Manifestimi i përbashkët pesëditor i Takimeve të XLIII letrare të Plavës dhe i Kolonisë së XVIII figurative të këtij qyteti, i organizuar nën moton “Vjeshta kulturore e Plavës 2019”, filloi në orët e mbrëmjes të së enjtes, me homazhin mbi jetën dhe veprimtarinë e bujshme dhe të shumanshme: artistike, letrare, kulturore dhe politiko-shoqërore të piktorit akademik, shkrimtarit, publicistit dhe veprimtarit të mirënjohur plavjan, Ibrahim – Ibro Rekoviq, me rastin e tremujorit të ndarjes së tij nga jeta.
Moderatorja e programit të homazhit, në fjalën për jetën dhe opusin e gjerë krijues artistik letrar dhe politik të Ibrahim – Ibro Rekoviqit, animatorja e veprimtarive kulturore në Qendrën për kulturë “Husein Bashiq” të Plavës, Senada – Sena Vatiq, bashkëvendase e veprimtarit të ndjerë, tha: “Sot jemi tubuar këtu për të përkujtuar jetën dhe veprimtarinë e bujshme dhe të shumanshme të këtij personaliteti të shquar e mirënjohur plavjan, me rastin e tremujorit të ndarjes së papritur të tij nga jeta”.
Pas nderimit me një minutë heshtje kushtuar veprimtarit të ndjerë, moderatorja Vatiq, në vazhdim të elaborimit, në mënyrë kronologjike dhe koncize, të pranishmit e shumënumërt, në galerinë e Qendrës për kulturë, i njoftoi me rrjedhat e jetës dhe veprimtarisë së bujshme e të shumanshme të Rekoviqit tani të ndjerë.
“Piktori, shkrimtari dhe politikani i mirënjohur, Ibrahim – Ibro Rekoviq, është i lindur në Plavë më 3 mars 1941, nga babai Beqo dhe nëna Esmana e lindur Shahmanoviq, i martuar me Sabria Hoxhiq, me të cilën ka djemtë Beqon e Allmirin dhe vajzën Allmasën. Shkollën fillore e ka kryer në Plavë. Shkollën e mesme të artit e ka filluar në Herceg Novi dhe e ka vazhduar dhe përfunduar në Pejë. Shkollën e lartë pedagogjike, drejtimi i Artit figurativ, e ka kryer në Prishtinë. Veprimtarinë e vet artistike kryesisht ia ka përkushtuar grafikës dhe pikturës. Punimet e veta figurative të shumënumërta i ka ekspozuar pavarësisht dhe në ekspozitat kolektive me piktorët vendlindas: në Plavë, Pejë, Prishtinë, Sarajevë, Shkofia Lloka (Slloveni), Podgoricë dhe në vende të tjera.
Përveç punës artistike, intensivisht është marrë edhe me letërsi, pikërisht me mbledhjen e fjalëve të vjetra, proverbave dhe anekdotave gati të harruara plavo-guciane të cilat kohë pas kohe i ka botuar në gazeta, fletushka dhe revista të ndryshme. Punën e vet shumëvjeçare në këtë drejtim e ka kurorëzuar me librin “Fjalori i të folurit plavo-gucian” (Riječnik plavo-gusinjskog govora)” ka theksuat moderatorja Vatiq dhe ka shtuar: “Ky entuziazist i palodhur, vite me radhë nga populli ka mbledhur anekdotë e mahi dhe krijime të tjera popullore letrare të cilat i ka përmbledhur në librin “Plavo-gusinjski biseri” – Anekdote (Margaritarët plavo-gucijanë), e dhjetë vjet më vonë i është botuar libri i plotësuar me titull “Plavljani i gusinjani u anekdotama” (Plavjanët dhe gucijanët në anekdota)”.
Ibrahim – Ibro Rekoviq, ka shtuar në vazhdim moderatorja, është autor i afro 500 punimeve artistike: vizatimeve, pikturave, portreteve, grafikave, etj. Me ngjyrë, laps, tush dhe shkronja është përpjekur t’i shkëpusë nga harresa së paku një pjesë të asaj që është e bukur dhe karakteristike për boshnjakët e Sanxhakut, e në veçanti të Plavës e Gucisë. Ai ka qenë autor i shumë emblemave të institucioneve, organeve dhe organizatave shoqërore të komunës. Për punën e vet është shpërblyer me shpërblimet dhe mirënjohjet më të larta të komunës dhe më gjerë. Aktivisht është marrë edhe me veprimtari politike duke kryer detyra dhe funksione më me përgjithësi në Komunën e Plavës. Në dy mandate ka qenë deputet i Kuvendit të Malit të Zi. Vdekja e papritur e ka hasur në detyrën e këshilltarit të Kuvendit të Komunës së Plavës, të cilin e ka ushtruar edhe në ca mandate të mëparshme.
Në fjalën e vet të rastit, drejtori i Qendrës për kulturë “Husein Bashiq” të Plavës, Vlladimir Knezheviq, duke elaboruar kujtime mbi jetën dhe punën e të ndjerit Rekoviq, tha se “bibliotekisti, piktori, shkrimtari dhe politikani i mirënjohur nga Plava, Ibrahim – Ibro Rekoviq, në vizatimet dhe librat e vet me përkushtim dhe denjësisht e ka prezantuar trevën e Plavës, Gucisë dhe Murinës”.
Ndërkaq, miku, kolegu, shoku, bashkëvendësi dhe bashkëpunëtori i veprimtarit Rekoviq, akademiku Zuvdija Hoxhiq, pas hapjes së ekspozitës së 42 punimeve të kornizuara figurative: pikturë, grafikë, portret, etj., të ekspozuara në ballinat e galerisë së Qendrës për kulturë, të cilat për homazh i ka përgatitur biri i të ndjerit, Allmiri, me mallëngjim dhe admirim, por edhe i emocionuar u shpreh: “Zonja dhe zotërinj, të dashur plavjanë, të dashur miq, besoni se ndihem i nderuar para së gjithash se e ndjej veten si trashëgimtar intelektual i të madhit Ibrahim – Ibro Rekoviq, andaj me plot gojë mund të them se ka shumëçka të thuhet e flitet për jetën dhe veprimtarinë e të ndjerit Rekoviq. Fjala është për njeriun nga i cili ka vërtetë shumëçka të mësohet dhe trashëgohet, për njeriun i cili edhe si piktor edhe si shkrimtar, edhe si njeri ka qenë mishërues vertikal i shpirtit, i ndjeshmërisë intelektuale dhe i të gjithë asaj që është me rëndësi dhe me vlerë pozitive për popullatën boshnjake dhe jo vetëm për të. Pra, nga gjithë ajo që ka lënë si trashëgim pas vetes, janë dëshmi se ai ka qenë veprimtar universal. Andaj neve na detyron që me admirim dhe përkushtim ta përkujtojmë e nderojmë këtë kolos të artit dhe fjalës së shkruar”, ka thënë ai.
Për veprimtarinë letrare të Ibrahim Rekoviqit, me përkushtim të plotë dhe në mënyrë kronologjike, ka folur gazetari, publicisti, poeti dhe drejtori i Bibliotekës qëndrore “Gjurgje Crnojeviq” në Cetinjë, Bogiq Rakoçeviq, i cili vështrimin e vet në këtë drejtim e ka përqendruar në librin me titull “Plavljani i gusinjani u anekdotama”, mbi të cilin në mënyrë analitike ka folur për rëndësinë dhe vlerën e tij. Me këtë rast ai ka shpallur të hapur edhe përurimin post humno të katër librave të Rekoviqit. Poeti malazias, Rajko Jolliçiq, ka lexuar anekdota nga libri i sipërpërmendur.
Sipas programit të manifestimit, në orët e paradrekes së ditës së dytë, në hollin e Qendrës për kulturë në Plavë është bërë takimi i poetëve dhe piktorëve me nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës fillore dhe asaj të mesme të përzier “Beqo Bashiq” të Plavës, me ç’rast është mbajtur orë letrare dhe janë zhvilluar biseda të ndërsjella. Takime të tilla të poetëve dhe piktorëve me nxënës dhe mësimdhënës janë mbajtur edhe në shkollën fillore të Murinës, kurse në orët e mbrëmjes, në skenën e Qendrës për kulturë, është shfaqur pjesa teatrale me motive nga vepra “Bihorci” të autorit Qamil Sijariq, të cilën e përformuan nxënësit e Shkollës së mesme të përzier, në regji të profesoreshës Jasmina Gjesheviq. Pasdreken e ditës së tretë të manifestimit, piktorët dhe poetët e kaluan në piknikun e përbashkët ca orësh duke vizituar atraksionet dhe bukuritë natyrore dhe objektet turistike dhe kulturore me të cilat begaton Plava me rrethinë.
Mbrëmja poetike e Takimeve të sivjetme letrare të Plavës, është mbajtur të shtunën mbrëma (ditën e tretë) në sallën e madhe të Qendrës për kulturë “Husein Bashiq”, në praninë e një numri të konsiderueshëm plavjanësh, por edhe të tjerë aderues të fjalës së shkruar letrare – poetike, me ç’rast është zhvilluar programi i manifestimit me moton “Vjeshta kulturore e Plavës 2019”, të cilin në rolin e moderatores e ka prezantuar animatorja e veprimtarive kulturore të Qendrës për kulturë dhe koreografja e SHKA “Plavsko Jezero” të Plavës, Senada – Sena Vatiq. Para fillimit të programit, mysafirët dhe të pranishmit tjerë në sallën e madhe të Qendrës për kulturë, i ka argëtuar pianistja e famshme nga Maqedonia e Veriut, profesoresha e pianos në Akademinë muzikore të Universitetit të Shkupit, zonja Ema Popivoda, me përformimin në piano të melodive të dy këngëve maqedonase. Takimet e sivjetme letrare dhe Koloninë figurative njëkohësisht i ka shpallur të hapura drejtori i Qendrës për kulturë “Husein Bashiq” të Plavës, Vlladimir Knezheviq, i cili ka përshëndetur të pranishmit, kurse poetëve dhe piktorëve prezent, u ka dëshiruar mirëseardhje dhe i ka falënderuar për pjesëmarrje. Prej 19 poetëve të ftuar nga rajoni, ftesës i janë përgjigjur 13 sish, të cilët të pranishmëve, u janë prezantuar me nga një dhe dy poezi të zgjedhura nga opusi i krijimtarisë së tyre letrare poetike. Nga Mali i Zi: Zuvdija Hoxhiq, Todor Zhivaleviq – Velliçki, Bogiq Rakoçeviq, Senadin Pupoviq, Kaltrina Hoti, Mirash Martinoviq dhe Rajko Jolliçiq; nga Serbia: Tode Nikolletiq; nga Maqedonia e Veriut: Natasha Sarxhoska; nga Kosova: Shyqyri Galica e Agim Berisha dhe nga Bosnja dhe Hercegovina: Sheilla Shehaboviq dhe Jasmina Hanjalliq. Dy poetët nga Kroacia Daria Zhilliq dhe Marko Pogaçar nuk i janë përgjigjur ftesës për pjesëmarrje. Të gjithë poetët pjesëmarrës të orës poetike, poezitë e veta i kanë lexuar (thënë) në gjuhët e veta amtare: malazeze, shqipe, serbe, bosnjake dhe maqedone. Poetja maqedone, Natasha Sarxhoska, poemën e vet poetike e ka përformuar në përcjellje me piano të pianistes Ema Popivoda.
Tre poetët shqiptarë: prof. dr. Shyqyri Galica dhe Agim Berisha nga Kosova dhe Kaltrina Hoti nga Plava, pjesëmarrës në Takimet e sivjetme të Plavës, për gazetën “Koha Javore” janë prononcuar: “Këto takime ndërkombëtare, janë me shumë interes. Njihemi me krijues të anëve të ndryshme. Pastaj, kemi kontakt të drejtpërdrejt me ju, me vëllezërit tanë, me motrat tona, por edhe me miq e shokë që i kemi këtu. Më pëlqeu jashtëzakonisht shumë mënyra e organizimit të këtij manifestimi. Dhe shpresoj se do të komunikojmë dhe do të kontaktojmë vazhdimisht me këta kolegë, me këta miq, me këtë manifestim”, ka shprehur mbresën e vet kryetari i Lidhjes së shkrimtarëve të Kosovës, prof. dr. Shyqyri Galica.
Në shpalosjen e mbresës së vet, poeti Agim Berisha ka theksuar: “Me ju thanë të drejtën, është hera e parë që marr pjesë në këtë manifestim të Plavës. Kam marrë pjesë edhe në shumë manifestime të tjera që organizohen brenda dhe jashtë Kosovës, dhe ky manifestim në mua ka lënë mbresa të thella. Pikërisht, për numrin e pjesëmarrësve, të cilët sado që ishin modest, ishin të interesuar ta dëgjojnë fjalën e bukur të shkruar. Madje, me pëlqeu një risi. Secilin autor e prezantonin me një mini biografi letrare që nuk kam hasur në manifestimet e tjera”.
Ndërkaq, poetja, por edhe piktorja tani e afirmuar nga Hoti i Kujit të Plavës, Kaltrina Hoti, në reflektimin e mbresës së vet, u deklarua: “Kjo është pjesëmarrja e dytë në këtë aktivitet. Është kënaqësi e madhe të jesh brendësi e një bote ku të gjitha dallimet që qenia njerëzore i krijon zhveshen dhe të gjitha bashkohen në një ngjyrë, në një frymë, në një fjalë që shpreh dashuri, bashkim dhe mirëkuptim. Kjo ishte nga ana artistike, kurse dua të ceki se në anën tjetër s’kemi çare pa u kthyer në realitet. Përpos organizimit që ka qenë shumë i mirë, kemi njoftuar shumë njerëz nga vende të ndryshme. Mungon fryma e njerëzve lokal, të vijnë të shohin se çka po ndodh në Plavë, se kjo, si e dini ju, është një aktivitet shumë i rëndësishëm. Mirëpo, po i bashkojmë njerëzit prej shteteve të tjera, po mundohemi me u bë një. Mirëpo nuk kemi përkrahje nga njerëzit lokal të Plavës ose rreth Plavës, të vijnë e të shohin çka bën bota krijuese e artistëve”.
Në fund të orës poetike të Takimeve letrare të Plavës, u shpallën fituesit pjesëmarrës të konkursit letrar dhe figurativ në temën “Dyert e vendlindjes janë gjithmonë të hapura”, të cilin me këtë rast e ka shpallur Qendra për kulturë e Plavës, e në të cilin kanë marrë pjesë nxënësit e shkollave fillore në Plavë e Murinë dhe ata të Shkollës së mesme të përzier në Plavë. Juria tre anëtarëshe e konkursit të shpallur: akademiku Zuvdija Hoxhiq kryetar dhe prof. dr. Shyqyri Galica e Tode Nikolletiq anëtarë, unanimisht shpallën fituesit e tri shpërblimeve të para të konkursit në poezi dhe prozë. Në poezi shpërblimi i parë i takoi nxënësit Xhenan Cirikoviq, i dyti nxënësit Savo Jashoviq dhe shpërblimi i tretë nxënëses Llejlla Lalliq, kurse në prozë: shpërblimi i parë nxënëses Jovanka Simonoviq, i dyti nxënëses Edmonda Brahaj dhe shpërblimi i tretë nxënëses Sumeja Canoviq. Nxënësit ngadhnjimtarë, u shpërblyen me libra dhe të holla të cilat ua dorëzoi drejtori i Qendrës kulturore Vlladimir Knezheviq dhe udhëheqësi artistik i Qendrës, Alia Rexhematoviq.
Në ditën e pestë të manifestimit, në galerinë e Qendrës për kulturë u hap ekspozita e dhjetë pikturave të piktorëve pjesëmarrës të Kolonisë së XVIII figurative të Plavës, nga Mali i Zi: Radun Marseniq dhe Kaltrina Hoti; Nga Maqedonia e Veriut: Valentina Illijevska; nga Serbia: Ana Millkoviq dhe nga Bosnja e Hercegovina: Bellma Karavdiq. Njëkohësisht është hapur edhe ekspozita e pavarur e 16 punimeve figurative të piktorit akademik Radun Mrseniq, të cilat bashkarisht i shpalli të hapura drejtori i Qendrës së kulturës Vlladimir Knezheviq.
Në fund u shpallën fituesit e tri shpërblimeve të para figurative të nxënësve pjesëmarrës në konkursin e shpallur. Juria në përbërje të të gjithë piktorëve pjesëmarrës të kolonisë, shpërblimin e parë ia ndau nxënëses Sumeja Canoviq, të dytin nxënëses Marija Simonoviq dhe të tretin nxënëses Llejlla Purishiq. Nxënësit fitues u shpërblyen me libra dhe të holla.
Takimet e XLIII letrare të Plavës dhe Kolonia e XVIII figurative e këtij qyteti, të cilat në fund të programit i shpalli të mbyllura moderatorja Senada – Sena Vatiq, u organizua nga Qendra për kulturë “Husein Bashiq” e Plavës, nën patronazhin e Ministrisë së kulturës të Malit të Zi dhe në mbështetje e përkrahje të Komunës së Plavës.
Shaban Hasangjekaj