Qendra klinike e Malit të Zi, ka kumtuar lajmin se dje në Spitalin e Gracit të Austrisë, nga pasojat e koronavirusit ka ndërruar jetë pacienti nga Tivari, i cili ka qenë mjek specialist i Spitalit të përgjithshëm të Tivarit, te i cili koronavirusi është diagnostifikuar që nga fillimi i epidemisë në Mal të Zi dhe është mjekuar në Spitalin e përgjithshëm të Tivarit dhe në Qendrën klinike të Malit të Zi, i cili për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore – rrezikut për jetë, më 30 prill me helikopterin e Ushtrisë së Malit të Zi, është transportuar për trajtim të mëtejmë mjekësor në Spitalin e Gracit të Austrisë. Pacienti në fjalë nga Tivari është viktima e 9 në Mal të Zi, si pasojë e koronavirusit.
Raportet e fundit të Institutit për shëndetin publik konfirmojnë se situata epidemiologjike në Mal të Zi është e volitshme, stabile dhe nën kontroll të plotë, dhe me hapërim të sigurt është duke shkuar drejt normalizimit të jetës, e këtë e pak a shumë e dëshmojnë me shifra e fjalë të dhënat, të cilat tregojnë se në 150 mostrat e testuara gjatë 24 orëve të fundit në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i prekur me koronavirus dhe se numri i të infektuarve prej fillimit deri më sot në Mal të Zi ka mbetur i pandryshuar, 324, prej të cilëve 59 janë fëmijë dhe të rinj të moshave 0-19 vjeçare.
Raportet e Institutit, po ashtu dëshmojnë se numri i të shëruarve është në rritje të vazhdueshme. Në dy testimet e njëpasnjëshme të fundit, 7 persona kanë rezultuar negativ në koronavirus dhe janë shpallur të shëruar, ashtu që numri total i të shëruarve është ngritur në 274. Pacienti që ka ndërruar jetë në Spitalin e Gracit, numrin e të vdekurve e ka çuar në 9, kurse numri i të prekurve momental aktiv me koronavirus ka rënë në 41 (në Podgoricë – 20, Ulqin – 10, Tivarë dhe Guci nga 3, në Plavë – 2 dhe në Nikshiq, Herceg Novi e Bijello Pole nga 1.
Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:
Podgoricë-164,
Tuz-37,
Nikshiq-34,
Tivarë-23,
Ulqin-23,
Andrijevicë-7,
Budva-7,
Plavë-7,
Bijello Pole-7,
Herceg Novi-6,
Danillovgrad-3,
Tivat-3 dhe
Guci-3.
Në shtetet e rajonit situata epidemiologjike në 24 orët e fundit sipas të dhënave të instituteve të tyre të shëndetit publik ka këta parametra:
– Në Shqipëri: 868 të infektuar, 650 të shëruar dhe 31 të vdekur;
– Në Kosovë: 870 të infektuar, 653 të shëruar dhe 28 të vdekur;
– Në Serbi: 10032 të infektuar, 2732 të shëruar dhe 213 të vdekur;
– Në Kroaci: 2176 të infektuar, 1726 të shëruar dhe 87 të vdekur;
– Në Bosnje e Hercegovinë: 2118 të infektuar, 1105 të shëruar dhe 111 të vdekur;
– Në Slloveni: 1457 të infektuar, 256 të shëruar dhe 102 të vdekur dhe
– Në Maqedoninë e Veriut: 1622 të infektuar, 1112 të shëruar dhe 91 të vdekur.
Në fund të kësaj komunikate, theksojmë se prej nesër me vendimin e Trupit nacional koordinues për sëmundje infektive fillon normalizimi i punëve në institucionet shëndetësore, hyrja në objektet fetare (kisha e xhamia) dhe qarkullimi i komunikacionit në nivel ndërkomunal – në tri rajone: në rajonin bregdetar, qendror dhe verior.
Për faqen e Portalit “Plava dhe Gucia Sot”
Shaban Hasangjekaj