Në Plavë u shënua Dita e Shkollës fillore “Hajro Shahmanoviq”

VATËR EDUKATIVO-ARSIMORE ME HISTORIK TË BUJSHËM TË PUNËS

Plavë – Shkolla fillore “Hajro Shahmanoviq” në Plavë, në të cilën procesi mësimor edukativ zhvillohet në gjuhën malazeze dhe në atë shqipe, e në përbërje të së cilës punojnë edhe gjashtë paralele të shpërndara katër dhe pesëklasëshe në fshatrat periferike: Brezojevicë, Bogaiq, Meteh, Jara, Vojno Sellë dhe Hot, të premten, më 8 nëntor shënoi solemnisht 107 vjetorin e punës së vet.

Në sallën e Qendrës për kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, këtë ditë festive, ishin tubuar nxënësit, mësimdhënësit e punëtorët e tjerë të shkollës, por edhe prindërit dhe shumë përfaqësues të tjerë të institucioneve dhe organizatave kulturore, shkencore e politiko-shoqërore që së bashku ta shënojnë këtë kremtë vërtetë madhështore për Komunën e Plavës.

Drejtori i shkollës, mr. Igor Vukaniq, në fjalën e vet përshëndetëse konfirmoi se në këtë vit shkollor mësimin e vijojnë 904 nxënës të sistemuar në 47 paralele mësimore, në shtatë prej të cilave me gjithsej 89 nxënës, mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Ai në vazhdim shtoi se lidhur me historikun e gjatë dhe të bujshëm të kësaj vatre edukativo-arsimore, do të njiheni përmes filmit dokumentar njëzet minutësh, të cilin e ka përgatitur shkolla, e në të cilin ai në mënyrë koncize, analitike dhe kronologjike ka parashtruar punën e saj prej themelimit para 107 vitesh e deri në këtë vit shkollor.

Duke folur mbi rrjedhat e historikut të gjatë dhe shumë përfshirës të aktivitetit të punës së saj, ka vërë në dukje mes tjerash se ajo ka filluar punën para 107 vjetësh, pikërisht në vitin 1912, në kohën kur në këtë anë popullata është ballafaquar me probleme të shumta të natyrave të ndryshme, të cilat dukshëm janë reflektuar në punën e rëndë të këtij institucioni të posa themeluar, duke shtuar në vazhdim se ajo në punën e vet të mëtejme ka përjetuar batica dhe zbatica të cilat ku më shumë e ku më pak janë tejkaluar me sukses dhe tani ajo është njëra ndër shkollat më të mëdha në Mal të Zi për nga numri i nxënësve dhe punëtorëve.

Në filmin dokumentar në fjalë, drejtori Vukaniq në vazhdim të elaborimit të vet thekson se shkolla fillore e Plavës, edhe pse në kushte jo të volitshme, ka shënuar rezultate të konsiderueshme, dhe se aktivitetin e gjithanshëm të punës së nxënësve, mësimdhënësve e punëtorëve të tjerë e dëshmojnë, konkretizojnë dhe reflektojnë diplomat, mirënjohjet, plaketat dhe llojet e tjera të shpërblimeve dhe dhuratave me të cilat janë të stolisura vitrinat dhe ballinat e kthinave dhe lokaleve të cilat janë fruta të suksesshme të shënuara gjatë pjesëmarrjes në gara të ndryshme të diturisë, ndërsa për rezultatet e arritura në punën edukativo arsimore, ajo është nderuar me mirënjohjet më të larta të nivelit komunal, rajonal, republikan, e madje edhe federativ në ish Jugosllavi.

Në shkollën amë, mësimi i reformuar zhvillohet në dy ndërrime (turne) në ca kabinete, punëtori dhe lokale të tjera, të pajisura me pajisjet standarde bashkëkohore për punë. Shkolla ka bibliotekën e pasur me afro 15 mijë kopje librash, titujsh të ndryshëm dhe literaturë tjetër të begatë me broshura, gazeta, revista, të cilat shfrytëzohen në punën e procesit edukativo-arsimor nga nxënësit dhe mësimdhënësit. Për transportimin e nxënësve nga fshatrat periferike për në shkollë, janë në shërbim dy minibusë, njërin prej të cilëve e ka siguruar Ministria e arsimit, kurse tjetrin me vet kontribut në të holla e kanë blerë mërgimtarët e fshatit Hoti i Kujit të Komunës së Plavës, të cilët qarkullojnë në ca drejtime nga dy e tri herë çdo ditë pune mësimore.

Pas përfundimit të filmit dokumentar, drejtori mr. Igor Vukaniq theksoi se ky vit posaçërisht është i rëndësishëm për shkollën sepse është vit i ndihmave infrastrukturore, me ç’rast i përmendi ca prej tyre. Theksoi se kah fundi i korrikut të këtij viti janë hapur terrenet sportive dhe hapësira e parkingut për automjete, më moderne në Mal të Zi, puna e të cilave është vlerësuar në rreth 450 mijë euro, kurse në muajin shtator të këtij viti është inauguruar (hapur) godina e rikonstruktuar e shkollës fillore në Vojno Sellë me vlerë prej rreth 200 mijë euro. Mjetet për ndërtimin e tyre i ka siguruar Ministria e arsimit nga Buxheti kapital i Qeverisë së Malit të Zi. Ai në këtë drejtim përmendi edhe investimet në rikonstruksionin, riparimin dhe meremetimin e objekteve të ca shkollave të ndara në fshatrat periferike. Në këtë drejtim, po asht ai ka nënvizuar se falë donacioneve, ndihmës, përkrahjes dhe angazhimit të Ministrisë së arsimit, si dhe institucioneve dhe organizatave tjera humanitare vendore, të Diasporës dhe ndërkombëtare, viteve të fundit infrastruktura e tërësishme e shkollës ka përjetuar renesancë të plotë dhe janë krijuar vërtetë kushte të volitshme për zhvillimin dhe mbajtjen normale të procesit mësimor dhe aktiviteteve të tjera të punës.

Për kontributet e dhëna në mbarëvajtjen e shkollës, kolektivi i kësaj shkolle në mbledhjen e Këshillit të arsimtarëve, ka prurë vendimin që me mirënjohje me shkrim t’i shpërblejnë dhe nderojnë: Ministrin e arsimit, dr. Damir Shehoviq, kryetarin e Komunës së Plavës, Mirsad Bajraktareviq, sekretarin për punë të përgjithshme dhe veprimtari shoqërore, Mirallem Metjahiq, drejtorin e Qendrës për kulturë në Plavë, Vlladimir Knezheviq, dy veprimtarë plavjanë në Diasporë për ndihma të tyre të vazhdueshme, si dhe gjashtë mësimdhënës të dalluar të shkollës.

Në dallim prej viteve të kaluara kur shënimi i Ditës së shkollës është manifestuar me program të begatë kulturo-artistik e muzikor, këtë vit shkolla organizoi kuizin e diturisë, në të cilin morën pjesë nxënësit e klasës së tretë, katërt dhe pestë, të ndarë në gjashtë grupe me nga tre anëtarë të veçuar sipas ngjyrave, të cilën me dinjitet të plotë e udhëhoqi moderatorja e programit manifestues, nxënësja e klasës së nëntë, Nafija Markishiq, e të cilin e përcolli dhe e vlerësoi juria pesë anëtarëshe e mësimdhënësve të shkollës. Tri grupet ngadhënjimtare (i bardhi, i gjelbri dhe vjollcë) u shpërblyen me libra dhe të holla.

Shaban Hasangjekaj