Në spitalet e Malit të Zi nuk ka më të sëmurë nga virusi Covid-19

Se situata epidemiologjike në Mal të Zi është e volitshme, stabile dhe nën kontroll të plotë dhe se trendi i saj pozitiv është në rritje e sipër, tregojnë të dhënat e Institutit për shëndetin publik të cilat dëshmojnë se ditëve të fundit nuk ka raste të reja pozitivisht të diagnostifikuara në virusin Covid-19, se numri i të shëruarve nga koronavirusi po rritet gradualisht, kurse ai i të infektuarve aktiv është gjithnjë e më i vogël, mirëpo si finalizim i të gjithë parametrave epidemiologjik është fakti se prej dje (të mërkurën) në spitalet gjegjëse të Malit të Zi (në Qendrën klinike të Malit të Zi në Podgoricë dhe në spitalet në Tivarë, Nikshiq e Beran), nuk ka më të sëmurë nga virusi Covid-19. Të dhënat e Institutit tregojnë se gjatë 50 ditëve të pandemisë Covid-19 për trajtim mjekësor kanë qenë të hospitalizuar 74 të sëmurë nga koronavirusi, 51 prej të cilëve kanë qenë në Qendrën klinike të Malit të Zi në Podgoricë.

Progresivitetin e gjendjes epidemiologjike në Mal të Zi e argumentojnë edhe rezultatet e fundit të Institutit në fjalë të cilat konfirmojnë se në 309 mostrat e testuara gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi në dy intervalet kohore: 08:45-16:30 në 179 mostra dhe 16:30-08:30 në 130 mostra, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i diagnostifikuar pozitiv në virusin Covid-19.

Ndonëse në testimet e fundit nuk ka raste të reja, numri i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi prej rastit të parë e deri më tani mbetet ai i ditës paraprake 324, prej të cilëve 59 janë fëmijë dhe të rinj të moshës 0-19 vjeçare. Nën mbikëqyrje janë edhe 1206 qytetarë.

Të dhënat e Institutit dëshmojnë se në dy testimet e njëpasnjëshme të mostrave të prekura me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit, negativ kanë rezultuar 4 persona të cilët janë shpallur të shëruar, me të cilët numri total i të shëruarve ka arritur në 265, kurse ai i të infektuarve aktiv ka rënë në 51 (28 në Podgoricë, 10 në Ulqin, 5 në Tivarë, 3 në Guci, 2 në Plavë dhe nga 1 në Nikshiq, Herceg Novi dhe Bijello Pole). Numri i të vdekurve është 8.

Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-164,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-23,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-7,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Në shtetet e rajonit situata epidemiologjike në 24 orët e fundit sipas të dhënave të instituteve të tyre të shëndetit publik ka këta parametra:

– Në Shqipëri: 842 të infektuar, 605 të shëruar dhe 31 të vdekur;

– Në Kosovë: 860 të infektuar, 533 të shëruar dhe 26 të vdekur;

– Në Serbi: 9791 të infektuar, 1971 të shëruar dhe 203 të vdekur;

– Në Kroaci: 2119 të infektuar, 1601 të shëruar dhe 85 të vdekur;

– Në Bosnje e Hercegovinë: 1987 të infektuar, 928 të shëruar dhe 86 të vdekur;

– Në Slloveni: 1449 të infektuar, 247 të shëruar dhe 99 të vdekur dhe

– Në Maqedoninë e Veriut: 1539 të infektuar, 1057 të shëruar dhe 88 të vdekur.

Për faqen e Portalit “Plava dhe Gucia Sot”

Shaban Hasangjekaj