NË KUJTIM TË NJË DITE HISTORIKE – DITA E FLAMURIT KOMBËTAR

Nga: Hajrullah Hajdari

Historia e çdo populli ka datat e saja të shënuara që mbeten tëpandryshuara. Ata i rezistojnë  kohës dhe nderohen e përkujtohen nga brezat e popullit në vazhdimësi e përjetësi. Edhe populli ynë ka datat e shënuara që janë monumente tëpalëkundura në historinë e tij mijëravjeçare. Për shqiptarët, pa mëdyshje, muaji nëntor është muaji më përcaktues i simbolikës sonë historike. Shqiptarët kudo që janë e shënojnë dhe e festojnëme krenari dhe emocione ditën më të madhe të kombit 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtarë. Kjo ditë i referohet shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912 dhe ngritjës së Flamurit Kombëtar në Vlorë, e cili përputhet me të njëjtën ditë kur Skënderbeu e ngriti flamurin e njëjtë në Krujë, më 28 nëntor 1443.

E kemi obligim nga të parët që këtë ditë ta ndërojmë të gjithë, duke kujtuar kështu sakrificën sublime të të rënëve të popullit shqiptar, të qindra e mijëra të rinjve e të moshurve, grave e burrave ndër shekuj, që flijuan jetën e tyre për atdhe e për flamur. Falë sakrificës së tyre, shqiptarët, kudo që gjenden, ku jetojnë e ku veprojnë, sot festojnë, martohen e gëzohen me flamurin tonë kombëtar. Ai është letërnjoftimi i shqiptarëve, me te identifikohemi kudo se jemi shqiptar. Dita e flamurit është festa e krenarisë sonë, është festë e rimëkëmbjes së dinjitetit dhe forcimit të ndërgjegjes sonë kombëtare. 

Gjatë të kaluarës së vështirë historike, kjo datë e rëndësishme është shënuar e festuar në kushte dhe mënyra të ndryshme. Kjo veçanërisht vlen për shqiptarët të mbetur jashtë kufijve të shtetit amë –Shqipërisë, të cilët jetojnë të grimcuar rreth e përqark shtetit amë që nga Ulqini, Kraja, Malësia, Rozhaja e Plava Gucia, Kosova, Maqedonia e më në jug Çamëria.

Shqiptarët në Mal të Zi që u detyruan të jetonin në një shtet sllavë, me të cilin nuk i lidhte asgjë e përbashkët, as historia e as gjuha, kultura, etnografia e shumë çka tjetër për arsye të shovenizmit të theksuar malazez apo ideologjisë së tepruar komuniste, u privuan nga e drejta e shënimit dhe festimit të kësaj date historike kombëtare. Kushdo nga shqiptarët që guxonte të përmendte këtë datë, e jo më të festonte, denoj rëndë e njollosej si nacionalist, irredentist e armik i shtetit ku jetonte ( Mali i Zi, Serbi)!- Më 28 Nëntor 1944 në Ulqin u festua Dita e Flamurit Kombëtar 

Me kapitullimin e Mbretërisë Jugosllave, tokat shqiptare nën okupimin e saj u ndanë në tri zona pushtuese. Ulqini, fillimisht i takoi zonës pushtuese italiane ndërsa pas kapitullimit të Italisë zonës pushtuese gjermane. Otganizimi i pushtetit civil në Tokat e Liruara filloi në gusht të vitit 1941.Bashkimi i tokave shqiptare, të mbetura jashtë kufirit shtetëror, me Shqipërinë, u prit me entuziazëm të lartë të popullsisë shqiptare. Pritshmëria e tyre së shpejti u bë realitet. Pothuajse në mbarë territorin e Tokave të Liruara u hapën shkollat e para në gjuhën amtare shqipe, administrata publike  po ashtu mbahej në gjuhën shqipe dhe kudo valvitej flamuri kombëtar. Natyrisht, edhe në Ulqinin shqiptar, këto të mira kombëtare u realizuan dhe u përjetuan me entuziazëm të madh!

Kështu, sipa një akti zyrtar të Gjindarmërisë Shqiptare, më 28 Nëntor të vitit 1943, në Ulqin u festua Dita e Flamurit Kombëtar. Më poshtë, këtë dokument po e japim në tërësi:(Burimi:AQSH,F.154)  

Shteti shqiptarë

Arma e Gjindarmaris Shqiptare

Nr.164-44/1,                                                                               Ulqin, më 29 -11- 1943.

Shkurtimi.Mbi festimin e -28-të Nantorit

                                                                                                     Komandes Qarkut Gjindarmeris

                                                                                                                                      Sh k o d ë r 

Parashtrojm se dita – 28 – Nantor u festue me enthuzjazem si mbas programit të perpiluem prej Sekretarit të Nenprefektures si vijon:

Në ora -10- nji shumicë e Popullit nga Qyteti dhe t’ardhun nga krahinat u grumbullue para Bashkis e s’andejmi t’udhequn prej autoriteteve lokale u shkue në Xhamij e Kish ku u zhvilluen lutjet fetare.

Në ora -11- Kryetari i Bashkis z.Hajdar Daka në Ballkonin e Bashkis mbajti fjalimin e rastit dhe mbandej priti vizitat në sallen e Bashkis, mbasi mbaruen vizitat në Bashki populli u shpernda tue kendue kangë Kombëtare neper rruget e qytetit, e keshtu të tan dita mbaroi me qëtsin ma të madhe me gëzime e brohoritje e zbrazje armesh prej Vullnetarve.

Shtojmë se në ceremonin e zhvillueme prej Nenpunsave kan marr pjes vetem Sekretari i Nenprefektures Z.Qamil Vasia, Protokolisti Sadik Kruja, Ahmet Bushati e Shaban Zaganjori dy të fundit N/Punes të Finances me dy Tagrambledhsa, prej Malazezve kan marrë pjes vetem -4- veta.

                                                                                            Z.V. Komandat’i Gjind.

                                                                                                        Aspirant  

                                                                                                     (Mustafa Duka)  

                                                                                                                                              Nënshkrimi

Sa do i thjeshtë që ishte festimi i Ditës së Flamurit Kombëtar, në atë Nëntor të vitit 1943, ai  do të mbetet ëndërr i shqiptarëve të ripushtuar nga Jugosllavia, deri në shpërbërjen e saj. 

Shpresojmë se shqiptarët në Mal të Zi, të përçarë e të coptuar në shumë parti politike, pa bashkërendim e bashkëveprim, pa platformë politike, së paku në këtë ditë të shënuar historike për kombin tonë të jenë të bashkuar, të festojnë e të gëzojnë me dinjitet së bashku e më një gojë të këndojmë: “Rreth Flamurit të bashkuar….”. Me këtë rast po përkujtoj vetëm një thënje të Skenderbeut: “Shtini duart në brez shoqi-shoqit, që të mbani njëri-tjetrin, mos t’u hyj dikush në mes e të mos u çajë bota”. Ah, sa domëthënëse është kjo porosi, sot e përgjithmonë!