Dokumentari “Në gjirin e Ulqinit”, vjen si rrëfim për kohën e luftës dhe mikpritjen, që refugjatët nga Kosova gjetën në Ulqin të Malit të Zi. Organizata “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”, në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, e ka realizuar dokumentarin me regjisor Burim Baftiu. Pos dokumentimit, rrëfimet bashkohen, si një histori solidarizimi e humanizmi midis shqiptarëve.
Ishin vitet 1998-1999. Kohë lufte. Shqiptarët e Kosovës, dhunshëm u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të marrin rrugën e eksodit, jashtë kufijve të vendlindjes. Në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi mijëra e bënë veten refugjatë. Nëpër vendet fqinje, i gjetën të hapura dyert e bashkëkombësve.
Është një e kaluar, jo shumë e largët dhe shumë prej refugjatëve ende mbajnë lidhje me familjet, që i kanë strehuar në kohët e vështira. Është një e kaluar edhe që nuk harrohet lehtë. Pikërisht me ballafaqimin me të kaluarën merret organizata “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”, e cila të martën mbrëma ka dhënë premierën e filmit dokumentar “Në gjirin e Ulqinit”. Në film, protagonistë të ndryshëm e rrëfejnë periudhën e luftës në Kosovë, duke risjellë në kujtesë gjithë sfidën e më shumë se 70 mijë qytetarëve të Kosovës të dëbuar nga shtëpitë e tyre, të cilët gjetën strehim në Ulqin të Malit të Zi.
Dokumentari dëshmon për vuajtjet e atyre, që lanë shtëpitë e tyre si dhe për humanizmin dhe solidaritetin e ulqinakëve, të cilët pa kursyer asgjë, u kujdesën për t’i strehuar, ushqyer dhe mjekuar ata.
Regjisori i filmit, Burim Baftiu, para të pranishmëve në mesin e të cilëve edhe qytetarë të Ulqinit, i krahasoi ata me heronj.
“Filmi ‘Në gjirin e Ulqinit’ na tregon që kur një qytetar, një komb, një bashkëkombës ka nevojë për ndihmë, ne duhet t’i hapim dyert tona, zemrat tona, krahët tanë dhe t’i afrojmë ata në gjirin tonë. Ky projekt, më ka bërë të mendoj diçka. Zakonisht, superheronjtë nëpër filma portretizohen me fuqi të mbinatyrshme, por ata nuk punojnë asgjë, nuk e kanë një profesion, e heronjtë e vërtetë ishin pak më ndryshe. Ata kishin profesione. Ishin doktorë e doktoresha, ishin mësues e profesorë, artistë, hoxhallarë, gazetarë e shumë të tjerë. E fuqia e tyre ishte humanizmi”, ka thënë Baftiu.
Organizata “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”, tash e sa vjet, trajnimet i mban në Ulqin. Baftiu, ka theksuar se ideja për realizmin e një dokumentari të tillë, ka ardhur nga një bisedë mes kolegësh, duke folur për kohën e luftës dhe të qenit refugjatë.
“Ideja e dokumentarit, ka ardhur si rezultat i trajnimeve të ANP-së, që ata i mbajnë me pjesëmarrës, në Ulqin. Gjatë asaj periudhe dikush prej pjesëmarrësve, ka theksuar se janë mbledhur në Ulqin dhe po flasin për ballafaqimin me të kaluarën dhe ajo vetë ka qenë refugjate, në po atë zonë. Dhe kur kemi filluar me ANP-në, ta hulumtojmë si temë, kemi parë shumë njerëz, të cilët kanë filluar t’i ndajnë historitë e tyre, për familjet nga Kosova që i kanë strehuar në Ulqin”, ka thënë Baftiu.
Pjesë e dokumentarit “Në gjirin e Ulqinit” janë 14 personazhe, në mesin e qindra e mijëra qytetarëve të Ulqinit, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për t’u dalë në ndihmë qytetarëve nga Kosova, në kohë lufte. Pjesë e dokumentarit janë poashtu edhe xhirime të po asaj kohe. Kampet e refugjatëve, xhamitë plot me njerëz, radhë të gjata në furrë buke, qendra të mjekësisë e ballina të gazetës “Kronika”. Këto pamje janë të asaj kohe, të fotografuara e të xhiruara, nga qytetari i Ulqinit, Jusuf Lika.
“Kemi vendosur që personat, që flasin në filmin tonë me qenë të profileve të ndryshme, duke filluar nga institucionet deri të qytetarët e thjeshtë, të cilët kanë qenë dëshmitarë të kohës, të cilët e tregojnë ngjarjen”, ka bërë të ditur Baftiu.
I pranishëm në premierën e dokumentarit “Në gjirin e Ulqinit”, ka qenë edhe veprimtari e aktivisti, Ismet Karamanaga. Ka theksuar, se ndjehet i nderuar për ftesën që i është bërë. Ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk i kanë harruar asnjëherë dhe se ende mbajnë kontakte.
“Ne i kemi pritur kosovarët me zemra dhe me porta të hapura. Ata nuk e kanë harruar atë gjë asnjëherë dhe tash ju na e ktheni neve dhe na jepni infuzionin direkt në aortë, me ardhjen tuaj si turistë dhe na i leni të hollat atje. Unë kam kënaqësi të veçantë që jam i ftuar këtu në Kosovë dhe në Prishtinë, kam qenë rrallë prandaj duhet të vizitohemi dhe mos të harrojmë se jemi të një gjuhe, një race dhe një gjaku”, ka thënë Karamanaga.
Drejtoresha e organizatës “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”, Emine Ismajli, ka treguar se nuk mjafton një film, për ta dëshmuar të gjithë atë që qytetarët e Ulqinit kanë bërë për ata të Kosovës.
“Ndoshta kemi arritur që të nxjerrim vjegëza, kështu që të tjerët mund të vazhdojnë punën dhe ta dokumentojnë atë pjesën e madhe të gjithë asaj historie. Në film, flasin 14 protagonistë. Jemi përpjekur që të jetë një tregim në formë bashkëbisedimi. Filmi, për mua zgjon shumë emocione dhe sot e kam shikuar përsëri. Më kanë pyetur sa zgjat dhe është 1 orë e 26 minuta, edhe ajo është pak. Xhirimet janë kryer më herët, por na ka marrë kohë derisa është përfunduar. Ka qenë shumë e vështirë që t’i shkurtojmë tregimet e secilit dhe të kombinohen, asisoj që të ilustrohet sa më mirë ajo periudhë dhe kontributi të cilin ulqinakët e kanë dhënë”, ka thënë Ismajli.
Prej vitit 2014, ANP-ja, ka implementuar projektin “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë” në kuadër të të cilit vjen edhe dokumentari “Në gjirin e Ulqinit”.
(Koha ditore)