Në Kongresin amerikan ​paraqitet rezoluta që kërkon ndëshkimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Kongresistë amerikanë kanë paraqitur Rezolutën 26, e cila dënon krimet e dhunës seksuale të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe u jep përkrahje të mbijetuarve të këtyre krimeve.

Lajmi është bërë i ditur nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila e cilëson këtë rezolutë si një zë të fuqishëm dhe të vonuar, por të domosdoshëm, në drejtim të kërkimit të drejtësisë për të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Një betejë e gjatë, e dhimbshme dhe e heshtur që më në fund po merr vëmendjen që meriton. Mirënjohje për Vasfije Krasniqi Goodman – simbol i guximit – dhe Vera Mjeku për përkushtimin dhe zërin e palodhur në këtë rrugëtim drejt së vërtetës. Kjo rezolutë sjell shpresë për çdo të mbijetuar që ka pritur drejtësi për vite me radhë,” thuhet në reagimin e Shyrete Tahiri, Ramadan Nishori, përfaqësuese nga QKRMT.

Rezoluta 26 konsiderohet si një hap i rëndësishëm ndërkombëtar për të theksuar nevojën për drejtësi dhe njohje për viktimat e dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin global mbi këto krime që shpesh janë mbetur në heshtje për dekada.

Rezoluta është paraqitur nga kongresistja Julie Johnson, ndërsa është sponsorizuar nga kongresistë tjerë si Keith Self, Ritchie Torres, Jim McGovern, Marc Veasey, Alexandra Ocasio-Cortez, George Latimer, Mike Lawler dhe Ilhan Omar.

“Forca e Vasfijes ka frymëzuar njerëz të shumtë në mbarë botën, por drejtësia për atë që ajo duroi kurrë s’ka ardhur. Kjo rezolutë dërgon një mesazh të qartë: komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të shikojë larg nga krimet e luftës. Të mbijetuarit meritojnë përgjegjësi – jo heshtje. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me atë që ndodhi 25 vjet më parë – ka të bëjë me atë që ne jemi të gatshëm të bëjmë tani për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut, për t’i fuqizuar të mbijetuarit dhe për të thënë të vërtetën”, ka thënë kongresistja Johnson.

Vasfije Krasniqi ka falënderuar kongresistët për rezolutën.

Në rezolutë i kërkohet Qeverisë së Kosovës t’i mbajë zotimet ndaj të mbijetuarve dhe t’u japë prioritet rasteve të pazgjidhura të dhunës seksuale nga lufta e vitit 1999.

I bëhet thirrje Qeverisë së Serbisë t’i ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për krimet seksuale gjatë luftës.

I bën presion Qeverisë së SHBA-së që të lartësojë rastin e Vasfije Krasniqi-Goodmanit në angazhimet diplomatike me Serbinë dhe të forcojë përpjekjet e SHBA-së për ta parandaluar dhunën me baza gjinore në nivelin global.

“Kjo rezolutë është dëshmi e një përkushtimi të palëkundur ndaj drejtësisë dhe llogaridhënies për 20 mijë të mbijetuarve të krimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë. Faleminderit për mbështetjen tuaj të pandërprerë ndaj të mbijetuarve në kërkim tonë për drejtësi dhe llogaridhënie, dhe mezi presim ta zhvendosim këtë legjislacion në Komision për Punë të Jashtme dhe edhe më tej”, ka thënë Vasfije Krasniqi.

Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, nuk dihet.

Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20.000.

Megjithatë, statusin ligjor si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës e kanë marrë vetëm afër 2.000 persona.

https://www.facebook.com/share/p/16Ykprb3pu/?mibextid=wwXIfr