Në përvjetorin e rënies heroike të dëshmorit Sejdi Smajl Kralanit me origjinë nga Vuthajt

Dëshmori Sejdi Smajl Kralani  është me origjine nga fshati Vuthaj  i Gucisë. Sejdi Kralani është një nga pasardhësit e denjë të truallit të fisnikut Vuthajn  Dem Gjekes e që në Vuthaj njihen si vëllazëria Vukaj. Përndryshe , Kralanasit me origjine nga Vuthajt njihen si pjesëtar të familjes bujare të  kullës së mirënjohur të Shaban Zekes. Stërgjyshi i  dëshmorit Sejdi Kralanit ishte fisniku , Rahman Shaban Zeka.

 Rahman Shaban Zeka nga Kralani  para më shumë se 130 viteve ç’vendosët nga Kralani për të vazhduar jetën  në Verbovc të Drenasit ku gjenden edhe sot kjo familje bujare.

 Bazuar në brezni dhe për të ndriçuar prejardhjen e familjes atdhetare të dëshmorit Sejdi Kralanit është kështu: Sejdi-Smajl-Sejdi-Rahman-Shaban-Zeka-Kurti-Dem-Gjeka.

Biografia e Sejdi Kralanit deri në flijim i ti për atdhe

Sejdi Smajl Kralani (7.12.1959 – 30.4.1999)

Drenica e legjendave të trimërisë, në të gjitha epokat e së kaluarës është shquar për kontributin, që i ka dhënë çlirimit të vendit nga pushtues e robërues të ndryshëm. Në luftën heroike të UÇK-së, duke ndjekur shembullin e sakrificës së Legjendarit Adem Jashari dhe familjes së tij, mijëra liridashës nga këto anë, por edhe nga tërë Kosova dhe trojet shqiptare, morën armët për luftë deri në fitore.

Drenica, luftës së UÇK-së i ka dhënë qindra dëshmorë e mijëra martirë. Në mesin e dëshmorëve e martirëve të kësaj lufte janë edhe vëllezërit, Sejdi Smajl Krelani, dëshmor dhe Gani Smajl Krelani, martir nga fshati Verboc i Drenasit po ashtu edhe kusheriri Adem Krelani. Vëllanë e tyre Azemin forcat serbe e kishin marrë peng gjatë luftës dhe e kishin mbajtur në burg, deri më 24 prill të vitit 2000. Banorët e këtij fshati të njohur për qëndresë dhe trimëri luftës për çlirimin e Kosovës i kanë dhënë 86 dëshmorë e martirë.

Sejdi Krelani lindi më 7 dhjetor të vitit 1959, në fshatin Fortesë, (ish-Verboc). Babai Smajli dhe nëna Hyrija, lindën e rritën bijtë: Sejdiun, Azemin, Bedriun, Elhamin, Ganiun, Agimin dhe Bashkimin, si dhe bijat: Bukurinë dhe Lirinë. Prej tyre, ka rënë në luftë Sejdiu, është martirizuar Ganiu, ndërsa Bedriu para luftës kishte humbur jetën në një aksident. Shkollën fillore, Sejdiu e kreu në fshatin Terstenik. Shkollën e mesme e ka përfunduar në Drenas.

Ka marrë pjesë në demonstratat e Marsit dhe Prillit të viti 1981, në Drenas. Pastaj ishte regjistruar në Fakultetin e Metalurgjisë në Mitrovicë por nuk i kryen studimet, në mungesë të kushteve ekonomike. Pranohet në punë në Fabrikën e Feronikelit ku ka punuara deri në aplikimin e masave të dhunshme nga regjimi kriminal i Serbisë së Milosheviqit në vitin 1990. Ka marrë pjesë edhe në demonstrata e protestat e viteve 1989-1990 kundër regjimit serb, i cili kishte pezulluar edhe autonomin e Kosovës.

I edukuar në frymë atdhetare, nga familja dhe nga dajat, familja e Bajram Zenës, (Mehajt) e Prekazit të Ulët, si dhe shembulli i trimërisë legjendare të Shaban Palluzhës dhe luftëtarëve nacionalistë të Drenicës e mbarë Kosovës, Sejdi Krelani qysh herët e kishte trasuar rrugën e tij në drejtim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Kishte simpati për trimat e “Ballit Kombëtar” dhe për veten kishte sajuar nofkën “Ballisti”. Në vitin 1978 martohet me Nexhmie Nikën nga fshati Gllanasellë, një familje e njohur atdhetare. Duke qenë i mbrujtur me ideale kombëtare dhe duke mos e reshtur veprimtarinë atdhetare ai bie në sy të inspektorëve të UDB-së, të cilët e mbanin nën vëzhgim. Për shkak të aktivitetet të hapur atdhetar dhe pjesëmarrjes organizator në protesta e demonstrata disa herë ka qenë i arrestuar dhe i mbajtur në burg.

Herën e fundit në vitin 1989 është arrestuar dhe ka mbajtur dënimin gjashtë muaj burg, në Smrekovnicë. Me qëllim për të vazhduar aktivitetin patriotik, vendos të largohet përkohësisht nga Kosova. Fillimisht, familjen e cila banonte në Drenas e kthen në vendlindje, në fshatin Verboc, për shkaqe sigurie. Pastaj me shokin e tij të ngushtë, Ymer Elshani, nga fshati Gllobar kalojnë kufirin dhe vendosen në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Tiranë arrijnë të marrin pasaporta të Republikës së Shqipërisë dhe të dy vendosen në Zvicër, ku asokohe kishte shumë azilantë dhe veprimtarë nga Kosova. Gjatë qëndrimit në Cyrih dhe në qytete të tjera të Zvicrës, Sejdi Kralani vazhdon aktivitetin e tij atdhetar në kuadër të “Ballit Kombëtar Shqiptar” por mbanë lidhje edhe me Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila asokohe merrej me përgatitjen e luftës kundër regjimit shtypës, okupator, të Serbisë. Më 2 shkurt të vitit 1998, largohet nga Zvicra dhe përmes lidhjeve me grupet e UÇK-së hyn në Kosovë.

Fillimisht viziton familjen në Fortesë dhe fillon kontaktet me pikat e UÇK-së që kishin filluar të krijoheshin kudo në fshatrat e Drenicës e më gjerë. Asokohe sistemohet në mesin e luftëtarëve të UÇK-së në Dobroshec ku edhe ka vepruar në pikë-pozicionin në vendin e quajtur, “Guri i Plakës” në kufirin mes fshatrave: Dobrashec- Godanc-Graboc. Pas luftimeve në Qirez e Likoshan, kur serbët në shenj hakmarrjes vranë e masakruan dhjetëra banorë të këtyre fshatrave, Sejdi Kralani ka kontaktuar me gazetarë të huaj i cili e njihte gjuhen ku te cilëve u ka dhënë informacione lidhur me krimet që kishin kryer serbët kundër popullatës civile, në këto fshatra të Drenicës.

Në qershor të vitit 1998, me bashkëluftëtarët e tij: Xhelil Prenku, Xhavit Kastrati, Gani Prenku, Haxhi Prenku, Luan Prenku, Jashar Jashari, (dëshmor) e luftëtarë të tjerë ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në Bardh të Madh e në Hade. Gjatë luftimeve në atë betejë kanë rëndë dëshmorë: Mentor Dërvishaj nga fshati Zabllaq i Burimit, Xhemajl Mehmeti nga Plluzhina dhe Ismet Uka nga fshati Ticë i Skënderajt. Më 31 gusht të vitit 1998, Sejdi Kralani i kishte dhënë një intervistë gazetarit, Emin Emini, për gazetën “Kombi”.

Në intervistën e tij, ai flet për angazhimin në luftën e UÇK-së, duke bërë thirrje që të gjithë shqiptarët liridashës, pa dallime mbi baza politike e ideologjike t’i bashkoheshin luftës për liri dhe pavarësi. Ai, duke folur për grupet, për pikëpamjet e tyre ideologjike e politike, kishte saktësuar se pavarësisht dallimeve politike, lufta e grupeve, edhe e atyre me prejardhje nga Balli Kombëtar, duhej të shkrihej si pjesë e pandarë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, meqë ajo është forca e vetme dhe relevante në vend. Ai nuk i kishte përçmuar as angazhimet e grupimeve të tjera, por ishte treguar këmbëngulës që lufta të zhvillohej në komandën UÇK-së.

Në intervistën e tij u kishte bërë thirrje të gjithë politikanëve të unifikonin qëndrimet dhe të mbështesin luftën çlirimtare, e cila asokohe ishte përhapur gati në gjysmën e territorit të Kosovës. Gjatë ofensivave të korrikut e shtatorit të verës së vitit 1998, Sejdi Kralani ka qenë i sistemuar në Brigadën 114, “Fehmi Llardovci” të Zonës Operative të Drenicës, në pozicionin te “Guri i Plakës”, në kufirin mes fshatrave: Dobrashec- Godanc-Graboc. Ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në fshatin Palluzhë, me ç’ rast me bashkëluftëtarët e tij kishte shkatërruar një autoblindë të forcave serbe dhe gjatë luftimeve kishin vrarë edhe disa kriminelë serbë.

Luftimet rrepta në këtë zonë të Drenicës ishin zhvilluar sidomos pas intervenimit të NATO-s më 24 mars të vitit 1999, kur forcat serbe kishim marrë ofensivë të përqendruar kundër të gjitha pozicioneve të UÇK-së, por edhe kundër popullatës civile, e cila ishte në shënjestër të forcave serbe, me qëllim për marrjen peng të tyre, në shenj hakmarrje nga bombardimet nga ajri të aeroplanëve të Aleancës Veriatlantike. Vetëm në Fortesë asokohe ndodheshim rreth 10.000 pjesëtarë të popullatës civile. Luftëtarët e UÇK-së bënin përpjekje mbinjerëzore për t iu shkuar në ndihmë popullatës, por sapo shiheshin uniformat e UÇK-së, serbët fillonin plojën mbi shqiptarët e zhvendosur. Kështu ndodhi edhe më 29 prill kur popullata e degdisur nuk dinte nga t’ ia mbante dhe një pjesë syresh ishin nisur në drejtim të Forteses ish Verbovc Në mëngjesin e hershëm të 30 prillit, Sejdi Kralani takohet me të ëmën dhe i thotë: Nënë, po përshëndetemi, sepse nuk dihet çka na sjellë e sotmja apo e nesërmja”.

Nënës i kishte treguar se kishte armë dhe do të luftonte për të mos lejura që forcat serbe të vrisnin popullatën e strehuar në ato anë. Në shtëpinë e tij ishin më shumë se 100 banorë të zhvendosur, gra fëmijë pleq, dhe ai ishte betuar, që edhe me çmimin e jetës të vihej në mbrojtje të popullatës. Me këtë qëllim kishte zënë pozitë në vendin e quajtur, “Kokil”, duke pritur forcat serbe që ishin nisur në atë drejtim. Kishte zënë pozitë strategjike mes dy gurëve të mëdhenj dhe ishte përgatitu për sulm, me qëllim që ndërkohë popullata të largohej. Ndërkohë, te pozicioni i tij kishte shkura edhe hoxha Driton Kastrati, të cilit i kishte treguar se do të rezistonte.

Hoxhës i ofron disa bomba dore, meqë nuk kishte armatim të mjaftueshëm. Sapo ishin afruar forcat serbe, Sejdiu ngrihet ne kemb dhe qellon ne lulen e ballit paramilitarin serb ball per ball lufton me armikun pasiqe e vrau aktivizon granatat e dorës dhe duke shkaktuar panik te armiqtë arrin të marrë një automatik nga serbi i vrarë. Derisa kishin zgjatur luftimet shumë banorë të zhvendosur ishin larguar nga ndjekja që po u bënin serbët. Disa çaste më vonë, trupin e Sejdi Kralanit e kishin goditur plumbat e një snajperisti serb. Ai kishte rënë i bindur se fitorja po arrije falë gjakut të derdhur të çlirimtarëve, gjak të cilin e kishte derdhur edhe ai.

Hoxha Driton Kastrati kishte marrë disa plagë por kishte shpëtuar gjallë. Vëllezërit dhe bashkëluftëtarët e tij e marrin trupin e dëshmorit, Sejdi Kralani dhe e varrosin ne nje vend aty afer pikes se kokilit. Më vonë bashkëluftëtarët e kanë rivarrosur në kompleksin e Varrezave në fshatit Polac. Po atë ditë, forcat ushtarake e policore serbe e kishin zënë vëllanë e Sejdiut, Gani Kralanin dhe kusheririn e tij Adem Krekanin, të cilet i dërgojnë te Xhamia e fshatit Çirez ku edhe e torturojnë mizorisht. Më 2 prill, serbët e marrin Ganiun e Ademin dhe shume të tjerë dhe i pushkatojnë në vendin e quajtur “Te Shavarinat”, afër minierës së Feronikelit në fshatin Çikatovë.

Pas disa diteve serbët arrestojnë edhe vëllanë e Sejdiut e Ganiut, Azem Kralanin, të cilin në mesin e qindra të tjerëve e marrin peng dhe i dërgojnë në Burgun e Pozharevcit në Serbi. Azemi lirohet nga burgu më 24 prill të vitit 2000. Me nderhyrjen e nderkombetareve. Prej datës 30 prill, kur kishte rënë dëshmorë edhe vetë Komandanti i Zonës së Drenicës, Ilaz Kodra e deri më 3 maj 1999 forcat kriminale serbe kishin vrarë qindra shqiptarë të fshatrave: Fotesë, Terstenik, Gllanasellë e fshatra të tjera të kësaj pjese të Drenicës. Sejdi Kralani ka qenë i martuar dhe ka lënë: bashkëshorten, Nexhmie, bijat: Lumnijen, Sanien e Ganimeten si dhe bijtë: Flamurin e Dinin. Familja ka marrë mirënjohje e falënderime nga SHP i UÇK-së, nga Brigada 114 e Zonës Operative të Drenicës, nga Komuna e Drenasit dhe shoqatat e luftësdhe shume te tjera.Për dëshmorin, veprimtari, Ajet Shala ka shkruar librin: Antologji, Idealit të dëshmorit të kombit, Sejdi Kralani, “Ballisti”.

radiokosovaelire.com