Ekskurzioni me klasët e 8-ta të Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë dhe “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” – Ostros, sponsorizuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona”.
Me të drejtë Sami Frashëri shkruan: ”Ai që është i ngarkuar me një shërbim publik, s’ka nevojë të ketë mençuri dhe zotësi të jashtëzakonshme për të bërë që publiku të përfitojë nga shërbimi i tij. Dëshira dhe këmbëngulja mund të kryejnë punë që nuk mund t’i kryejë mençuria dhe zotësia”.
E nisa këtë shkrim me këtë fjalë të urtë në shenjë respekti dhe falënderimi për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” për mbulimin e shpenzimeve të ekskurzionit dy ditor që u organizua me datat 22 dhe 23 maj 2023 në shtetin amë – Shqipëri.
E hënë, 22 maj 2023
Destinacioni i parë padyshim ishte Kalaja e Rozafës e cila qytetit i jep hijeshi dhe e mbron nga forcat e dukshme dhe të padukshme. Ndërtimi i saj filloi me një legjendë, një grua e sinqertë e jetësoi këtë legjendë dhe kështu Kalanë e bëri Rozafat sot e mot! Rozafës ia lagin këmbët liqeni, Drini e Kiri kurse ballin ia freskojnë malet!
Me te drejtë Edison Ypi pat shkrua:
ZOJA SHKODËR
“Udhëtar i vërtetë është ai që niset dhe nuk e di për ku. Udhëtar i përsosur është ai që niset dhe ka harruar prej ku është nisur”. Të dyja i provon vajtja n’Shkodër.
N’Torrovic duket gjithmonë e shtunë.
E premtja s’dihet ku ndodhet.
N’Zadrim asht gjithmon e diel.
Fill atje Shkodra jep vibracionet e para.
Tu hy n’Shkodër një urë mbi një lumë që vjen nga larg e lart, e fill pas urës një “Zoj’ e Mir’ ’” ta urdhnojn me solemnitet mirseardhjen për tek Zoja e Madhe Shkodër.
Brenda Liqerit shelgjet duken si peshkatarë të kërrusur me çizme dhe kapuça që rrinë në mes të ujit të ngrimë si shtatore mermeri.
Rozafa hijerëndë, pa moshë, pa stinë, pa naze, pa lëvizje, “Pa zemër pa ndjenja, syt’ e saj rrufena, qarkullojn’ rreth Shkodrës, tue synue vranshëm”.
Kalojnë tre Zonja shkodrane elegante me të ikë menia e kres,
-A asht e bukur Shkodra o Zonja ?
-Sigurisht Zotëri. Shkodra është llaftarisht e bukur. Si ka than Koliqi;
“Kendojnë në mengjez pesë kumbonare,
kendojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë”.
Pa hyrë në qytet, ndaj një dyqani një djalë dhe një mesoburrë,
-Po, përgjigjen energjikisht të dy, Shkodra është tmerrësisht e bukur.
Bëj sikur nuk dëgjoj.
-Poooooooooooo klithin të dy sa tundet Rozafa.
Sillem nëpër qytet. Plot njerëz nëpër rrugë. Shumë biçikleta. Diku një “Lavazh me ujë të bollshëm”. Nëpër lokale shkodranë të hijshëm dhe shkodrane nazelie nga ato qe flasin e shkruajnë me apostrofa; t’ana t’mirat, t’marsha t’ligat, nga ato që për “Këtë” dhe “Kokë” thonë aq bukur; “Kyt” dhe “Kryt”.
Pyes-pyes-pyes,
Po-po-po përgjigjen të gjithë; Zoja Shkodër asht qyteti ma i bukur i botës. Shkodra asht vetë Bukuria…
Më pas, radhën e pat Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, memorial që vizitohet nga vizitorë të shumtë. Memoriali i Skënderbeut, ndodhet në zemër të qytetit antik të Lissusit, rreth të cilit shtrihet Lezha e sotme. Ky memorial është ndërtuar në vitin 1981 për të nderuar heroin kombëtar të Shqipërisë dhe për të shënuar dy ngjarje të rëndësishme për historinë e vendit.
Në njërën anë më 2 mars 1444, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu mblodhi Kuvendin e Lezhës ku bashkoi të gjithë princat shqiptarë dhe nga ana tjetër vendi i varrit të Skënderbeut, i cili ndërroi jetë më 17 janar 1468.
Në qendër të memorialit gjenden rrënojat e Kishës së Shën Kollit, në të cilën u varros trupi i Skënderbut. Pas rënies së rezistencës shqiptare, osmanët e shkatërruan varrin e Skënderbeut dhe kisha u shndërrua në Xhaminë e Selimijes. Në vitet ´80 u ndërtua struktura me kolona përreth rrënojave të kishës e u vendos busti i Skënderbeut dhe një sërë objektesh që evokojnë rezistencën shqiptare. Memoriali u restaurua tërësisht në vitin 2018 dhe mori pamjen që ka sot.
Pasi u larguam nga Lezha vazhduam drejt Krujës.
Kruja është një qytet mesjetar që për herë të parë përmendet në shekullin IX në një dokument kishtar të vitit 879-të.
Mendohet që emri rrjedhë nga fjala “krua”, burim uji, sepse në Krujë ka shumë burime të tilla.
Shijimi i panoramës, muzeut, pazarit dhe shkrepja e një fotoje shënoi edhe përfundimin e vizitës në këtë qytet.
Sapo u larguam në qytet filloi një shi me rrëbesh. Ndoshta edhe moti u mërzit nga largimi jonë!
Më pas udhëtimi vazhdoi drejt Vlorës. Vlora është një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë dhe ka me se të krenohet. E quajtur si “Qyteti i flamurit’’, “Qyteti me dy dete” apo “Porti jugor i Adriatikut’’, ajo konsiderohet si perla e turizmit shqiptar. Qyteti ku u martua Skëndërbeu, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë, arenë e luftrave për liri dhe qëndresë shqiptare. Vlora zë një vend të merituar në historinë e Shqipërisë duke gëzuar edhe statusin e qytetit hero.
E martë, 23 maj 2023
U përshëndetëm me Vlorën dhe u drejtuam drejt Durrësit. Durrësi është nyje e të gjitha llojeve të transportit. Nëse do t’i referohemi shprehjes së vjetër që në kohën e Perandorise Romake se: “Te gjitha rrugët të çojne në Romë”, në Shqipëri kjo shprehje do të ishte: “Të gjitha rrugët të çojnë në Durrës”. Durrësi, qytet 3000-vjeçar. Në qendër të tij ndodhet Amfiteatri me 20.000 vende, unik në të gjithë Ballkanin.
Destinacioni I fundit ishte Apollonia. Është themeluar rreth fillimit të shek të IV p.e.s., ndërsa gërmadhat e Apollonisë janë zbuluar në fillim të shek XIX. Gjurmët më të hershme arkeologjike janë disa objekte të kohës së hekurit, tipike të kulturës ilire. Nga shekujt e parë të jetës së qytetit ruhen disa mbetje të murit mbrojtës dhe të një tempulli arkaik kushtuar Artemisit, hyjneshës më të adhuruar të apoloniatëve.
Ndër 24 qytete në të gjithë botën mesdhetare që mbanin këtë emër në antikitet, Apollonia e Ilirisë ishte më e rëndësishmja dhe luajti një rol të madh si ndërmjetëse tregtare mes helenëve dhe ilirëve. Apollonia ishte në atë kohë një qytet i madh e i rëndësishëm në afërsi të Lumit Vjosa. Llogaritet që qyteti të ketë pasur rreth 60.000 banorë, një shifër rekord për antikitetin!
Me interes të madh për vizitorët në Apoloni janë monumenti i Agonotetëve, Odeoni, Biblioteka, Muri rrethues, Portiku, Vila me impluvium, Vila romake me mozaikë, Muzeu arkeologjik, Kisha e Shën Mërisë.
Shpejt kaluan ditët dhe nata. Me të drejtë Lev S. Vigotskij (1896-1934) shkruan:
Në harkun e kohës që çdo ditë përkulet mbi vetveten, në vargun e pafund të orëve me dritë e atyne të errta, asht nji sish, ajo ma e padallueshmja dhe e pakapshmja, kufini i parrokshëm mes natës dhe ditës. Asht nji orë, nji grimë sa para agimit, kur dita ka zbardhë por asht ende natë.
Asgja ma e mistershme dhe e pakuptueshme, asgja ma enigmatike dhe e errtë sesa ky kalim i çuditshëm prej natës tek dita”.
Me vizitën në Apolloni përfundoi edhe ekskurzioni dy ditor që kishte karakter edukativo-argëtues. Për realizimin e tij, mirënjohje dhe falënderime pafund Fondacionit Shqiptaro-Amerikan “Trojet Tona” që mbuluan shpenzimet, agjensionit “Llolla Tours” që çdoherë udhëtimin e bëjnë më të rehatshëm dhe të sigurtë, si edhe atyre që janë e nesërmja, nxënësve dhe stafit arsimor. Shpresoj se kjo ngjarje do të shënohet në kujtesën e secilit prej nesh si një ngjarje që na plotësoi shpirtërisht.