Në qendrën klinike të Malit të Zi nuk ka më pacientë për mjekim nga koronavirusi

Për faqen e Portalit “Plava e Gucia Sot”

Shaban Hasangjekaj

Drejtori i Qendrës klinike të Malit të Zi, dr. Jefto Erakoviq, në konferencën për media të organizuar nga Trupi nacional koordinues ka deklaruar: “Sot pas 49 ditësh prej se kemi pasur të hospitalizuarin e parë të infektuar nga koronavirusi në Qendrën klinike të Malit të Zi, zyrtarisht mund të informojmë se në Qendrën klinike të Malit të Zi nuk kemi asnjë pacient i cili mjekohet nga virusi Covid-19. Pra, ka mbetur edhe një pacient në Spitalin e përgjithshëm në Beran i cili është në gjendje stabile e presim që edhe ai shumë shpejt të lëshohet i shëruar për në shtëpi”. Në vazhdim ka shtuar se “pas 49 ditësh të gjithë punëtorët shëndetësor të Qendrës klinike, e jam i sigurt edhe i tërë Mali i Zi, si dhe qytetarët e tij me padurim e kemi pritur këtë ditë të mund të publikojmë se nuk kemi më pacientë të hospitalizuar nga koronavirusi e as pacientë të cilët mund të hospitalizohen. Kjo është shenjë e rëndësishme e cila na flet për gjendjen e mirë epidemiologjike, flet për masat e ndërmarra mirë të cilat i kemi zbatuar në mjekimin e këtyre pacientëve dhe gjithsesi me kapacitetet tona mjaft mirë u jemi përgjigjur në problemin e infeksionit që na ka goditur, por në ditët në vijim nuk guxojmë të lirohemi për së tepërmi duke pasur parasysh situatat e shteteve tjera në të cilat janë përballur me valë të reja të epidemisë”. Drejtori Erakoviq ka bërë me dije se në Qendrën klinike të cilën ai e drejton, gjatë 49 ditëve kanë qenë të hospitalizuar 51 pacientë të infektuar me virusin Covid-19.

Në konferencën për media në fjalë, ndihmës drejtori i Institutit për shëndetin publik, dr. Senad Begiq, ka konfirmuar se në 24 orët e fundit në mostrat e testuara në laboratorët e Institutit, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i prekur me koronavirus. Me kënaqësi ka theksuar se në dy testimet e njëpasnjëshme, 8 pacientë kanë rezultuar negativ në koronavirus dhe janë shpallur të shëruar, ashtu që numri total i të shëruarve ka arritur në 261. Numri i të vdekurve deri më tani është 8, kurse ai i të infektuarve aktiv ka rënë në 55. Duke i pasur këto parasysh, ka deklaruar se situata momentale epidemiologjike në Mal të Zi është mjaft e volitshme, stabile e nën kontroll dhe se dalëngadalë por sigurt po shkohet drejt normalizimit të plotë të jetës.

Edhe raportet e fundit të Institutit për shëndetin publik dëshmojnë se situata epidemiologjike është me progresivitet të lartë dhe impresionues. Të dhënat tregojnë se në 209 mostrat e testuara gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi në dy intervalet kohore: 08:45-16:45 në 97 mostra dhe 16:45-08:45 në 112 mostra, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i diagnostifikuar me rezultat pozitiv në virusin Covid-19.

Ndonëse në testimet e fundit nuk ka raste të reja, numri i të prekurve me koronavirus në Mal të Zi deri më tani mbetet ai i ditës paraprake 324, prej të cilëve 59 janë fëmijë dhe të rinj të moshës 0-19 vjeçare.

Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-164,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-23,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-7,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Në shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, situata epidemiologjike është gjithnjë e më e volitshme. Atë në 24 orët e fundit e dëshmojnë këta parametra:

– Në Shqipëri: 832 të infektuar, 595 të shëruar dhe 31 të vdekur;

– Në Kosovë: 856 të infektuar, 490 të shëruar dhe 26 të vdekur;

– Në Serbi: 9677 të infektuar, 1723 të shëruar dhe 200 të vdekur;

– Në Kroaci: 2112 të infektuar, 1560 të shëruar dhe 83 të vdekur;

– Në Bosnje e Hercegovinë: 1978 të infektuar, 928 të shëruar dhe 86 të vdekur;

– Në Slloveni: 1448 të infektuar, 246 të shëruar dhe 99 të vdekur dhe

– Në Maqedoninë e Veriut: 1526 të infektuar, 1013 të shëruar dhe 86 të vdekur.