Më poshtë lexoni deklaratën e plotë të LDSH-së:
Vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Pritjet e elektoratit shqiptar, në prag të këtyre zgjedhjeve, ishin që kësaj radhe faktori politik shqiptar të unifikohej rreth përkrahjes, apo mospërkrahjes, me konsensus, të ndonjërit nga kandidatet për president! Fatkeqësisht kjo nuk ndodhi. Përkundrazi disa parti politike shqiptare vrapuan, kush e kush me parë, për t’i puthur këmbët mbretit! Tashmë kur qëndrimi i të tjerëve dihet, elektorati është në pritje të qëndrimit të LDSH-së. Të përballur me një situate të këtillë, dhe e pyetur shpesh nëse do të rreshtohet, si edhe partitë e tjera shqiptare, në përkrahje të një kandidati, e sheh të arsyeshme dhe të domosdoshme të bëj publik qëndrimin e vet.
Për shumë arsye, të njohura nga i gjithë opinioni shqiptar, si nga e kaluara e kandidatit, si nga pritshmëritë për të ardhmen, por edhe për faktin se LDSH nuk është në koalicion që e obligon, si partitë e tjera shqiptare, satelite të pushtetit, dhe se LDSH nuk i ka askujt gjë borxh, përpos votuesve të vet besnikë, nuk do të rreshtohet në taborin përkrahës të Millo Gjukanoviq.
Përndryshe, për LDSH-në është e pakuptimtë, madje e pamoralshme që përkrahja të vijë nga subjekte, të cilat, në retorikën parazgjedhore atë e fajësojnë për të gjitha të këqijat, që nga ligjet diskriminuese (përfaqësimi politik, simbolet kombëtare, përdorimi i gjuhës, shkollimi…); për (pa)punësim (numri i të punësuarve në organet e shtetit dhe të qeverisjeve lokale, as përafërt nuk i afrohet përqindjes së shqiptarëve në Malin e Zi, por edhe tutje është nën 1%); uzurpimi dhe grabitja e pronave (Parqet Nacionale, Valdanosi, Dheu i Zi, Kodra e Tuzit, pyjet në veri), për dhunën shtetërore, “Fluturimi i shqiponjës” etj. dhe me këtë retorikë është fituar përkrahja e votuesve. Një metamorfozë e tillë politike, për fat të keq, nuk paraqet risi, ndër përfaqësuesit shqiptarë, në Malin e Zi, por sa i përket LDSH-së, paraqet një koncept të papranueshëm politik dhe manipulim me popullin e vet. Njëjtë siç është e pakuptimtë dhe i zbehtë edhe arsyetimi i përkrahjes me „premtimin” për komunë të Tuzit (!?), pasi që kjo çështje, ka kohë që mbahet si e zgjidhur me ligj! Apo, personi na qenka mbi ligjin?!
Në bazë të gjitha këtyre, dhe të sjelljes së partisë në pushtet ndaj kërkesave tona, premtimet boshe, mospërfillja dhe injorimi i kërkesave legjitime për përkrahjen dhe respektimin e veçorive specifike të popullatës shqiptare ne MZ (si ne arsim, punësim, informim dhe sferat tjera të jetës), LDSH nuk sheh asnjë arsye që të përkrahet Millo Gjukanoviq, prandaj përmes abstenimit në këto zgjedhje shpreh kundërshtimin ndaj një politike të tillë. Kjo fushatë nuk ofroi ndonjë alternativë tjetër, e që meriton përkrahjen dhe besimin tonë, sepse që të gjithë kandidatët i kanë mëkatet e veta, prandaj LDSH ka besim te votuesit e vet se do të dinë të sillen konform qëndrimit të partisë.
LDSH do të vazhdojë të jetë zë i ndërgjegjes kombëtare, dhe mbrojtës i interesave të shqiptarëve në Malin e Zi, pa marrë para sysh presionet, premtimet apo shantazhet që mund të ushtrohen.