Ne s’do jemi, e historitë tij do tregohen edhe shumë kohë: Një muaj pa Ramok Sherifi Çelaj

Nga: Enver ULAJ

Një muaj nga largimi nga jeta e Ramokut dhe ende s’jemi pajtuar me ikjen e përhershme të tij. Lajmi që na e këputi shpirtin të gjithëve, familjarëve, bashkëvendësve dhe gjithë komunitetit të Plavës e Gucisë. Ky burrë ishte një malësor fisnik, i dashur për secilin prej nesh, vëlla, mik e prind i shkëlqyer, njëri i punës dhe i muhabetit, i traditës dhe novator njëkohësisht. Veç pas humbjes së tij e kemi parë se shumë gjëra ishin grumbulluar rreth një njeri, i jashtëzakonshëm siç ishte Ramoku.

Me rrëfimet e tij jemi rritur. Rrugës së Leskovës me fëmijë dhe të rinj prapa, duke rrëfyer histori dhe duke mësuar breza. Nipat dhe mbesat e Vuthajve, kudo që janë, do ta ndiejnë mungesën e tij në pushimet verore, pasi ai ishte kujtimi i qëndrimit në Vuthaj, me rrëfimet, ngjarjet e krijuara dhe të treguara. Humori ishte emri i dytë i tij. Vizitat në Vuthaj dinte t’na i bënte të bukura. E humorin e kishte të bukur, origjinal. Jo vetëm e interpretonte, por shakanë e krijonte, aty në çast. E bënte që të na sjellë atmosferën, gëzimin për jetën, kujtimet e mira, dhe që qëndrimi në vendlindje për vendasit, dhe vizita për turistët, të bëhej më e bukur. Këtë humor na e jepte si dhuratë, ta merrnin me vete, që historitë e tij t’i shpërndanim  me vete kudo, nga Kosova në Evropë dhe në Amerikë. Të pafund janë historitë, ngjarjet, kujtimet që na lidhin me Ramokun. Dhe dashuria që na ka ofruar. Miqësia. Këshillat. Ramoku ynë ishte bashkëbisedues si me plakun, ashtu edhe me fëmijën, për secilin kishte diçka nga xhepi, një histori, një pyetje, një shpjegim. Ishte mësues i lindur, këshillëdhënës dhe ndihmës i pashoq. Ishte një aktivist i palodhur në jetën e komunitetit. Kishte  pamjen dhe sjelljen e një malësori. Kujt s’ju gjet në punë, a ka një shtëpi që mos ia këtë bërë ndonjë argat? Qoftë për një postermë, dikujt një fare misri, tjetrit një kosë, një megjë…

Puna i kishte hije. I shndriste shtëpia, livadhi, ara, otkosa mbrapa. Edhe brazda e mbjellë. E mbajti deri i fundi arën me misër në Vuthaj. Mbjelljen e kishte shndërruar  në një ritual tradite. Viteve të fundit e vinte plisin e  bardhë gjatë të mbjellave, për të treguar se kjo është një traditë, një solemnitet për familjen. Ne e prisnim më dëshirë fotografinë e plisbardhit në arën e Çelajve, dhe komentet në të ishin të shumta nga të gjithë vendet. Kujtime dhe nostalgji.

Ashtu siç ishte projekt nostalgjie dhe vepra e tij e madhe jetësore, Muzeu etnografik me mbi 500 eksponate nga jeta, historia dhe tradita vuthjane. Mbledhur me kujdes e dashuri shtëpi më shtëpi, rrënojë më rrënojë, për të ruajtur në ditët e fundit të të një tradite që po shuhet, nga rrjedha e jetës së sotme. Atë jetë e rikrijoi dhe i dha jetë në katin e tretë të kullës së vjetër. E filloi pa fjalë, dhe e shndërroi në një vepër memorieje të shkëlqyer të trashëgimisë vendore, e vizituar dhe vlerësuar. Emisione, kronika  e reportazhe, nga Tirana, Prishtina, Shkodra e Podgorica. Vizita në muze, autoritete, presidentë e gjeneralë duken të vegjël para fjalorit dhe shpjegimeve të tij. Secilin eksponat veç e veç, ia dinte funksionin, historinë dhe lashtësisë. Është veshja e burrave dhe grave, nuseve dhe plakave aty e ekspozuar, veglat e punës, enët e qumështit, mazës, djathit, mulliri i kafes që i ka shërbyer krejt katundit, masha për ofruar gacën nga oxhaku për cigaren, armët e trimërisë… Ramoku u jepte jetë atyre sendeve dhe i shndërronte në histori me bukuri, humor dhe traditë. Sepse ai, sa ishte i traditës, ishte shumë bashkëkohor. Ishte shumë i informuar, ndiqte lajmet, edhe politikën, të cilën s’e donte kurrë, informohej për motin, lexonte për bimët dhe kafshët, për Jasharajt dhe UÇK-në, që kurrë s’i hoqi nga dhoma e tij. E mbi të gjithë e dinte historinë e vendit, familjes dhe fisit. Edh pse ishte në një moshë të re, ai fliste si një plak për autoritetin, mënyrën si i dinte dhe i tregonte legjendat, historitë e familjeve, ndërtimit të shtëpive, daljes në bjeshkë, kush kishte vdekur dhe ku ishin vrarë, si ishin rrethuar, si kishin shpëtuar trimat dhe ku kishin rënë. Shtëpia e tij kullë ia dëshmonte këto histori. Tri herë e djegur gjatë luftërave. Ramoku dinte jetën e  pesë a gjashtë brezave. Kishte dëgjuar dhe mësuar nga të moshuarit. Dhe i tregonte, i ndante me të tjerët. Çfarë thesari ka humbur bashkë me të! Dhe sa kemi humbur me këtë shkuarje të papritur të tij.

Rrallë ndodh që tek një njëri të ketë kaq shumë virtyte, siç ishin tek ai.

Dhe kjo dhimbjen e tonë, të të gjithë vuthjanëve, e bën më të madhe.

E bën të pazëvendësueshme, ashtu siç po e shohim për ditë.

Foto:

  • 27 maj 2020. Nesër bëhet një vit. Si shumë vuthjanë të tjerë, në muzeun e tij i dhurova një nga eksponatet më të veçantë, një shpatë shekullore trimash vuthjanë. U gëzua si fëmijë, e kishte pritur kaherë t’ia shtonte vlerat muzeut të tij. Shpata vinte nga trashëgimia e familjes së madhe Çelaj, por kishte disa dekada që ruhen në familjen tonë. E ruaja me fanatizëm, dhe s’po vendoja nëse duhet mbajtur për vete apo duhej ekspozuar në muze që të shihej nga të gjithë. Ishte një shpatë e fortë çeliku më një hënë të skalitur në mbrojtës e dorës, një nga ato që ishin përdorur edhe në luftën e Nokshiqit ku kishin marre pjesë shumë vuthjanë. I thash ta jap por nëse prishet muzeu e marr prapë. Më tha ky muze s’do prishet kurrë.
  • Mbjellja e arës, 5 maj 2020