithë. Në vazhdim ai ka konfirmuar se rezultatet e fundit të Institutit dëshmojnë se në Mal të Zi me koronavirus deri më tani janë infektuar 319 persona. 123 janë shëruar, 7 prej të cilëve në 24 orët e fundit (në Bijello Pole – 4, Tivarë – 2 dhe Podgoricë – 1) dhe 5 persona të sëmurë nga koronavirusi kanë vdekur. Në Mal të Zi momentalisht të infektuar me virusin Covid-19 janë 191 persona, prej të cilëve 52 fëmijë dhe të rinj, kurse nën mbikëqyrje janë 1974 qytetarë.

Ndërkaq, kolegu i tij, dr. Radoviq, të pranishmit i ka njoftuar mbi gjendjen e të sëmurëve të hospitalizuar në Qendrën klinike në Podgoricë, ka theksuar se në trajtim mjekësor gjenden 17 të sëmurë, 10 prej të cilëve në Klinikën

infektive, gjendja e të cilëve është stabile. Në Klinikën interne për trajtim gjenden 7 të sëmurë, 4 prej të cilëve në përkujdesje intensive, 3 të kyçur në respirator për shkak të gjendjes së keqësuar, në rrezik jete. Dr. Radoviq, në vazhdim të elaborimit ka theksuar se për trajtim spitalor, janë të hospitalizuar gjithsej 24 të sëmurë: në Qendrën klinike në Podgoricë – 17, në spitalet e Tivarit dhe Nikshiqit nga 3 dhe në atë të Beranit 1 i sëmurë.

Raportet e fundit të institucioneve nacionale të shëndetit publik në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dëshmojnë se gjendja epidemiologjike ka këta parametra:

Në Shqipëri: 678 të infektuar, 394 të shëruar dhe 27 të vdekur;

Në Kosovë: 669 të infektuar, 159 të shëruar dhe 19 të vdekur;

Në Serbi: 7276 të infektuar, 1063 të shëruar dhe 139 të vdekur;

Në Kroaci: 1981 të infektuar, 883 të shëruar dhe 50 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1413 të infektuar, 485 të shëruar dhe 54 të vdekur;

Në Slloveni: 1366 të infektuar, 211 të shëruar dhe 79 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1300 të infektuar, 301 të shëruar dhe 56 të vdekur.

Shaban Hasangjekaj