Në Mal të Zi, ashtu edhe siç u njoftua ditë më parë, arriti kontingjenti prej rreth 200.000 doza të vaksinës kineze Sinofarm. Vaksinat u prokuruan pas negociatave të drejtpërdrejta bilaterale midis qeverive të Malit të Zi dhe Republikës Popullore të Kinës.
Në emër të Qeverisë së Malit të Zi në Aeroportin e Podgoricës, arritja e vaksinave Sinofarm u mirëprit nga Ministrja e Shëndetësisë Jelena Boroviniq Bojoviq , si dhe Liu Jin, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Kinës në Malin e Zi. Duke shprehur kënaqësinë për arritjen e vaksinave, ministrja Boroviniq Bojoviq falënderoi Republikën Popullore të Kinës për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm dhe marrëdhëniet tradicionalisht të mira, të cilat rezultuan në arritjen e këtij kontingjenti të madh. Ajo përsëriti se respektimi i masave epidemiologjike është një parakusht për një vaksinim cilësor dhe se procesi kërkon një kohë të caktuar, prandaj u kërkoi qytetarëve të respektojnë atë periudhë dhe t’i kushtojnë vëmendje të veçantë masave epidemiologjike.
Ministrja njoftoi fillimin e vaksinimit masiv dhe u bëri apel qytetarëve që t’i përgjigjen thirrjes për të marrë vaksinën kundër COVID-19.