Një jetë në shërbim të atdheut dhe njeriut – nga bankat e shkollës nën përndjekje, te frontet e luftës dhe spitalet ku shpëtoi jetë – Dr. Ahmet Goçaj mbetet një nga figurat më të ndritura të përkushtimit, sakrificës dhe humanizmit kombëtar.
Dr. Ahmet Goçaj
Dr. Ahmet Goçaj u lind më 26 nëntor 1965 në fshatin Vuthaj, një trevë e njohur për qëndresën e saj shekullore dhe për kontributin e vazhdueshëm në luftërat për liri e dinjitet kombëtar. Vuthajt, me historinë e lavdishme dhe me traditën e burrërisë e të sakrificës, ishte vendi ku u farkëtua karakteri i tij, një ndërthurje e ndershmërisë, guximit dhe përkushtimit të palëkundur ndaj atdheut.
U rrit në një frymë të fortë atdhedashëse dhe intelektuale, të kultivuar nga babai i tij, Sadri (Ali) Goçaj, një ndër mësuesit e parë të gjuhës shqipe në krahinën e Plavës dhe Gucisë. Në atë familje, fjala, shkolla dhe atdheu kishin peshë të njëjtë, duke u bërë themel i jetës dhe veprës së tij, udhërrëfyes i pandarë në çdo hap të rrugëtimit të tij jetësor.
Pas shpërnguljes në Kosovë, së bashku me familjen, arsimin fillor e përfundoi në rrethinën e Therandës, ndërsa arsimin e mesëm në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prizren. Rruga e dijes për të ishte e vështirë dhe e mbushur me sakrifica. Si i përndjekur politikisht, ai u përball me pengesa të shumta, presione dhe kufizime të vazhdueshme, por asgjë nuk arriti t’ia shuajë etjen për dije, përparim dhe shërbim ndaj popullit të tij.
Veprimtaria e tij kundër pushtetit shovinist serb nisi herët, në vitin 1983, kur si 18-vjeçar, nxënës i shkollës së mesme, u arrestua nën akuzën se kishte ndihmuar në organizimin e demonstratave në Therandë. Dënimin e vuajti në burgun e Prizrenit, në kushte të rënda dhe çnjerëzore. Kjo përvojë e vështirë nuk e theu, por përkundrazi e forcoi edhe më shumë në bindjet e tij për liri, drejtësi dhe dinjitet kombëtar.
Në vitin 1986 filloi studimet në Fakultetin e Mjekësisë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme, në Universitetin e Prishtinës. Edhe gjatë studimeve ai mbeti nën vëzhgim dhe presion të vazhdueshëm si i përndjekur politik, duke e bërë rrugën akademike edhe më të vështirë. Megjithatë, me vullnet të hekurt dhe përkushtim të rrallë, ai arriti t’i përballojë të gjitha sfidat. Aktivitetin e tij e vazhdoi në kuadër të Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve në mbarë Kosovën, krahas Anton Çettës, duke kontribuar në pajtimin dhe bashkimin e shqiptarëve, në kohë kur uniteti ishte jetik për mbijetesën kombëtare.
Në mesin e viteve ’90, për shkak të angazhimit të tij atdhetar, që shpesh shoqërohej me burgosje dhe maltretime, ai u detyrua të kalojë në ilegalitet të plotë dhe të jetojë larg rrethit të tij të njohur në rajonin e Prizrenit dhe Therandës. Për disa vite jetoi dhe veproi në qytetin e Pejës, duke përdorur identitetin e vëllait të tij, i cili kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë ofensivës së vitit 1998, iu përgjigj thirrjes së kohës dhe shërbeu vullnetarisht si mjek, duke ofruar ndihmë për popullatën civile – refugjatë nga Kosova të vendosur në Meteh të Plavës. Në ato ditë të rënda për popullin, ai dëshmoi se mjekësia për të nuk ishte vetëm profesion, por mision human dhe kombëtar, një detyrë e shenjtë ndaj jetës dhe kombit.
Më pas u kthye në Kosovë dhe vazhdoi shërbimin si mjek në kuadër të Brigadës 125, në Zonën Operative të Pashtrikut. Ndihmën mjekësore e ofroi si në vijën e frontit, ashtu edhe në shtëpinë e tij në Prizren, të cilën e shndërroi në një spital të improvizuar për trajtimin e luftëtarëve dhe civilëve të plagosur.
Këtë veprimtari e vazhdoi deri në përfundimin e luftës në Kosovë. Edhe pas çlirimit, angazhimi i tij nuk u ndal. Ai vazhdoi shërbimin në uniformë pas transformimit të UÇK-së në TMK. Kontributi i tij tejkaloi kufijtë e profesionit; në cilësinë e koordinatorit të shëndetësisë primare në Komunën e Prizrenit, organizoi edhe bartjen e armatimit me autoambulanca drejt fronteve të luftës së UÇPMB-së dhe UÇK-së në Maqedoni.
Deri në vitin 2007 shërbeu në uniformë, ndërkohë që paralelisht përfundoi specializimin në Gjinekologji-Obstetrikë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke dëshmuar përkushtimin e tij të pandërprerë ndaj dijes dhe profesionit.
Pas përfundimit të karrierës në TMK, vazhdoi punën si specialist i gjinekologjisë në Spitalin Rajonal të Prizrenit për 17 vjet, duke u bërë një mjek i respektuar dhe i dashur për pacientët dhe kolegët, një profesionist që la gjurmë të thella në jetën e shumë familjeve.
Më 27 janar 2024, në institucionin ku kishte shërbyer me përkushtim dhe ndërgjegje të lartë profesionale, zemra e tij pushoi së rrahuri. Trupi i tij pushon sot pranë shokëve të idealit, në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit.
Dr. Ahmet Goçaj mbetet një figurë që mishëron lidhjen e fortë mes vendlindjes, dijes dhe sakrificës. Nga Vuthaj, vend i qëndresës dhe i luftërave për liri, ai mori frymëzimin, ndërsa përmes jetës së tij ia ktheu atdheut me përkushtim të pashoq. Emri i tij do të jetojë gjatë në kujtesën e popullit si simbol i humanizmit, guximit dhe dashurisë për liri.
Hasan M. Gjonbalaj
/Plava e Gucia Sot/

