Në Komunën e Podgoricës vetëm edhe tre të infektuar aktiv prej gjithsej 164 sa kanë qenë të prekur me koronavirus

Ndër 13 komunat e Malit të Zi të prekura me virusin Covid-19, Komuna e Podgoricës ka prirë dukshëm për kah numri më i madh me të infektuar. Prej gjithsej 324 të prekurve në Mal të Zi, prej rastit të parë e deri më tani, afro gjysma e tyre apo 164 sish, janë nga kjo komunë.

Mirëpo, rezultatet e fundit për shëndetin publik konfirmojnë se ndër gjashtë komunat e mbetura ende me të prekur aktiv, në Komunën e Podgoricës pas tre të shëruarve të shpallur në testimet e fundit, të infektuar aktiv kanë mbetur vetëm edhe tre persona.

Të dhënat e Institutit në fjalë dëshmojnë se në 158 mostrat e testuara gjatë 24 orëve të fundit në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i prekur me koronavirus dhe se numri i të infektuarve prej rastit të parë e deri më tani ka mbetur i pandryshuar – 324, prej të cilëve 59 janë fëmijë dhe të rinj të moshave 0-19 vjeçare.

Raportet e Institutit, po ashtu tregojnë se numri i të shëruarve është në rritje të vazhdueshme: në dy testimet e fundit të njëpasnjëshme në mostrat e prekura me koronavirus, katër persona (tre nga Podgorica dhe një nga Herceg Novi) kanë rezultuar negativ në virusin Covid-19 dhe janë shpallur të shëruar, ashtu që numri total i të shëruarve në Mal të Zi, është ngritur në 294, kurse ai i të infektuarve aktiv ka rënë – në 21 (në Ulqin – 10, në Podgoricë, Tivarë e Guci nga 3 dhe në Plavë e Bijello Pole nga 1), dhe se virusit Covid-19 nuk i kanë përballuar 9 të sëmurë të cilët janë viktima të tij.

Në Mal të Zi, ende ekziston një numër i konsiderueshëm personash nën mbikëqyrje, numri i të cilëve është 1133.

Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-164,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-23,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-7,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Edhe në shtetet e rajonit situata epidemiologjike është në përmirësim e sipër. Numri i rasteve të reja me koronavirus është në rënie, kurse ai i të shëruarve në rritje, ku më shumë e ku më pak. Numri i të vdekurve po ashtu është në rënie.

Sipas të dhënave të instituteve të tyre relevante, në 24 orët e fundit ka këta parametra:

– Në Shqipëri: 876 të infektuar, 682 të shëruar dhe 31 të vdekur;

– Në Kosovë: 895 të infektuar, 657 të shëruar dhe 28 të vdekur;

– Në Serbi: 10176 të infektuar, 3290 të shëruar dhe 218 të vdekur;

– Në Kroaci: 2196 të infektuar, 1784 të shëruar dhe 91 të vdekur;

– Në Bosnje e Hercegovinë: 2158 të infektuar, 1168 të shëruar dhe 117 të vdekur;

– Në Slloveni: 1461 të infektuar, 259 të shëruar dhe 102 të vdekur dhe

– Në Maqedoninë e Veriut: 1664 të infektuar, 1200 të shëruar dhe 91 të vdekur.

Për faqen e Portalit “Plava dhe Gucia Sot”

Shaban Hasangjekaj